Me një projekt të qartë për punësimin, kreu i LSI, Ilir Meta, gjatë një bashkëbisedimi me studentët shqiptarë të diplomuar jashtë vendit ka shpalosur programin e partisë së tij. Ai iu drejtua palëve politike që ti japin fund përgjithmonë deklaratave populiste për ekonominë dhe të bazohen në projekte konkrete dhe reale.
“Po të vijohet me politika populiste dhe jo realiste, situata do të përkeqësohet dhe treni do jetë negativ, ndaj LSI synon të tërheqë vëmendjen e gjithë aktorëve politikë, ekspertë të shoqërisë civile, qytetarëve dhe votuesve, se ne duhet të vendosim objektiva strategjike për të ardhmen, në mënyrë që të garantojmë një rritje ekonomie më të lartë dhe të qëndrueshme si rruga më e mirë për të garantuar një punësim të sigurtë dhe afatgjatë. Ekonomi që jo vetëm që prodhon, por dhe eksporton. Remitancat e emigrantëve tanë në rënie drastike dhe kjo krijon problem të madh dhe disbalancim serioz, duke ulur importet dhe rritur eksportet”, u shpreh Meta.
“Kemi dëgjuar debate dhe për taksat dhe dëgjojmë pyetjen jeni i majtë apo i djathtë. Nuk është ky thelbi i gjithë diskutimit dhe debatit. Thelbi kryesor i gjithë situatës ekonomike në të cilën ndodhet vendi është se cfarë do prodhojnë Shqipëria, cilat janë mundësitë për të ulur importet dhe cfarë do eksportojë Shqipëria në mënyrë që të kemi një ekonomi që përfiton nga proceset integruese dhe jo që shkon drejt falimentimit. Për ne, prioritet kryesor cështja e punësimit, ndaj të gjitha politikat edhe taksat duhet të jenë në funksion të punësimit. Nëse një njeri është i papunë, cfarë takse do i marrësh? E para prodhimi, e dyta puna, në mënyrë që ne të kemi mundësi të rrisim edhe të ardhurat në mënyrë të drejtë dhe sociale”, theksoi më tej Meta.