Ish-funksionari i Lartë i Partisë së Punës, Muharrem Xhafa i është përgjigjur “flakë për flakë” ish-kryeministrit Sali Berisha, pasi ky i fundit ka provokuar sërish në Ditën e Çlirimit. Ashtu si çdo vit, edhe këtë 29 Nëntor, ai ka publikuar një status në rrjetet sociale, ku sulmon luftën partizane. Por në lidhje me këto akuza ka reaguar ashpër edhe zoti Xhafa, i cili gjatë një interviste për gazetën “SOT”, diskrediton Sali Berishën, duke e nxjerrë zbuluar dhe madje treguar arsyet se përse ai nuk njeh 29 Nëntorin e LANÇ. Sipas tij, Berisha është një politikan hipokrit.
-Zoti Xhafa, Sali Berisha provokoi për 29-Nëntorin; luftën partizane e cilësoi vëllavrasëse; ndërsa hodhi akuza për partizanët, të cilët, sipas tij, kanë bërë gjenocid e krime. Si ju duket kjo deklaratë e fortë dhe a kanë kryer partizanët luftë “vëllavrasëse”?
Kjo pyetje juaja del pak jashtë temës së ateizmit që kam trajtuar për gazetën “Sot”, por shoh se bëhet me shumë mençuri, ndaj po jap një përgjigje : Ky qëndrim i Berishës është i vjetër. Dhe deklarata e tij bie erë vjetërsirë, është kopje e keqe dhe e dalë boje e deklaratave të mëparshme të tij, që ka për qëllim të justifikojë qëndrimin e tij të mëparshëm, absurd, kur ishte në pushtet! Berisha, kur pushteti popullor ishte në fuqi, të “vriste” nëse shaje LANÇ-in dhe 29 nëntorin! Po tani? Tani “dallëndyshe, ktheje ndryshe”! LANÇ-in, gjatë viteve të saj, e kanë luftuar dhe e kanë sharë organizatat balliste e zogiste, të cilat bashkëpunuan me pushtuesit nazifashistë. Pas 29 nëntorit 1944, dmth gjatë viteve të ndërtimit socialist, LANÇ-in me zemër sërish e shanin mbeturinat balliste e zogiste, tjetër që ato në dukje nxitonin të votonin të parët për pushtetin popullor. Si duket, Saliu, gjatë viteve të ndërtimit socialist, pra pas 29 nëntorit 1944, ka qenë në shërbim të atyre organizatave që e kishin luftuar LANÇ-in, duke harruar që i kishte “anatemuar” sa e sa herë me shkrimet e tij! Hapur kundër LANÇ-it, Berisha doli më 1990-91, kur dolën hapur ballisto-zogistët dhe kur Sala hypi në pushtet si President, të cilët e kishin edhe mbrojtjen e tij. LANÇ-i ka qenë luftë çlirimtare kundër pushtuesve të huaj, jo luftë vëllavrasëse! Të tillë, “vëllavrasëse”, e kanë quajtur partitë dhe organizatat balliste e zogiste, të arratisurit dhe ata që vepronin fshehur si bashkëpunëtorë me nazifashizmin, po që, duke pasur pushtetin me President e Kryeministër Saliun, u bënë “trima”! Më vonë, por jo gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore, kanë folur për luftë “vëllavrasëse” edhe titistët me reaksionin tjetër botëror! Po LANÇ-in nuk e kanë quajtur luftë “vëllavrasëse” as vetë pushtuesit italo-gjermanë, as aleatët amerikanë, as aleatët anglezë, as të tjerë! Organizuar në 24 brigada sulmuese, partizanët shqiptarë luftuan dhe çliruan Shqipërinë dhe nuk kanë kryer asnjë gjenocid e krim. Po të kishin bërë gjenocid e krime, Shqipëria do të ishte përmendur me emër nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës, për më tepër që njihej botërisht vend socialist! Që partizanët kanë kryer krime, thoshin ballistët e zogistët, ata që bashkëpunuan dhe humbën luftën bashkë me pushtuesit, e thonë edhe sot partitë balliste e zogiste, e thonë edhe sot ata që kanë bashkëpunuar me pushtuesit nazifashistë, e thonë edhe sot ata që kanë vazhduar të jenë në shërbim të tyre e të agjenturave të tjera të huaja antishqiptare; e thonë edhe “horra” të tjerë! Po LANÇ-i do të ndrisë e do të rrojë sa të jetë populli shqiptar!
– Sali Berisha a është agjent i ish Sigurimit të Shtetit dhe i agjenturave të huaja?
Jam shprehur qartë në gazetën “Sot” se unë nuk jam marrë me ish Sigurimin e Shtetit, as me dosjet e agjentëve të tij, as me agjenturat e huaja e me dosjet e agjentëve të tyre. Por, aq sa kam lexuar në shtyp e në gazetën tuaj, Sali Berisha del të ketë qenë agjent e super agjent i agjenturave të huaja. Por kjo mbetet për t’u provuar nga organet kompetente! Heshtja e Saliut më bën të dyshoj, sepse ata që kanë folur e shkruar në shtyp për të nuk janë njerëz dosido! Me siguri unë e të tjerë kemi thënë se Sali Berisha me të tijtë është shpallur “non grata” nga SHBA-të! Po, themi se shteti borgjez shqiptar ka qëndruar deri më sot indiferent ndaj këtij vendimi! Po, me siguri themi se, po të kishte qenë një tjetër njeri nga populli, do të ishte arrestuar dhe do të ndodhej në burg! Pse gjithë kjo tolerancë për Saliun? Ku fle lepuri?
– Sali Berisha duket i vetëm në betejën e tij kundër 29 nëntorit, e cila për shqiptarët është një ditë e shenjtë, dita kur vendi është çliruar nga okupatori nazi-fashist. Edhe ambasada e SHBA ka uruar për 29 nëntorin, ditën e Çlirimit, ka vlerësuar luftën partizane dhe rreshtimin e Shqipërisë krah aleatëve. Pse Berisha ka ketë urrejtje për LANÇ?
Sali Berisha nuk është vetëm në betejën e tij kundër 29 nëntorit! Ai ka edhe të tjerë si vetja! 29 nëntorin, si ai edhe ata nuk e njohin si Dita e Çlirimit të Shqipërisë jo se nuk e dinë të vërtetën e LANÇ-it, po sepse ashtu i kanë urdhëruar të thonë padronët e tyre! Unë jam kundër rendit shoqëror borgjez, si pasojë jam edhe kundër Edi Ramës e regjimit të tij, por nuk jam kundër njohjes prej tij të 29 nëntorit Ditë e Çlirimit të Shqipërisë. Po kështu nuk jam dakord as kur bëhet fajtor Kryeministri i vendit pse ndodh një aksident rrugor, pse dikush vjedh etj. Kjo nuk ndodh në asnjë vend të botës! Ju thatë se ambasada e SHBA-ve në Shqipëri nuk është kundër 29 nëntorit, se ajo ka uruar për 29 nëntorin Ditë e Çlirimit të Shqipërisë dhe ka vlerësuar luftën partizane të shqiptarëve e rreshtimi e Shqipërisë në krah të aleatëve! Unë mendoj se kështu do të vepronte jo vetëm ambasadorja aktuale e SHBA-ve në Shqipëri, Yuri Kim, por çdo ambasador tjetër i SHBA-ve, sepse SHBA-të kanë qenë një ndër aleatët e mëdhenj të fitores së Luftës së Dytë Botërore! Ndaj ambasada amerikane ka bërë mirë që është prononcuar, duke thënë një të vërtetë të njohur botërisht. Amerikanët e të tjerë e kujtojnë çdo vit fitoren e Luftës së Dytë Botërore mbi ushtritë e Hitlerit! I kujtojnë çdo vit dhe gjithnjë të rënët e tyre në këtë Luftë! Me siguri, kjo i ka djegur Berishës e ballisto-zogistëve! Berisha me shokë e urrejnë LANÇ-in, siç thashë, jo sepse nuk e njohin të vërtetë e saj, po sepse LANÇ-in e urrejnë padronët e tij serbë, grekë etj., etj. Po të kishte patur arsye tjetër, Berisha ka pasur plot kohë të thoshte, të paktën nga 1970-a deri më 1990-n! Një injorant mund të mos e pëlqejë X-in apo Y-in, po të vërtetën për të duhet ta vlerësojë dhe ta thotë! Po Berisha që nuk është injorant?! Që në vitin 1942 “jehona e luftës çlirimtare të popullit shqiptar i kaloi kufijtë e tokës arbërore”!
– PD-ja, pse nuk e njeh 29 nëntorin, sipas jush?
Së pari, 29 nëntori është festë zyrtare, është ditë kombëtare pushimi, është ngjarje e madhe kushtetuese, e përcaktuar në Kushtetutën e vendit! Je ose jo ti dakord, kjo nuk ka rëndësi, ti je i detyruar të zbatosh Kushtetutën! Më e pakta, duhet të heshtësh! Së dyti, çfarë thashë më lart për Sali Berishën janë edhe për PD-në! Por këtu dua të shtoj: Cilën arritje të LANÇ-it e të rendit socialist kanë njohur PD-ja e Sali Berisha, që të njohin 29 nëntorin? Ndonëse ka në përbërje të PD njerëz që me zemër e njohin 29 nëntori, kush ka kush guxim nga anëtarësi e PD-së të veprojë kundër vullnetit të Berishës? Sali Berisha nuk është i vetmi ish-komunist i PD-së antikomunist! Në radhët e saj ka edhe të tjerë, ka bij e bija, nipa e mbesa ish-komunistësh dhe ish-kuadrosh të socializmit!
-Po ballistët dhe zogistët a kanë dhënë kontribut në çlirimin e vendit?
Për shkak të moshës, unë nuk kam marrë pjesë në radhët e ushtrisë partizane, që të flas me emra konkretë. Por në një shkrim të mëparshëm kam thënë se bijë ballistësh e zogistësh, të cilët kanë pasur mosmarrëveshje me familjet e veta për çështjen e qëndrimit ndaj pushtuesve të huaj, ndaj Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar, ndaj LANÇ-it etj, kanë marrë pjesë në radhët e ushtrisë partizane shqiptare dhe që prej tyre ka pasur që kanë dhënë edhe jetën për çlirimin e Shqipërisë! Po unë e quaj kontributin e veprimtarinë e tyre vlerë të LANÇ-it, jo të ballistëve, sepse ata ishin partizanë, jo ballistë, nuk ishin përfaqësues të ballistëve. Se, me gjithë kërkesat e vazhdueshme të PKSH-së e të organeve të Luftës bërë ballistëve e zogistëve për t’iu bashkuar luftës partizane kundër pushtuesve të huaj, ata (ballistët e zogistët) bënë të kundërtën, iu bashkuan pushtuesit, ndihmuan pushtuesit, i vunë pushkën partizanëve, LANÇ-it, popullit! Ndaj them se bashkëpunëtorët e fashizmit nuk mund të quhen njerëz që i kanë kontribuar LANÇ-it, çlirimit të vendit!
– A do të zhvillohet protesta e PD-së para Kryeministrisë, më 6 dhjetor, siç ka deklaruar Berisha?
Unë them se nuk do të zhvillohet! Saliu mund të ketë dëshirë të futet brenda Kryeministrisë, më 6 dhjetor 2022, por Kushtetuta që ai ka votuar nuk e lejon! Pavarësisht presionit të Berishës dhe mbështetjes se Partisë së Lirisë apo të Metës, Sali Berisha nuk e ka problem të tërhiqet, por fajin do t’ua hedhë të tjerëve! Nejse, kjo është temë për një intervistë më vehte! Një shprehje dua të shtoj : “Ky stan (shtet), këtë bylmet ka”, mos prit tjetër!