Përfundimi i zgjedhjeve lokale të 14 majit, mbyllja e sezonit parlamentare dhe rreziku që u kanoset disa ministrave nga drejtësia, për shkak se disa prej tyre janë me minimumi dy dosje në SPAK, duket se do t’i hapë rrugë ndryshimeve në qeveri. Kjo fundit nuk ka ndryshuar dhe vijon të jetë e njëjtë qysh prej shtatorit të vitit 2021, por kur kanë kaluar afro 2 vjet, nevoja për riformatim sa vjen dhe shtohet. Gazeta “SOT” ka mësuar se titullarët e 6 ministrive pritet të largohen, për t’iu lanë rrugën emrave të rinj. Më konkretisht bëhet fjalë për ministrat Blendi Çuçi, Olta Xhaçka, Ogerta Manstirliu, Frida Krifca, Delina Ibrahimaj dhe Belinda Balluku, të cilët pritet të largohen nga këto poste në ditët në vijim.
Çfarë po ndodh në prapaskenë?
Ndryshime tek “Shëndetësia”, “Bujqësia” dhe “Financat”
Më konkretisht, burime thonë se largimi i zonjës Krifca është i detyruar, për shkak se ajo ka dështuar me bujqësinë dhe për arsye se po hetohet nga SPAK sa i takon batërdisë që ka bërë më fondet e akorduar nga Bashkimi Evropian për fermerët shqiptarë. Në këto kushtet kur Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural e drejtuar nga Frida Krifca do të mbahet mend vetëm për ngritjen e “Akademisë së Çobenjëve” dhe digjitalizimit të fermerëve, ka dështuar, në lojë ka hyrë ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, të cilës mund t’i besohet “Bujqësia”. Zonja Spiropali është një zë i fuqishëm në qeveri dhe Partinë Socialiste, por fakti që Bashkia Shkodër pas 30 vitesh u mor nga socialistët, ku ajo është e deleguar e PS, ka bërë që ajo të shtojë ambicien e saj dhe në korridoret e selisë rozë flitet se asaj mund t’i besohet se Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. Ndërkohë edhe titullari i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, pritet të ndryshojë. Ogerta Manastirliu prej vitesh ka qenë në qendër të sulmeve të opozitës dhe sikur të mos mjaftonte kjo, institucioni që ajo drejton ka shumë llogari të hapura me drejtësinë, për shkak të abuzimeve eh koncesioneve korruptive. Kështu që përballë kësaj situate tragjike, mësohet se kryeministri Edi Rama po mendon të emërojë zonjën Milva Ekonomi në krye të Ministrisë së Shëndetësisë. Kjo e undit e njeh fushën e shëndetësisë dhe shefi i qeverisë pritet të emërojë atë, gjithmonë sipas burimeve në PS, në krye të “Shëndetësisë. Ekonomi aktualisht është ministre e Shtetit për Standardet e Shërbimeve, por Rama po mendon ta çojë tek Ministria e Shëndetësisë për të minimizuar abuzimet atje dhe për të rregulluar imazhin e këtij dikasteri që është sot një ndër institucionet më të korruptuara, damkë kjo, që i është vendosur nga dy “dështakët” Ogerta Manistriliu dhe ish-ministri Ilir Beqja. Ndërkaq një tjetër emër që rrezikon largimin është ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Delina Ibrahimaj. Shteti ndodhet në kolaps dhe duhet me patjetër dikush që të ngrejë ekonominë. Dhe mesa duket zonja Ibrahimaj, e cila nuk është as deputet dhe është katapultuar pa të drejtë në krye të kupolës së Partisë Socialiste dhe qeverisë, pritet të largohet.
Gati largimi i Xhaçkës, Çuçit dhe Ballukut
Por fatin e zonjave, Ibrahimaj, Krifca dhe Manastirliut pritet se u është rezervuara nga kryeministri Edi Rama edhe tre anëtarëve të tjerë të kabinetit të tij qeveritar. Bëhet fjalë për ministrat Blendi Çuçi, Olta Xhaçka dje Belinda Balluku. Kjo e fundit është ministrja më e akuzuar nga opozita për korrupsion dhe që ka dosje në SPAK, kështu që Rama po mendon ta zëvendësojë, duke e ndryshuar “kokë më kokë me Çuçin. Pra zonja balluku të emërohet ministre Brendshme, post përmes së cilës ajo do të synonte edhe të sfidonte Erion Veliajn për drejtimin e PS. Ndërkohë që zotit Çuçi mund t’i besohet posti i zv/kryeministrit, duke qenë se është një politikan pa probleme. Nga ana tjetër, ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka, pritet të shkarkohet, për shkak të telasheve që i ka hapur qeverisë me konfliktin e interesit që ka prodhuar me bashkëshortin e saj, arsye kjo që ka detyruar opozitën të kërkojë madje edhe heqjen e mandatit të saj si deputete. Nga ana tjetër, mësohet se pritet të rikthehet në qeveri, sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, të cilit mund t’i besohet Ministria e Jashtme. Si Balluku, ashtu edhe Gjiknuri shihen si “armiq” apo rivalë të Erion Veliajt si pasardhës të Edi Ramës në krye të selisë rozë, kështu që me mbajtjen e tyre në qeveri, “lufta” dhe intrigat brenda llojit pritet të shkojnë në një tjetër stad. Ndërkaq, mësohet se edhe drejtuesit të PS për Qarkun e Durrësit, Ardian Çelës mund t’i besohet drejtimi i një ministrie. Mësohet se duke qenë se zoti Çela korri një rezultat të mirë në Durrës në zgjedhjet e 14 majit, i cili është Qarku i dytë më i madh në vend pas Tiranës, atij mund t’i besohet Ministria e Transporteve dhe Energjisë. Çela prej kohësh ka sherr me Ballukun, por fakti që ai është i suksesshëm, mund të bëjë që ky dikaster të lulëzojë, duke qenë se në drejtimin e ministres aktuale sektori i energjisë dhe transporteve ka dështuar. Po ashtu, pritet të rikthehet në kabinetin qeveritar edhe Blendi Klosi, i cili aktualisht është drejtues politik i Partisë Socialiste në Qarkun e Vlorës. Megjithatë, mbetët të shihet në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë, për shkak se kryeministri Rama është njeri i surprizave dhe pritet gjithçka nga ai, por edhe për shkak se SPAK ka në shënjestër disa nga emrat e sipërpërmendur, për të cilët tringëllojnë prangat në horizont.