Sapo Prokuroria e Posaçme (SPAK) afrohet edhe më shumë tek familja e Metës dhe Berishës, ata intensifikojnë konferencat për shtyp, daljet televizive dhe kërcënimet, duke demonstruar shenja të shqetësimit të thellë në kufijtë e panikut. Alarmi i tyre është produkt i dosjeve penale në SPAK, ku ata janë protagonistë të drejtpërdrejtë dhe asnjëherë më parë nuk kanë qenë pranë rrezikut për t’u marrë të pandehur. Ndryshe nga Sali Berisha që po lufton me SPAK për të shpëtuar fëmijët dhe dhëndrin e tij, Ilir Meta ka treguar se është i gatshëm të shesë dhe familjarët e tij për të shpëtuar nga prangat. Zërat i shtoi edhe më shumë vetë dje Monika Kryemadhi, se mes saj dhe Ilir Metës situata nuk është e mirë pasi SPAK nisi hetimet. Teksa thumboi ish-ministren e Mbrojtjes Olta Xhaçka gjatë debatit në Kuvend për mandatin e saj, ajo u shpreh se gratë bëhen “mish për top” për burrat. “Karma is a bitch Olta”, iu drejtua Monika Kryemadhi, duke shtuar se “çdo të mbjellim do të korrim”. “Në fakt më vjen shumë keq si grua që ndonjëherë ne gratë bëhemi mish për top për burrat. Por karma is a bitch Olta dhe ç’të mbjellim do të korrim”, tha Monika Kryemadhi.
Meta bën “kurban” bashkëshorten e tij
Para disa javësh, Meta në një konferencë për shtyp,u pyet edhe për rekursin e bërë në Gjykata nga Monika Kryemadhi për t’i kthyer celularin dhe nëse ai ishte pjesë në këtë çështje. Ish-presidenti ka hequr përgjegjësinë nga vetja dhe tha se për këtë mund të flasë vetë Kryemadhi pasi ai nuk mban përgjegjësi për asnjë njeri në raport me ligjin. “Ju mund t’i drejtoheni vetë zonjës Kryemadhi. Janë dy çështje të ndara me thikë, i raportit tim politik me zonjën Kryemadhi. I cili nuk është ndonjë raport që ka shkëlqyer shumë, për hir të së vërtetës, për shkak të ndonjë vendimi të marrë prej saj në të kaluarën. Siç ka qenë ai i djegies së mandateve dhe i raportit me të si bashkëshorte. Ku ajo me thënë të drejtën është një shembull shumë i mirë sa i takon edukimit, mbarëvajtjes së fëmijëve. Tani për këtë çështje unë kam vetëm një përgjigje: S’mbaj përgjegjësi tani, se dikur thosha mbaj përgjegjësi vetëm për vajzën e vogël se nuk i kishte bërë 18 vjeç, por tani i bëri dhe ajo 19 vjeç. Kështu që nuk mbaj përgjegjësi për asnjë njeri për çdo sjellje në raport me ligjin. Ajo që dua t’ju siguroj ju dhe të gjithë shqiptarët se sjellje ime në raport me ligjin, në raport me kushtetutën ka qenë perfekte”, tha Meta. Gazeta “SOT” e ka raportuar se afera e lobimeve me para të pista në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga ana e ish-LSI, që SPAK po e “qep” si doje në bashkëpunim me amerikanët është drejt fundit dhe emri në letra që ka kryer veprimet si kryetare është Monika Kryemadhi.
Kriza mes tyre
Gjithë këtë frikë dhe ankth që SPAK po ju shkakton duke iu kontrolluar banesën, marrë në pyetje familjarë e bashkëpunëtorë ka bërë që tek ata të plasë dhe sherri. Para disa ditësh në media u raportua se në një mbledhje të kryesisë së Partisë së Lirisë ka patur debate të forta mes Ilir Metës dhe grupit të vjetër të Monika Kryemadhit përfshi dhe vet Monikën, lidhur me aksionin e tyre politik. Mbledhja ka degraduar në tone të larta që dëgjoheshin deri në rrugë. Kryemadhi në përpjekje për të frenuar daljet qesharake të Metës në publik, i ka thënë se ai duhet të shmang daljet publike se është i sëmurë, ndërsa Meta i është kthyer ashpër duke i thënë “Ti je peng i Dumanit”. Meta po ashtu ka akuzuar Kryemadhin se me veshjet e shtrenjta që ekspozojnë kanë ndjellë SPAK në zyrat e LSI. Tensionet brenda Partisë së Lirisë, vijnë pas ndryshimeve të forta që ka bërë Meta duke eliminuar gjithë grupin e vjetër të partisë së LSI dhe nga rritja e tensionit që po vjen nga hetimet e SPAK rreth Metës dhe Kryemadhit. Madje nga paranojat, Ilir Meta ka larguar dhe truprojat e tij duke para disa ditësh duke i akuzuar si patronazhistë.