Ish-Sekretari për Marrëdhëniet me Publikun në grupimin e Lulzim Bashës, Edvin Kulluri, tha në një intervistë televizive, se grupimi Basha duhet të krijojë një parti të re politike.
Kulluri theksoi se duhet një model kolegjial dhe reflektim nga lidershipi çfarë është bërë mirë dhe jo.
Ai shtoi se lidershipi ka qenë deficitar në betejën me Berishën, që sipas tij s’është bërë siç duhet.
“Z.Basha është në inecerinë e para vendimit të gjykatës. Është humbur gjyqi në Gjykatën e Apelit dhe jemi përballë këtij fakti. Nga dita që është marrë ky vendim, s’ka një më një parti politike të regjistruar në gjykatë, të gjitha organet, unë, jam ish, degët s’kanë më funksion formal. Ka një të vërtetë të madhe që janë 104 mijë vota dhe mbi 100 e ca mijë vota elektorat i djathtë që s’voton më. Ka një pjesë që rri te Berisha dhe kulti i individit, është punë e tyre. Këtu ngelet një rrugë, duhet krijuar një parti politike, që do krijohet patjetër, që të ruajë këto principe që na kanë mbajtur bashkë, një program dhe një identitet të saktë. Modaliteti duhet diskutuar, sepse është një gjë e re, ‘ex novo’. Mund të zgjidhet e njëjta Kryesi, i njëjti kryetar, ndodh, mund të kemi ndryshime. Unë mendoj që beteja në 3 vjet ka qenë kaotike. Ky gjyq në kohë do zgjasë shumë. Tani është më i përcaktuar vendimi i gjykatës dhe ka ndjekur një rrugëtim ligjor dhe logjik. Ky rekurs nuk zgjidh problemin para zgjedhjeve të ardhshme. Nëse unë them që na duhet model kolegjial, duhet të ketë reflektim nga lidershipi çfarë është bërë mirë dhe jo. Programi është i mirë. Çështja e listave të hapura, vota e emigrantëve, kjo betejë është bërë e saktë dhe Basha ka meritën si kryetar. Por nëse opinioni publik e ka shprehur qartë, që beteja me Berishën s’është bërë siç duhet. Këtu kemi qenë deficitar në nivel lidershipi”.
Kulluri tha se është për një parti që nuk drejtohet më vetëm nga një kryetar.
“Për mendimin tim, duke parë eksperiencën 3-vjeçare, unë s’jam më për një parti që drejtohet nga një kryetar. Si ky grupim njerëzish do shkojë drejt një koalicioni që thithin parti të tjera, Shabanin, Lapajn. Në zgjedhje shkohet me parti politike, jo me padi në gjykata”.