Ish-deputeti i Partisë Demokratike Myslim Murrizi ka folur për situatën politike në vend, duke nisur nga deklaratat e ish-presidentit Ilir Meta se do bëhet kryeministër, deri te bashkimi i Gazment Bardhit dhe Sali Berishës. Në një intervistë për gazetën “SOT”, Z.Murrizi thotë se Ilir Meta sheh ëndrra. Ai thotë se Ilir Meta është i vetmi politikan që ka kaluar të gjitha shkallët që mund të aspirojë çdo politikan në karrierën e tij politike, nga ministër në zv.kryeministër në kryeministër, kryetar kuvendi, president dhe përballja e tij tashmë është me drejtësinë. Nga ana tjetër Murrizi shprehet se mes Gazment Bardhit dhe Sali Berishës nuk ka një bashkim. Sipas tij, Gazment Bardhin nuk e sheh të sinqertë në ardhjen te Rithemelimi, pasi ka ardhur pa votë. Ai thotë se ka një hile që nuk është përfshirë Sali Berisha në Grupin Parlamentar. Në fund ish-deputeti demokrat ka treguar dhe “recetën” si rrëzohet kryeministri Rama nga pushteti.
-Si e shikon protagonizmin e Ilir Metes pasi thotë se do bëhem kryeministër dhe kreu i opozitës?
Ilir Meta nuk e di për cilën opozitë e ka fjalën, sa për kryeministër Ilir Meta e ka pasur mundësinë të shprehet në ekran. Kryeministrat e këtij vendi në këto 24 vjet kanë hyrë pa brekë e kanatjere e tani janë me miliona euro, nuk shoh ndonjë çudi. Veprimet e Metës nuk më rezultojnë në aspiratat e tija për t’u bërë kryeministër. Ëndërr e Metës siç thotë Nastradini, herë dalin e herë s’dalin. Deklaratat e ditëve të fundit të Metës janë një betejë, nuk e di pse, sepse unë nuk kam informacion zyrtar se në Prokurorinë e Tiranës apo dhe në SPAK do të ketë çështje konkrete penale të regjistruara për qytetarin Ilir Meta. Nëse do të ketë, çështjen në hetim do ta ketë prokurori Altin Dumani dhe nuk e shoh një betejë për parime kur merresh më një prokuror që ka çështjen tënde personale. Në karrierën e tij në politikë 32-vjeçare, Ilir Meta është i vetmi politikan që ka kaluar të gjitha shkallët që mund të aspirojë çdo politikan në karrierën e tij politike, nga ministër në zv. Kryeministër në kryeministër, kryetar kuvendi, president.
-Si e shihni bashkimin e Bardhit me Berishën në një kohë se çfarë nuk i thanë njëri-tjetrit?
Mua nuk më rezulton se janë të bashkuar. Edhe në Këshillin Kombëtar kur Sali Berisha nuk ishte i pranishëm kam kërkuar në prezencë të Gazmend Bardhit, Flamur Nokës, Agron Gjekmarkajt, që minimalisht duhet të më mbushnin mendjen nëse deklaratat i kanë pasur për t’u tallur apo janë serioze akuzat që keni bërë me njëri-tjetrin. Gazment Bardhin nuk e shoh të sinqertë ardhjen te Rithemelimi, ka ardhur pa votë. E shoh një hile që nuk është përfshirë Sali Berisha në Grupin Parlamentar. Ka qenë këmbëngulja ime pasi kisha informacion nga Kuvendi që për 1 muaj që këto thonin është kryetar grupi, por nuk kishte deklaruar grupin. Edhe deklarimin i grupit është bërë në mënyrë hipokrite dhe jo me emra. I është dërguar një shkresë informuese zonjës Nikolla, si gjys spiun e patronazhistë. Në dijeninë time zyrtarisht Berisha nuk figuron si deputet në faqen e Kuvendit te Grupi Parlamentar i opozitës.
-Si rrëzohet Rama nga pushteti?
Opozita duhet të jetë korrekte me qytetarët që nuk duan qeverinë Rama. Nëse opozita nuk është reale, nuk përbën kaos. Opozita është në limit të kohës së saj për të parë në sy veten e saj, duhet të thotë a i qëndron pazarit të prillit të 2008-ës të bërë nga Berisha dhe Ramën apo jo, a është për një sistem zgjedhor me lista 100% të hapura dhe që të ketë vota për mandat tjetër të barasvlershme. Nëse fshihet pas gishtit se për hatër të një grushti butakësh që lëpihen dhe ulen sa në një prehër në tjetrin për një mandat të qelbur në karrige për zgjedhjet e 2025-ës dhe nuk artikulon kauza konkrete që i hyjnë në punë dhe atyre që kanë votuar qeverinë Rama por e shohin se janë të vjedhur nga qeveria Rama, që janë të zhgënjyer dhe të mashtruar, unë besoj te rokata politike të pushteteve tek vota. Nëse këto mendojnë se do ta bëjnë SPAK-un dhe flejnë gjumë, do të doja të ishin më aktiv me strukturat. Unë kam thënë që në si opozitë nuk i kemi 5200 organizata partie, sepse falën pushtet lokal dhe na ka kushtuar jo pak. Duhet të jemi të besueshëm, dhe vetëm rikthimi i garës, që është ‘vrarë’ që nga prilli i 2008-ës mund të risjellë një frymë optimiste te çdo opozitar. Sot PD nuk është parti rreshti, ne nuk mblidhemi rresht rreth parisë. Ky sistem që thjesht votohet për partinë dhe nuk zgjidhet përfaqësuesi i qytetarëve nuk motivon njerëz, nuk mund ta mundim dot Rilindjen me 200 mijë patronazhisët në administratë, me pensionistët nostalgjik enverist, me paratë e pista të trafikantëve dhe lulzimin e ndërtimeve me çmime më të shtrenjta se në New York dhe në Firence, nuk mund ta mundim më këtë sistem zgjedhor për hatër të disa njerëzve që kanë qejf të jenë të sigurtë në lista me sistem të mbyllur. Sepse në sistemin e mbyllur, çdo qark luftohet për 1-2 mandate. Vetëm me lista të hapura mundet Rama. Në një listë të hapur 140 kandidatë ku secili të jetë në garë brenda vetes, secili ka integritetin dhe personalitetin e tij dhe kërkon vota për veten e tij që indirekt kërkon për opozitën dhe të gjitha partitë opozitare ta bëjnë të tillë garën, me 1400-1500 veta mendoj që e mundin frikën që kjo qeveri nuk rrëzohet dhe që në çdo prag zgjedhjesh shtojnë vende pune. Në këtë lloj status quo-je dhe nëse këto nuk bëjnë betejë reale për të prishur kalbëzimin e sistemit të 2008-ës, e shoh shumë të vakët situatën që opozita ta përmbys këtë bandë që është në pushtet. Ministrat e Rilindjes prej 6 muajsh hyjnë e dalin më shpesh në SPAK se në shtëpitë e tyre. Do të doja që të gjithë ish-kryeministrat, drejtorët e drejtorive që në këto 32 vite kanë pasur akses në pasuritë publike, t’ju hetohet pasuria. Gjysma e grupit parlamentar të sotëm të PS dhe gjysma kur isha unë në politikë, kanë vila në Lalz, kanë shtëpia te rezidenca e Genta Sulës dhe kjo është arsyeja pse i mori në 96 vota me një mandat të dytë. T’ju hetohet dhe sekuestrohet pasuria pasi dhe nëse hyjnë në burg kanë një kosto totale prej 280 euro në ditë.
Intervistoi: Xhoi Vraniçi