Festat e 28-29 Nëntorit vijojnë të shkaktojnë debat në politikën shqiptare. Teksa dy ditë më parë u shënuan plot 111 vjet shtet shqiptar, Rithemelimi i Sali Berishës vazhdoi traditën duke njohur 28 Nëntorin si ditën e datën e çlirimit të vendit, ndryshe nga Partia Socialiste, e cila festoi Pavarësinë dy ditë më parë dhe dje çlirimin e vendit. Por për komunistët, vendi është çliruar në datën 29 Nëntor, duke rrëzuar kështu Sali Berishën, i cili dje hodhi akuza të forta në adresë të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare. Ish-shef i Sektorit të Edukimit në aparatin e KQ të Partisë së Punës, njëherësh ish-Sekretari i Parë i PPSH Muharrem Xhafa deklaroi dje se Berisha e fraksioni i tij politik nuk e pranon 29 Nëntorin si datën e çlirimit të Shqipërisë për disa arsye banale. Gjatë një prononcimi për gazetën “SOT”, ai akuzoi Berishën se është neoballist që ka simpati për pushtuesit. Sipas tij, Rithemelimi i Berishës është kundër dëshmorëve të rënë gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe kjo i vesh ata me petkun e tradhtarit. “Po, ka disa “arsye” banale që Sali Berisha dhe demokratët shqiptarë nuk e pranojnë 29 Nëntorin e vitit 1944 si datën e Çlirimit të Shqipërisë! Së pari, duhet thënë sepse nuk janë demokratë të vërtetë; së dyti, sepse ata nuk janë antifashistë me zemër dhe kanë kompleksin e kolaboracionist; së treti, sepse shumë prej mbështetësve të PD-së janë ballistë e pinjollë të bashkëpunëtorëve të pushtuesve të huaj; së katërti, sepse PD-ja e pedeistët janë kundër LANÇ-it, e cila, nën udhëheqjen e PKSH-së me Enver Hoxhën në krye, çoi vendin në fitoren mbi pushtuesit nazifashistë, në çlirimin e tij dhe në vendosjen e pushtetit popullor; dhe së pesti, sepse, një fakt tjetër ky, PD-ja është kundër 28 mijë dëshmorëve të LANÇ-it, mbasi ata dhanë gjakun e jetën, kundër pushtuesve e reaksionit shqiptar, jo në krah të pushtuesve, deklaroi Xhafa.
Faktet që rrëzojnë pretendimet e demokratëve
Më tej ish-Sekretari i Parë i PPSH, Muharrem Xhafa renditi edhe disa fakte, të cilat sipas tij, tregojnë qartë se pse Berisha dhe Rithemelimi gabojnë duke festuar çlirimin e Shqipërisë në datën 28 Nëntor. Xhafa theksoi se edhe vetë gjermanët e kanë pranuar nëpër botimet e tyre që janë larguar përfundimisht në 29 Nëntor. “Kjo “muzikë” është vjetruar e mbyllur! Berisha dhe Rithemelimi e ngrejnë çështjen e 29 Nëntorit 1944, d.m.th të Ditës së Çlirimit të Atdheut, sepse janë kundër LANÇ-it. Jo për tjetër! Unë ju them se ka jo vetëm fakte, po edhe një histori të tërë, të cilat provojnë pa asnjë dyshim se Shqipëria është çliruar më 29 Nëntor 1944! S’ka dëshmi më të madhe se partizanët e kuadrot e gjallë drejtues të LANÇ-it. Së dyti, këtë datë të çlirimit të Shqipërisë e pranojnë edhe vetë gjermanët, madje ata kanë botuar dokumente origjinale për këtë datë historike, ndonëse shënonte humbjen e tij!”, u shpreh ai Ndërkohë zoti Muharrem Xhafa po ashtu zbuloi se në Arkivin Qendror të Shtetit mund të gjenden shumë dokument që e faktojnë diçka të tillë, por akuzoi historianët se nuk i bëjnë ato publike për shkak të frikës. “Kryesore është që Arkivi Qendror i Shtetit ka shumë dosje me plot dokumente që vërtetojnë se Shqipëria është çliruar më 29 Nëntor 1944, por kjo nuk publikohet nga historianët, se janë tromaksur nga frika! Historianët apo të ashtuquajturit historianë, që mbështesin, për turpin e vet PD-në, po të ngacmohen pak për të treguar se si kanë shkruar në punimet e veta historike deri më 1990, për ditën e çlirimit, ata të thonë se e kanë dredhur për interesa personale karrieriste! “Harrohet” se në trajtimin e historisë nuk kanë vend inatet e mllefet personalë, po kriteret e parimet e shkencës së historisë! Historia është ajo që ka ndodhur, jo ajo apo ato që ka në kokë iksi a ypsiloni pedeist, socialist a ballist!”, nënvizoi Muharrem Xhafa për gazetën “SOT”.
Pak histori
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Ushtria Nacional Çlirimtare e Shqipërisë zhvilloi kryengritje të armatosur kundër okupimit të Shqipërisë. Prej 7 prillit të vitit 1939 Shqipëria kishte qenë e pushtuar nga Italia fashiste dhe pas kapitullimit të saj, në vjeshtë të vitit 1943, Shqipëria pushtohet nga forcat gjermane. Në fund të nëntorit 1944, pas Çlirimit të Tiranës, më 17 nëntor dhe pjesës kryesore të Shqipërisë së Veriut, mbetej te çlirohej qyteti i Shkodrës dhe qarku i tij. Shkodra u çlirua më 29 nëntor të vitit 1944, datë kjo e cila shënon ditën e çlirimi të Shqipërisë. Shqipëria është vendi i parë në Ballkan që u çliruan me forcat e veta, ndërsa të gjitha shtetet e tjera të Ballkanit u çliruan me ndihmën e Armatës së Kuqe.