Partia Demokratike zyrtare ka zbardhur dje disa nga pikat kryesore të programit të saj elektoral, me të cilin do të shkojë të kërkojë votën e qytetarëve sa i takon zgjedhjeve parlamentare të ardhshme. Kryetari i PD, Lulzim Basha, në kuadër të takimeve për finalizimin e programit të Partisë Demokratike, ka zhvilluar diskutime me ekspertë të bujqësisë. Basha shprehet se korrupsioni i përhapur kudo ka prekur edhe bujqësinë. Ai gjithashtu thotë se përmes subvencioneve dhe investimeve në këtë sektor, ne do të bëjmë të mundur që fermerit t’i garantohet që prodhimi t’i shitet me fitim, si kudo në botë. “Me planin e saj PD do t’i japë përparësi bujqësisë. Me grupin e punës për programin e bujqësisë diskutuam detajet e fundit të planit për këtë sektor. Korrupsioni i përhapur kudo ka prekur edhe bujqësinë. Jo vetëm që fondet e qeverisë për bujqësinë ndahen sipas preferencës dhe jo nevojës, por edhe fondet IPARD të BE-së, në vend që të shkojnë për fermerët, kanë shkuar për resorte për qeveritarët dhe klientët e tyre. Ndaj, dhënia fund e pandëshkueshmërisë në çdo nivel të qeverisjes dhe lufta pa kompromis kundër korrupsionit, do të mundësonte që qeveria të kishte fonde të mjaftueshme për të mbështetur sektorin e bujqësisë dhe për të rritur fuqinë blerëse të qytetarëve. Përmes subvencioneve dhe investimeve në këtë sektor, ne do të bëjmë të mundur që fermerit t’i garantohet që prodhimi t’i shitet me fitim, si kudo në botë. Një nga çështjet më të rëndësishme, që ne do të bëjmë gjithçka për t’i dhënë zgjidhje të shpejtë, është edhe çështja e pronës”, shkroi dje Basha në rrjetet sociale.
Korrupsioni
Më tej kryetari i PD, gjatë takimeve për programin, me ekspertë të fushës dhe grupet e punës, ka diskutuar në mbledhjen e radhës projektin e PD për shëndetësinë. Vetë kreu demokrat, në një postim në “Facebook”, ka dhënë disa detaje të këtij programi. “Me ekipin e shëndetësisë diskutuam për planin tonë që do t’u mundësojë qytetarëve shërbim shëndetësor me cilësi dhe shpejtësi. Ndërkohë që miliona euro është fatura korruptive e koncesioneve në shëndetësi, sot shqiptarët shpenzojnë deri në 60% më shumë para nga xhepi për shërbimet e trajtimet mjekësore. Kjo është shifra më e lartë ndër vendet e Ballkanit, çka tregon gjendjen e vështirë në sektorin e shëndetësisë. Po kështu, qytetarët po vuajnë pasojat e medikamenteve jo cilësore ndërsa në listën e barnave të rimbursuara janë futur ato më të lirat, që kanë më pak efekt. Një tjetër problem është mungesa e aparaturave dhe koha e gjatë që u duhet të presin pacientët për ekzaminime. Me paratë që janë abuzuar me koncensione, PPP e tendera, çdo qeveri e përgjegjshme do të kishte ofruar një shërbim cilësor për pacientët aty ku jetojnë dhe do të kishte përmirësuar kushtet e punës dhe ato financiare të stafeve mjekësore. Eksodi i mjekëve nuk ndalet duke i “burgosur” në Shqipëri, por duke u krijuar kushte dhe mundësi për një jetë dinjitoze, për rritje profesionale dhe kushte për të ushtruar profesionin e tyre. Të gjitha problematikat janë adresuar në mënyrë të detajuar, duke ofruar zgjidhjet e nevojshme që kontributet për sigurimin shëndetësor që qytetarët kanë paguar, të mos shkojë dëm dhe ata të kenë shërbim shëndetësor në çdo kohë dhe barna cilësore për trajtimin e sëmundjeve të tyre”, njoftoi Basha në rrjetet sociale dje.
Integrimi
Ndërkohë kryedemokrati Lulzim Basha, trajtoi procesin e integrimit dhe planin e PD për këtë mision të Shqipërisë, gjatë takimit me grupin e punës për programin dhe ekspertë të fushës. “Integrimi europian dhe përballja me sfidat e sigurisë që përballet sot rajoni dhe Europa janë prioritet të programit qeverisës së PD. Me grupin e ekspertëve diskutuam finalizimin e programit tonë. Ne do të kemi një plan të qartë veprimi, koordinimi dhe bashkëpunimi për të përmbushur detyrimet që rrjedhin në rrugën drejt integrimit. Në këto kohë sfiduese për sigurinë, vendi ka nevojë për një strategji të qartë për mbrojtjen, modernizimin e forcave të saj të armatosura dhe bashkërendim me partnerët tanë për arkitekturën tonë të sigurisë, e cila do t’i kontribuojë edhe shqiptarëve e jo vetëm në rajon. Sfidat e sigurisë në rajon duhen adresuar me prioritet përballë kërcënimeve të vazhdueshme që vijnë nga Serbia. Shfaqja e presidentit Vuçiç me simbolin famëkeq të tre gishtave, të përdorur nga ata që shkaktuan krime e genocid në Ballkan, është një sinjal i keq për paqen dhe stabilitetin e rajonit tonë. Projektet e botës serbe të artikuluara nga Vuçiç dhe Dodik synojnë ndarjen e Republika SRPSKA, destabilizimin e Malit të Zi dhe Kosovës, skenar i cili nisi, por dështoi në veriun e Kosovës më 24 shtator 2023. Shqipëria duhet dhe do të luajë një rol më proaktiv në rajon dhe nuk do të ngurrojë në mbështetjen e saj ndaj Kosovës. Atë që kam kërkuar për Kosovën, një financim vjetor në ndihma ushtarake, në vlerën e 50 milionë eurove do ta kemi pjesë të programit tonë. Duhet t’i japim fund traditës së mbështetjes folklorike për Kosovën. Por të bashkërendojmë axhendat dhe faktorët politik shqiptarë në Kosovë, Maqedoni të Veriut dhe në Malin e Zi, për të garantuar paqen dhe stabilitetin e rajonit”, nënvizoi Basha në rrjetet sociale dje.