Gazeta “SOT” po risjell sot për lexuesin pjesën e dytë të intervistës që ka zhvilluar me ish-shefin e Sektorit të Edukimit në Komitetin Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, Muharrem Xhafa.
– Si ka vepruar ndaj kriminelëve të luftës shteti shqiptar i diktaturës së proletariatit dhe si ka vepruar shteti borgjez i Shqipërisë?
Unë di që nuk ka asnjë vend, shtet a popull në Europë që t’i ketë falur e të mos i ketë dënuar kriminelët e Luftës së Dytë Botërore dhe ata qytetarë të tij, që kanë bashkëpunuar gjatë kësaj lufte me pushtuesit nazifashistë. As shtetet kapitaliste që erdhën në fuqi pas humbjes së fashizmit, nazizmit, frankizmit e militarizmit dhe fitores mbi to të Luftës së Dytë Botërore në Itali, në Gjermani, në Spanjë e në Japoni, ku lindën fashizmi, nazizmi, frankizmi e militarizmi nuk i kanë falur kriminelët dhe bashkëpunëtorët e nazifashistëve! Ndonëse fshehur prej dekadash në vende e shtete të tjerë “në fund të botës” kriminelët e Luftës së Dytë Botërore janë ndjekur, zbuluar dhe ekstraduar për t’u gjykuar në vendet ku i kanë kryer krimet, edhe nëse kanë qenë në moshë të shkuar! Në vendin tonë gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe jo vetëm gjatë kësaj kanë vepruar si kriminelë dhe bashkëpunëtorë të pushtuesve të huaj nazifashistë klerikë, bejlerë të pasur, pronarë të mëdhenj tokash, bajraktarë, kapedanë e të tjerë, të cilët, me të tjerë e me pasardhësit e vet, pas rrëzimit me tradhti e kundërrevolucion të socializmit në Shqipëri më 1990-n, si dhe me mbështetjen e reaksionit ndërkombëtar, shkatërruan gjithçka: industrinë, bujqësinë, ushtrinë, arsimin, shëndetësinë, kulturën etj., të ndërtuar e mbrojtur me punë, me djersë e gjak shqiptari. Që nga viti 1990 e këndej shteti borgjez i Shqipërisë në vend që t’i dënonte kriminelët ashtu si ata e meritonin dhe ashtu si kishin vepruar shtetet e tjerë borgjezë të Europës Perëndimore pas Luftës, që i gjetën kriminelët nazistë të fshehur deri “në fund të botës”, disa prej figurave më të urryera të kombit tonë, siç thashë, i nderoi pa pyetur popullin, edhe pse ata e kishin shtypur e vrarë bashkë me pushtuesit e huaj, i kishin vënë pushkën Frontit Antifashist e LANÇ-it dhe më pas ndërtimit e zhvillimit të vendit. Borgjezia shqiptare dhe shteti i saj kapitalist kanë vjell vrer në shtyp, në televizion e në rrjetet socialë kundër gjoja krimeve të regjimit komunist dhe me qëllim të lig i kanë bërë e dhënë shifrat “çorap”! Shteti i borgjezisë, jo i popullit, që është në duart e bashkëpunëtorëve të pushtuesve të huaj, të ish komunistëve bastardë dhe të organizatave tradhtare thërret se nuk ka patur as gjatë LANÇ-it e as gjatë ndërtimit të socializmit kriminelë dhe bashkëpunëtorë të pushtuesve fashistë në dëm të shqiptarëve, as organizata tradhtare, që iu bënë krah pushtuesve italianë e gjermanë kundër Shqipërisë e popullit të saj. Shkruhet se janë hetuar, akuzuar, dënuar, persekutuar e ekzekutuar persona me emër për shkak të kundërshtimit të regjimit komunist, të cilin nuk e kanë dashur, duke mënjanuar dhe mohuar faktin që kanë qenë shkelës të ligjit, vrasës, përdhunues, hajdutë profesionistë etj. Përse fshihet ky fakt? Përse fshihet që vrasës e kriminelë të egër ka edhe sot, të cilët në çdo shtet dhe në çdo sistem shoqëror dënohen me ligj. Vrasësit, kriminelët dhe bashkëpunëtorët me pushtuesit fashiste thonë se nuk duheshin vrarë ata njerëz, ndonëse ishin shkelës të ligjit e kriminelë me damkë, ani pse vranë mësuesin e popullit Ndrec Ndue Gjoka, heroinat e Mirditës, Babë Rexhën, Bardhok Bibën e sa të tjerë?! Sikurse thashë, a thua të kenë “harruar” se nuk ka asnjë vend, shtet a popull të botës që t’i ketë falur vrasësit, kriminelët e bashkëpunëtorët e pushtuesve fashistë? Jo, nuk është se kanë harruar, po se e kanë bërë çdo gjë të bindur e plot besim te fitorja e pushtuesve dhe se do të vinin e viheshin vetë ata në pushtet! Shifrat, që kam mundur të gjej, do t’i sjellë ashtu si janë botuar, pa korrigjime, po shteti borgjez e kalemxhinjtë e tij, i kanë bërë ato me qëllim “çorap”, ndaj lexuesit duhet të bëjnë kujdes! Thuhet se pushteti popullor gjatë viteve 1944-1990 ka “pushkatuar 5577 burra dhe 450 gra”. Po përse i ka pushkatuar dhe kush janë të pushkatuarit?! Kjo pse nuk thuhet?! Thuhet se janë burgosur në ato vite “për arsye politike 10733 burra e 7367 gra” dhe se prej atyre të burgosurve “kanë vdekur 1065 gra dhe burra”, ndërsa kanë humbur aftësitë mendore nga torturat “408 burra e gra”! Po përse shmanget e nuk thuhet se për ç’arsye janë burgosur ata njerëz, sa kanë qenë gra e sa burra, që paskan vdekur dhe përse kanë vdekur?! Përse këta “trima” i thonë të dhënat tani që është në fuqi pushteti i borgjezisë e jo pushteti popullor? Shkruhet se për motive politike janë internuar “20 mijë familje nga viti 1944 deri më 1990-n” prej të cilave (familjeve) “kanë vdekur 7022 persona të moshave të ndryshme nga fëmijë deri në 80 vjeç në zonat e internimit”?! Po për çfarë shkaqesh kanë vdekur dhe a janë përfshirë në këtë numër familjet e “internuara” për t’i mbrojtur nga gjakmarrja e për motive të tjera jo politike?! “Burgosjet dhe eliminimet – thuhet, kanë qenë paralajmëruar pa mbaruar lufta” dhe se “represioni ligjor i të ashtuquajturve ‘armiq të regjimit’ ka nisur menjëherë pas çlirimit të vendit”!? Po kur duhej të bëheshin paralajmërimet, pasi vendi të çlirohej? Pse nuk thuhet e vërteta, që kjo bëhej për t’i larguar njerëzit nga rruga e keqe dhe për t’i mbrojtur e shpëtuar? Po represioni ligjor, kur duhej të fillonte, në kohën që pushteti popullor nuk ishte vendosur?! Në shkrime të ndryshme shkruhet për tortura, për internime, për shpronësime, për zhdukje, për censurë, për sekuestrim pasurie, për burgje, po nuk thuhet se edhe sot ka zhdukje e tortura, se edhe sot ka sekuestrim pasurie, se edhe sot ka burgje e të burgosur, madje më shumë se para 1990-s! Shtypi ka bërë të ditur se pas 1990 janë vrarë 8200 vete vetëm për çështje prone! Po sa të tjerë janë vrarë për gjakmarrje e për shkaqe të tjera? Sa njerëz kanë rënë në detra e kanë vdekur maleve?! Pse nuk thuhet se akoma më shumë kanë vdekur në aksidente rrugore etj?! Në ligjin e datës 15. 12. 1944 mbi sabotimet e luftës dhe të pushtetit popullor thuhet se dënimet kundër regjimit varionin nga 30 vjet burg, në dënime të përjetshme e me vdekje dhe se gjatë
viteve të para të regjimit komunist numri i të dënuarve u rrit me shpejtësi. Në vitin 1945 numri i personave të kësaj kategorie ishte 2048 vetë, ndërsa, më 1 janar 1950 kishte 7168 të dënuar me heqje lirie, 2000 të internuar, gjithsej 9168 vetë, që sipas kalemxhinjve të borgjezisë, i bie 753 vetë për 100 mijë banorë. Po përse nuk thuhet se sa ishin për 100 mijë banorë të dënuar me burg e sa ishin të internuar? Në vitet 1945 – 1953, “komunistët vranë dhe persekutuan të gjithë kundërshtarët e tyre politik”! Pse fshihet e nuk thuhet e vërteta se është bërë një seleksionim i madh sa ishin kundërshtarë politikë të pushtetit dhe kush ishin ata që u vranë e përse u vranë dhe u persekutuan?! Një lexim i vëmendshëm nxjerr në dukje se të njëjtët emra personash dalin edhe kriminelë të pushkatuar, edhe të persekutuar, edhe të internuar!! Pse nuk thuhet se shifrat janë bërë publike jo me vendime gjykatash, po me vendime politike, me “studime e artikuj servilësh, për të grabitur autorët ndonjë thelë? Etj., etj., etj..
-Vendi ynë ka pasur veçorinë e tij! Cila është veçoria e vendit tonë?
Do t’jua them edhe këtë, por kjo do të jetë një përsëritje e nevojshme e fakteve që i kam përmendur më parë, që, të marra së bashku, japin veçorinë e vendit tonë : E para, gjatë Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria qëndroi në anën e kundërt të pushtuesve italianë e gjermanë; mbështeti aleatët e mëdhenj : SHBA-s, BS dhe Anglinë; u radhit në anën e fuqive fituese të Luftës, që me aleatët e vet më të vegjël, bënë zap fashizmin italian, nazizmin gjerman dhe militarizmin japonez. Kjo është meritë e PKSH-së dhe e Enver Hoxhës, sepse pa Partinë Komuniste me Enver Hoxhën në krye kjo nuk do të kishte ndodhur dhe Shqipëria as nuk do të ishte çliruar, as nuk do të ishte ndërtuar! Vendi ynë i vogël, bëri luftë të madhe heroike kundër pushtuesve italianë e pastaj gjermanë, kundër kriminelëve shqiptarë të Luftës, kundër bashkëpunëtorëve të pushtuesve të huaj dhe organizatave kolaboracioniste, që, gjatë Luftës së Dytë Botërore, i vunë pushkën Frontit Antifashist dhe LANÇ-it! Shqipëria nuk mund të vepronte ndryshe nga vendet e të tjera të Europës, aleate e të cilave kishte qenë në Luftën e Dytë Botërore. E dyta, njerëzit duhet të dinë se Shqipërinë socialiste e akuzojnë për “krime” shteti i borgjezisë, kriminelët e Luftës dhe bashkëpunëtorët shqiptarë të nazifashizmit, organizatat tradhtare shqiptare, që u bënë vegla të pushtuesve, jo partizanët! E treta, duhet bërë dallimi midis vendit tonë, ku u vendos një regjim i ri (socialist) dhe vendeve kapitaliste të Europës Perëndimore, të cilat qenë më parë dhe mbetën edhe më pas Luftës së Dytë Botërore vende kapitaliste. Bashkë me faktin që vendi ynë u çlirua me forcat e veta, të gjitha këto përbënë të veçantën e vendit tonë!
– SHBA-të kanë qenë njëra ndër tri fuqitë e mëdha botërore, përkrah BS të Stalinit dhe Anglisë gjatë Luftës së Dytë Botërore. “Harry Fultz” që ka qenë shefi i Zyrës për Shqipërinë i Shërbimit të Inteligjencës Amerikane gjatë Luftës së Dytë Botërore, ka bërë, të themi, një karakterizim interesant për kriminelët shqiptarë të luftës dhe organizatat kolaboracioniste me pushtuesit! A keni dijeni?
Të them të drejtën, unë nuk jam njohës i mirë i tij! Por e di që “Harry Fultz” ka qenë shefi i Zyrës për Shqipërinë i Shërbimit të Inteligjencës Amerikane gjatë Luftës së Dytë Botërore. Di, edhe se CIA thoshte që në Shqipëri kolaboracionistë të pushtuesve nazifashistë kanë qenë klerikë, bejlerë, kapedanë, pronarë të mëdhenj tokash e bajraktarë dhe se kjo nuk ishte një trillim i Enver Hoxhës. Di, gjithashtu, që Fulzi si shefi i Zyrës për Shqipërinë i Shërbimit të Inteligjencës Amerikane gjatë Luftës së Dytë Botërore, në një raport dërguar Uashingtonit (shtator 1944) shkruante se duke qenë tepër feudalë në pikëpamjet e veta, ata i përziejnë pikëpamjet e tyre me metodat fashiste e naziste gjermane; se nuk është i rastit fakti që anëtarët e një grupi të tillë përkrahën planet nazifashiste, duke krijuar një truall të përbashkët me nazistët gjermanë; se ata nuk i besojnë popullit të tyre me pretekstin se është injorant e primitiv, po në të njëjtën kohë adaptojnë masa, të cilat e mbajnë popullin në kushte injorance, varfërie e primitiviteti; se preferojnë që njerëzit të jenë të nënshtruar dhe nuk kanë hezituar të përdorin mjetet më të ashpra për të mbajtur popullin në kushtet e nënshtrimit dhe frikës, se anëtarët e këtij grupi, duke shfrytëzuar pozitat shtetërore, nuk kanë hezituar t’i venë emrin komunist/e çdo shfaqjeje të pakënaqësisë apo çdo shprehjeje të dëshirës për kushte më të mira. Shumica e elementeve ballistë, shkruante Fulzi, ka dalë nga grupet e mësipërme, dmth nga bejlerët e pronarët e mëdhenj të tokave në Shqipërinë e mesme, nga bajraktarët e kapedanët myslimanë të Matit, Dibrës e Lumës dhe nga katolikët fashistë të Mirditës, Shkodrës e Dukagjinit, si edhe nga shtresa e bejlerëve të mesëm e të vegjël, nga kasta e oficerëve profesionistë të ushtrisë dhe xhandërmarisë, nga zyrtarë profesionistë dhe tregtarë të pasur, nga doktorë dhe gjykatës të privilegjuar. Me ndonjë përjashtim të vogël, thoshte Fulzi, shumica e këtyre janë me prirje nazifashiste dhe përfaqësojnë interesat thelbësore më antidemokratike. Ky karakterizim i Fulzit, i nderuar Rigels, u shkon fort për shtat kriminelëve dhe bashkëpunëtorëve të fashizmit e organizatave kolaboracioniste me pushtuesit e huaj, jo vetëm për vitet gjatë Luftës së Dytë Botërore, por edhe për vitet më pas; të gjithë armiqve të tjerë të Shqipërisë!
– Cili është mendimi juaj, a po shkon vendi ynë drejt fashistizimit të tij?!
Unë nuk e uroj një gjë të tillë, po, me sa duket, po ecet drejt fashistizimit të vendit. Se vijon, që prej 1990-s, një sulm i egër kundër PKSH-së dhe Enver Hoxhës, kundër LANÇ-it e socializmit. Fakti që po sulmohen PKSH-ja (PPSH) e Enver Hoxha dhe që po ngrihen “në qiell” partitë e borgjezisë; fakti që sulmohen LANÇ-i, heronjtë e dëshmorët e atdheut dhe rehabilitohen armiqtë e popullit e bashkëpunëtorët e pushtuesve nazifashistë; fakti që po u hiqen emrat e heronjve e dëshmorëve shkollave, rrugëve etj. dhe po zëvendësohen me emrat e tradhtarëve dhe bashkëpunëtorëve të fashizmit; fakti që veteranët, ushtarakët, specialistët etj, merren nëpërkëmbë; fakti që është shkatërruar gjithçka socialiste dhe është shtrembëruar edhe historia, edhe kultura, edhe tradita, edhe gjithçka tjetër; fakti që vendi ynë po shpopullohet nga shqiptarët dhe po popullohet nga të huajt, afrikanë e aziatikë, fakti që populli trajtohet si të jetë bagëti; fakti që vendi ynë nuk ka as mbrojtje e as kufij; fakti që ekonomia shkon keq e më keq dhe çdo gjë bëhet me lekët e botës; fakti që pushteti ka punuar e punon si të pasurohen oligarkët dhe borgjezia dhe të nëpërkëmben masat popullore; që Shqipëria është shndërruar në protektorat etj., etj., etj., po! Jemi duke ecur drejt fashistizimit të vendi, në mos qofshim fashistizuar! A do t’ia arrijë qëllimit regjimi shtetëror borgjez i sotëm apo ai që mund të marrë nesër qeverisjen e vendit, kjo është për t’u parë! Po edhe e lehtë nuk do të jetë, sepse populli po ndërgjegjësohet!
Intervistoi: Rigels Seliman