Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi është pyetur dje për 5 orë në ambientet e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion. Kryemadhi hyri e vetme, pa asnjë avokat dhe pa asnjë dosje voluminoze në godinën e qelqtë. Raportohet se ajo u thirr nga prokurori Sotir Kllapi, i cili dyshohet se po harton relacionin për arrestimin e deputetes dhe bashkëshortit të saj Ilir Metës, për dosjen e lobimit me para të pista në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shpenzimet estetike jashtë vendit, para të cilat nuk i kanë deklaruar. Prokurorët e çështjes së Ilir Metës janë Sotir Kllapi dhe Arben Kraja, ndërsa hetimet po ndiqen nga kreu i SPAK, Altin Dumani, sot një nga njerëzit më popullorë në Shqipëri. Mësohet se Sotir Kllapi, në kuadër të përfundimit të hetimeve për dosjen e lobimit dhe shpenzimeve estetike, dyshohet se do të kërkojë arrestimin e ish-presidentit dhe Kryemadhit për falsifikim formularësh dhe fshehje pasurie.
Provat ndaj Metës dhe Kryemadhit
Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi akuzohen se ka shpenzuar gjatë viteve 2016-2017 rreth 1.2 milionë USD për lobim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Meta e Kryemadhi nuk kamë deklaruar asgjë në ILDKPKI dhe në KQZ siç e parashikon ligji. Në bazë të provave të mbledhura, në qershor të vitit 2022, ish deputeti Halit Valteri referoi një kallëzim në SPAK. Në kallëzimin penal thuhej se Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi kanë konsumuar 8 vepra penale, si fshehje të ardhurash, korrupsion pasiv dhe aktiv, pastrim parash, shpërdorim detyre, fshehje pasuri, mospagim taksash etj. Si fakte, në kallëzim thuhet se Ilir Meta dhe LSI-ja kanë lidhur kontrata lobimi në SHBA me kompaninë McKeon Group në vitin 2017, me vlerë qindra mijëra dollarë, duke fshehur shpenzimet si në KQZ, ashtu edhe në ILDKPKI, siç e parashikon ligji. Disa ditë më pas, bazuar në këtë kallëzim, SPAK regjistroi procedimin penal me numër 122, me dy akuza: Korrupsion dhe falsifikim të formularëve. Prokurorët e kësaj çështje janë Sotir Kllapi dhe ish kreu i SPAK-ut, Arben Kraja, të cilin Meta e etiketoi si ‘Spurdhjaku i partisë që ka vendosur t’i shërbejë hapur mafies së inceneratorëve’. Për të provuar veprën penale të dyshuar, SPAK kërkoi informacion me letërporosi në SHBA. Autoritetet amerikane, në përgjigjen e kthyer, kanë konfirmuar pagesat e paligjshme për lobim. Kjo përgjigje fundos Ilir Metën dhe Monika Kryemadhin, të cilët duhet të zgjedhin se cili duhet të shkojë në burg. Kur SPAK mori në pyetje Ilir Metën, ky i fundit ia la përgjegjësinë Monika Kryemadhit, Petrit Vasilit dhe Endrit Braimllarit. Në dokumentet që disponon SPAK, figuron firma e Kryemadhit.
Shpenzimet estetike
Një tjetër dosje ku është faktuar korrupsioni janë dhe operacionet plastike të ish-presidentit dhe gruas së tij se kanë shpenzuar mijëra euro për ndërhyrje estetike dhe nuk i kanë deklaruar këto para. Këtë e treguan letër-porositë e ardhura në SPAK nga jashtë vendit. Në shtetin e San Marinos, ekziston një spital/klinikë private e quajtur “Casa di Cura Privata Domus Medica”, me adresë “Strada Genghe di Atto, 101 Acquaviva RSM”. Në këtë spital kryhen kryesisht trajtime dhe ndërhyrje estetike nga persona “VIP” të botës së artit, sportit, shoë biz-it por jo vetëm. Ky spital është frekuentuar dhe nga dyshja Meta-Kryemadhi. “Spitali privat i lartpërmendur njihet si një nga më të kushtueshmit dhe ka staf të përbërë me mjekë të ndryshëm të cilët ndjekin pacientët e këtij spitali. Ky spital njihet jo vetëm për mjekët shumë të kualifikuar, por edhe për tarifat që aplikon për pacientët e saj, të cilat janë tepër të larta. Nga kërkimet e bëra, më rezulton se personazhe të cilët kanë marrë trajtimet e këtij spitali janë edhe Ish Presidenti i Republikës se Shqipërisë, z.Ilir Meta, deputetja e Kuvendit të Shqipërisë znj. Monika Kryemadhi dhe fëmijët e tyre. Një prej mjekëve të këtij spitali është dhe shtetasja Silva Shametaj/Ruli. Sipas investigimeve të bëra, mjekja Silva Shametaj është mikeshë personale e Monika Kryemadhit dhe llir Metës (kjo lidhje dhe fakte të tjera do të vërtetohen nga materialet bashkëlidhur këtij kallëzimi), si dhe personi që ka ndjekur kryesisht ndërhyrjet dhe trajtimet që shtetasit Monika Kryemadhi, llir Metaj dhe fëmijët e tyre kanë bërë pranë këtij spitali. Ashtu siç evidentohet qartazi nga fotografitë, rezulton se, shtetasja Monika Kryemadhi ka bërë ndërhyrje të shumta estetike dhe sipas informacioneve që disponoj, një pjesë janë bërë në spitalin “Casa di Cura Private Domus Medica” në San Marino”, thuhet në padinë që bëri SPAK të niste hetimet. ë dhënat e këtyre shtetasve që gjenden në kartelat mjekësore të spitalit, provohen me hyrjet – daljet e sistemit TIMS, si dhe nëpërmjet transfertave bankare që i janë bërë spitalit. Familja Meta ka marrë një sërë trajtimesh në kohë të ndryshme pranë këtij spitali, kostot e të cilave arrijnë shifra marramendëse. “Vetëm një prej trajtimeve të kryera nga Monika Kryemadhi për shërbime estetike sipas transfertës së datës 04.06.2018, paguar nga një llogari anonime nga një bankë offshore në Qipro, ka vlerë 287.650 euro”, thuhet në padi. Më tej bëhet e ditur se ndërhyrje ka bërë edhe ish-presidenti Ilir Meta. Sipas dosjes, ish-presidenti trajtime ka bërë edhe në Austri. “Po kështu shtetasi Ilir Meta rreth vitit 2013 -2014, ka kryer ndërhyrje kirurgjikale në Vjenë, e cila i ka shërbyer për t’u dobësuar. Këto ndërhyrje janë kryer nga shefi i pavionit të obezitetit në spitalin e Vjenës, i cili quhet Gerhard Prager. Ky mjek është ndër më të mirët në botë për këtë sektor dhe kryen këto ndërhyrje në spitalin shtetëror të Vjenës ose në klinikën e tij private”, shprehet avokati në padi.
Hetim pasuror ndaj çiftit
Hetimi pasuror nga SPAK për Metën dhe Kryemadhin ka nxjerrë “perla”. SPAK ka sekuestruar dhe telefona e dokumente te rëndësishme për bashkëpunëtorët e çiftit Meta-Kryemadhi. Madje BKH ka ushtruar kontroll dhe në banesën e Kryemadhit e Metës. Në SPAK janë thirrur gjithashtu dhe biznesmenë që në prapaskenë pastrojnë paratë e pista të ish-presidentit dhe deputetes së PL. Gjithashtu në skaner është edhe një skemë korrupsioni dhe dyshime për pastrimi parash nga Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi, duke përfshirë vëllanë e Monikës, Drini Kryemadhi, mamanë e tij Fatime Kryemadhi, vjehrrin e Drinit (Nuri Peti), kompaninë e ndërtimit Tirana DKK, si dhe kompaninë e kolaudimit të makinave SGS, e favorizuar nga Meta kur ishte në pushtet.
Si justifikohet Monika Kryemadhi
Për gjithë këto hetime, Kryemadhi tha dje për mediat tha se paditë për shpenzime të padeklaruara në ndërhyrje estetike dhe ajo për lobimin në SHBA janë bashkuar në një hetim. Për të dyja dosjet fajëson kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj. “Isha për tu përgjigjur rreth padisë së rremë që ka bërë Veliaj me suflerët, shërbëtorët e tij. Iu përgjigja të gjitha pyetjeve dhe në bazë të të dhënave të mia dhe ato që ka mbledhur SPAK ballafaquam gjërat që kanë të bëjnë për akuzat që kanë ngritur. Besoj që e ezauruam aspektin e pyetjeve dhe të përgjigjeve, e firmosa me vetëdije të plotë duke marrë përgjegjësitë e mia si qytetare, deputete, bashkëshorte, nënë. Isha në cilësinë e personit që ka dijeni. Padia që është dorëzuar në SPAK nga dy ushtarët e bindur të Veliajt, është paditur nëna ime, vëllai dhe fëmijët e mi. Kam bërë botoks si të gjithë gratë e burrat. Nuk kam bërë ndërhyrje estetike” tha ajo për gazetarët”, tha Kryemadhi. Sa i takon akuzave për shpenzime marramendëse për operacionet plastike, Kryemadhi tha se s’ka asnjë ndërhyrje estetike, por ka bërë vetëm botoks. “Kam bërë botoks si të gjithë gratë e burrat. Nuk kam bërë ndërhyrje estetike”, u shpreh Kryemadhi. Sulmet e bashkëshortit, me të cilin tashmë është edhe në konflikt politik, Kryemadhi i quan të gabuara, ndërsa distancohet hapur nga Ilir Meta. “Vazhdoj t’i qëndroj çdo deklarate time të lidhur me reformën në drejtësi. Nuk e sfidoj as sistemin e drejtësisë, as sistemin ku ne jetojmë dhe punojmë, pavarësisht problematikave që kemi. (…) Ndaheni me Ilir Metën për sulmet ndaj SPAK? Ndahemi”, tha ajo.