Ditën e sotme në mediat greke u publikua një artikull, ku sulmohej gjyqtarja Irena Gjoka, e cila është një nga gjyqtaret e çështjes Beleri, me pretendimin se ajo ka qenë e arrestuar dhe dëbuar nga Greqia dhe nuk e ka deklaruar këtë fakt gjatë vettingut.
Artikulli i mediat greke vjen një ditë para procesit ndaj Belerit.
Gazetarja Klodiana Lala, e ftuar në një emision televiziv, tha se gjyqtarët nuk mund të sulmohen dhe intimidohen dhe se ende është e paqartë nëse pretendimet e shtypit grek janë të vërteta.
“Si gazetare kam mbajtur qëndrimin se gjyqtarë dhe prokurorë nuk duhen itimiduar sepse për të pasur vendime të drejta na duhen të pavarur, por në momentin që një gazetë e madhe ka hedhur dyshime të tilla institucionet shqiptare duhet ti verifikojnë këto të dhëna sepse nëse qëndrojnë është një komprometim i rëndë ndaj procesit dhe nëse nuk qëndrojnë është një skandal më vete.
E kam parë me kujdes dëshminë e Gjokës ajo ka pranuar se ka mbajtur të tre mbiemrat Sopata, Maneku dhe Gjoka. Pretendimet janë se Gjoka ka udhëtuar vite më parë në Greqi me dokumente të falsifikuara duke tentuar të prezantohet si minoritare që përmes këtyre dokumenteve të ketë dhe një martesë.
Kur pala greke ka marrë urdhër ta përzërë ka pasur procedura gjyqësore. Nëse kjo do të rezultojë e vërtetë kjo mund të afektojë të gjitha proceset gjyqësore që ajo ka pasur dhe jo vetëm çështjen Beleri dhe nëse rezultojnë këto të dhëna patjetër që kjo mund të përbëjë shkak për një hetim nga ana e ILD dhe për një shkarkim të saj.”, tha Lala.