Pas atij që heton kontratat koncensionare në Shëndetësi, në Kuvend nisi dje punën edhe komisioni që do të hetojë rrjedhjen e të dhënave nga sistemi “TIMS”. Veç planit të punës mbi të cilin do të veprojë ky komision, Ervin Salianji në cilësinë e kryetarit bëri publike edhe listën e dëshmitarëve që kërkon opozita, duke nisur nga kryeministri Edi Rama e deri tek drejtues e ish-drejtues të policisë, SHISH, AMP e institucioneve të tjera ligjzbatuese në vend. I bindur se një pjesë e tyre janë përfshirë në ngjarje kriminale, Salianji premtoi se puna e komisionit dhe nxjerrë të dhëna të rëndësishme për publikun dhe prokurorinë. “Të gjithë personat thirrur janë persona që kanë lidhje me ngjarjet. Nuk e di pse përmendja e emrave ju shqetësoi, secili prej tyre do të përgjigjet për shqetësimet që ne kemi. Përgjegjësitë e kësaj situata nuk do shpëtojnë, kanë bërë një ndërhyrje që i shërben grupeve kriminale. Këtu do jemi dhe do ti dëgjoni si janë të përfshirë. Do të shikoni, nuk dua të them spektakël, sepse është spektakël i zi në fakt”, deklaroi dje Salianji. Ndër të tjera në fjalën e tij, kryetari i komisionit hetimor Ervin Salianji parashtroi edhe planin paraprak të hetimit për komisionin TIMS. “Do hetohet sistemi për patronazhistët e Partisë Socialiste. Dolën të dhënat e mbi 900 mijë qytetarëve të Tiranës. Do hetohen listat e pagave për më shumë se 600 mijë qytetarë. Dolën të dhënat e automjeteve dhe bankave. U ndërhy në TIMS, tërhoqi dhe vëmendjen e ambasadës së SHBA. Hetimi do të përqendrohet nëse pasur shkelje të kuadrit ligjor për mbrojtjen dhe sigurinë e sistemit TIMS. Si i kanë kryer këto organe funksionet, a kanë kryer shkelje, cilat janë këto shkelje. Të garantohet mbrojtja e të dhënave të qytetarëve shqiptarë dhe të huaj. Komisioni miraton planin e hetimeve, thërret dëshmitarë për të sqaruar rrethanat. Do kërkohet informacione dhe dokumente nga kryeministri, ministria e Brendshme, SHISH, SPAK, dhe trupat diplomatike. Çdo informacion tjetër të nevojshme për përmbushjen e punës së këtij komisioni. Përfundimet e komisionit do të prezantohen me 15 korrik. Do nxjerrim para përgjegjësisë të gjithë shkelësit”, nënvizoi Salianji.
Gjylameti: Meqenëse do thërrisni ish funksionarë, të vijë dhe Basha e Berisha
Ndërsa socialistët nga ana tjetër e pasuruan listën me emra të tjerë, po aq të rëndësishëm, politikanë që akuzat e bëra me deklarata në media do t’i duhet t’i sqarojnë edhe para komisionit. Deputetja e Partisë Socialiste, Blerina Gjylameti në Komisionin hetimor për sistemin TIMS tha dje se meqenëse do të thirren ish-funksionare, duhet të vijë edhe Lulzim Basha dhe Sali Berisha. “Unë kuptoj sa herë që ngrihet një komision hetimor ju shërben si mënyrë për tu kapur tek arsyeja se pse humbët. Unë them tani meqë e kemi në mbledhjen e parë. Unë mendova se Luani do merrej me mua dhe jo ju të tjerët. A do mundemi të jemi strikt tek ajo që ligji na ka ngarkuara a do merremi me komisionin hetimor që ju keni kërkuar me sistemin TIMS që do të thotë me të dhënat e qytetarëve në dalje dhe hyrje nga kufiri shqiptar. Tani çlidhje ka ptronazhimi me kufirin e Shqipërisë unë nuk e di. Çfarë lidhje ka TIMS me patronazhimin dhe mënyrën si funksionoi PS. Patronazhimi është një koncept që ka dalë nga vendi i zhvillimit më të lartë të demokracisë që janë SHBA. Mënyra e funksionimit që ne kemi është një mënyrë funksionimi që ne kemi andej. Duhet të qëndrojmë në respekt të objektit të këtij komisioni hetimor. Dëgjova që donit të thërrisni dhe ish drejtues të policisë së Shtetit ndër vite. Unë mendoj se duhet të thërrasim edhe Berishën si ish-kryeministër dhe z. Lulzim Basha ish-ministër i Brendshëm dhe çkanë qenë të gjithë ish-drejtorët e policisë së shtetit. Të hyjmë që nga fillimi e këtej. Që nga dita kur e kanë ngritur amerikane. Si ka funksionuar dhe ku ka çeduar funksionimi”, deklaroi Gjylameti. Për hetimin parlamentar do të kërkohen dokumente dhe informacione shtesë nga një sërë institucionesh shtetërore si kryeministria, ministria e Brendshme, Shërbimi Informativ Shtetëror, SPAK dhe Trupa Diplomatike e akredituar në Shqipëri.
Salianji përplaset me Gogun: E keni qeverisjen si fytyra e “Shrekut”
Por gjatë mbledhjes së komisionit hetimor parlamentar për ndërhyrjen në sistemin TIMS, pati edhe një përplasje mes deputetëve Ervin Salianji dhe Toni Gogu. Deputeti i PS-së, akuzoi Rithemelimin për qëndrimin e mbajtur ndaj SPAK-ut duke u shprehur se në mëngjes e mburrin punën e Prokurorisë së Posaçme ndërsa në darkë ndryshonin mendim poshtë ballkonit ku Sali Berisha mbante fjalimet e tij. “Ne nuk sillemi si Fiona te Shreku që një mëngjes të themi shiko sa mirë SPAK-u dhe në mbrëmje, në rrugicë të shpërfytyruar, të thoni ja SPAK-u i partisë. Nga agimi në muzg mburret SPAK-u dhe nga muzgu në agim mallkohet SPAK-u”, u shpreh Gogu. Ndërkohë përgjigjen e mori nga deputeti i Rithemelimit Ervin Salianjin, i cili e krahasoi qeverisjen e socialistëve me personazhin vizatimor të Shrekut dhe zemrën e princit, po te ky film vizatimor. “Ju qeverisjen e keni si fytyra e Shrekut. Aq të zezë e keni qeverisjen dhe mirë që e përmende. Është kryeministri I kësaj republike që urdhëron administratën në këtë vend që kur nuk e kanë një favor të mos zbatojnë ligjin. Keni parë një thirrje të tillë ju në çdo vendi demokratë në botë? Ju jeni parti që bëni sikur jeni në amnezi. A ka përgjegjësi kryeministri për të gjithë këto afera që janë kapur apo jo?”, deklaroi ndër të tjera Salianji.
Salianji debaton me Qefalinë
Po ashtu, gjatë mbledhjes së komisionit ka pasur një përplasje ndërmjet kryetarit të komisionit Ervin Salianjit dhe deputetit të PS-së Xhemal Qefalia. “Kryetar mos u përfshini politikisht. Kjo marrëveshje mes PS dhe PD-së keni qenë kundër dhe keni thënë se çfarë janë këto dy komisione… ju sfidoj a keni seriozisht këtë punë?”, deklaroi Qefalia. Salianji, tha se është bërë një ndërhyrje në sistem që i shërben grupeve kriminale. Duke ju përgjigjur Qefalisë, ai tha se dëshmitarët do t’i gjejnë dhe ata nuk do t’i shpëtojnë dot përgjegjësisë. “Kjo nuk ka asnjë lidhje me rritjen çmimit të sheqerit. Të gjithë personat thirrur janë persona që kanë lidhje me ngjarjet. Nuk e di pse përmendja e emrave ju shqetësoi, secili prej tyre do të përgjigjet për shqetësimet që ne kemi. Një gjë ju them për aq sa do lejohemi, por edhe nëse nuk lejohemi ne do ti gjejmë ata do ti kapim ata para publikut dhe do ti çojmë aty ku e kanë vendin për aq sa na takon ne. Përgjegjësitë e kësaj situata nuk do shpëtojnë, kanë bërë një ndërhyrje që i shërben grupeve kriminale. Këtu do jemi dhe do ti dëgjoni si janë të përfshirë. Do të shikoni, nuk dua të them spektakël, sepse është spektakël i zi në fakt, është një ngjarje e keqe për Shqipërinë, por do shikoni përfshirjen deri në çfarë niveli ka ndodhur në këtë vend”, nënvizoi Salianji.
Lista e dëshmitarëve të lexuar nga Salianji që do të thirren për të dëshmuar
1. Edi Rama- Kryeministër
2. Taulant Balla- Ministër i Brendshëm
3. Muhamet Rrumbullaku- drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit
4. Florian Sulejamani- Kreu i AMP
5. Bledi Çuçi- në cilësinë e ish-ministrit të Brendshëm
6. Gledis Nano – në cilësinë e ish-drejtorit të Policisë së Shtetit
7. Ardi Veliu – në cilësinë e ish-kreut të AMP
8. Zef Laska- Drejtor i Burimeve Njerëzore ne Policinë e Shtetit
9. Neritan Nallbati- Drejtorit të Departamentit për Policinë Kriminale në Policinë e Shtetit
10. Dorian Tola- Drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar
11. Ervin Muça- Drejtuesi i Departamentit të IT-së në Policinë e Shtetit
12. Ervina Gjana- Drejtore e Krimit Kibernetik
13. Besjan Tanuzi- Ish-drejtor i sistemeve në Policinë e Shtetit
14. Enri Ndoni- Drejtor i sistemeve në Policinë e Shtetit
15. Ardit Muça- Shef i sektorit të Departamentit të IT në Policinë e Shtetit
16. Elona Gogo- Ish-drejtore në Drejtorinë e Programimit dhe Bazave të Dhënave, në Departamentin e IT të Policisë së Shtetit
17. Eraldin Ndreca
18. Enkli Hoxha
19. Ergis Hidri
20. Lubica Dervishaj
21. Xhuljeta Çollaku
22. Albana Vrapi
23. Arben Babaj
24. Elvis Hysi
25. Ermal Beqiri nga kompania Soft
26. Nevila Xoxa
27. Administratorë të kompanisë ‘Horizont’
Propozime nga PS
1. Sali Berisha- ish kryeministër
2. Lulzim Basha- ish-ministër i Brendshëm
3. Pyetja e dëshmitarëve do të bëhet brenda datës 5 qershor 2024. Propozimet e Komisionit do të prezantohen më 15 korrik.
Perberja e komisionit hetimor
1-Ervin Saljanji – kryetar
2-Toni Gogu -Nënkryetar PS
3-Nasip Naço – Anëtar PS
4-Blerina Gjylameti – Anëtar PS
5-Etilda Gjonaj – Anëtar PS
6- Xhemal Qefalia – Anëtar PS
7- Antoneta Dhima – Anëtar PS
8- Bardhyl Kollçaku – Anëtar PS
9- Denis Deliu – Anëtar PS
10- Lindita Metaliaj – Anëtar PD
11- Lefter Gështenja – Anëtar PD
12- Asllan Dogjani – Anëtar PD
13- Ramadan Lika – Anëtar PD
14- Luan Baci – Anëtar PD
15- Elda Hoti – Anëtar PD
Anëtarët Zëvendësues
1- Bledion Nallbati- anëtar zëvendësues PD
2- Isuf Çela – anëtar zëvendësues PD
3- Eduart Ndreca Anëtar zëvendësues PS
4- Laert Duraj Anëtar zëvendësues PS