Drejtoresha e Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH), Vlora Hyseni nuk mori pjesë në Komisionin e Posaçëm të TIMS pasi ishte takuar me asistentin e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Scott Bray. Mungesa e saj shkaktoi debat mes anëtarëve të mazhorancës dhe opozitës në seancën e djeshme të komisionit. Përmes një postimi në rrjetet sociale zbulohet se Hyseni zhvilloi një vizitë në selinë qendrore të NATO-s në Bruksel në të cilën realizoi një takim zyrtar me asistentin e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, z. Scott Bray. Në këtë takim u prekën çështje të rëndësishme lidhur me kontekstin e sigurisë rajonale por edhe tema mbi të ardhmen e nismave të inteligjencës të NATO-s. Hyseni u takua edhe me Drejtoreshën e Inteligjencës Kombëtare, znj. Avril Haines, ku u theksua partneriteti mes SHBA dhe Shqipërisë, si dhe u diskutua lidhur me sfidat e përbashkëta të inteligjencës dhe sigurisë. Gjithashtu, gjatë kësaj vizite, Hyseni ka realizuar disa takime me zyrtarë të lartë në fushën e inteligjencës dhe sigurisë së SHBA.