Pas presionit ndërkombëtarë dhe denoncimit të kryedemokratit Lulzim Basha për amnistinë penale, Partia Socialiste duket se ka tërhequr amendamentin që falte të burgosurit dhe ata që kanë rënë në rrjetën e Prokurorisë Speciale (SPAK). Kjo lëvizje e socialistëve jep sinjale se tashmë partitë politike janë afër dakordësisë për të votuar amnistinë penale për të cilën kërkohen 84 vota në Kuvend. Më konkretisht pak orë pasi PS deklaroi se ishte gati të tërhiqte amendamentin që ka të bëjë përjashtimin e përfitimit të zyrtarëve të hetuar nga SPAK e GJKKO, Partia Demokratike zyrtare mirëpriti vendimin dhe dha dakordësinë për përfshirjen e të gjithë protestuesve pavarësisht kohës dhe periudhës. Pra duke u tërhequr nga kushti që kishte që të faleshin vetëm protestuesit e 2018- 2020. Enkelejd Alibeaj në një deklaratë për media tha dje se PD jep votën pro. “PD është e vendosur për të votuar vetëm një pr/ligj për amnistinë penale që u shërben qytetarëve të thjeshtë e nuk përfshin zyrtarët që hetohen nga SPAK e GJKKO. Mirëpresim tërheqjen e mazhorancës nga mospërfshirja e të dënuarve për korrupsion nga GJKKO. Japim dakordësi që në amnisti të përfshihen të gjithë protestuesit pavarësisht kohës dhe periudhës kur kanë protestuar”, deklaroi dje Alibeaj në një deklaratë për median. PD kishte vendosur kusht që të faleshin vetëm protestuesit e opozitës deri në 2020 por me tërheqjen e opozitës dhe nëse PS e pranon nga falja përfitojnë të gjithë protestuesit deri në datën kur hyn në fuqi amnistia pra dhe ata të 8 janarit 2022.
Reagon Manja
Ndërkohë, më parë Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, dje në një deklaratë për media u bëri thirrje deputetëve të opozitës që të votojnë ligjin për amnistinë penale, ndërsa ka lënë të lirë mundësinë për tërheqjen nga amendamenti i propozuar prej tyre, që parashikon se edhe personat e dënuar nga GJKKO mund të përfitojnë ulje dënimi nga 1 deri në 1.5 vite burg. Manja tha se askush nuk e ka lexuar ligjin dhe dolën kundër, ndërsa shtoi se s’ka pasur asnjë qëllim që të amnistoj asnjë person të dënuar nga GJKKO. Manja tha se është një amnisti e cunguar e se 95% e veprave të Kodit Penal. “Bëhet për amnisti për një kategori të dënuarish që kanë vuajtur 2/3 e dënimit. Meqë jemi tek amnistia e solla shembullin e Ilirit për të thënë që amnistia penale një nga parimet e saj ka humanizmin dhe qëllimin e dënimit që është rehabilitimi dhe riintegrimi në shoqëri. Ka mbi katër vite që nuk ka pasur amnisti penale. Kjo që kemi paraqitur më vjen keq që asnjë nuk e ka marrë mundimin ta lexojë ligjin, por hodhi dikush një gur në zall dhe të gjithë u bënë bashkë të ‘shpëtojmë’ Republikën nga një ligj amnistie. Është një amnisti e cunguar 95% e veprave penale që ka Kodi Penal janë të përjashtuara nga kjo amnisti. Në thelb kjo amnisti ka këto qëllime dhe askush nga ne nuk ka qëllim që të amnistojë asnjë person të dënuar nga GJKKO. Debati është bërë për një amendament që për të siguruar barazinë ka dhënë mundësinë që të përfitojnë 1 vit ulje dënimi burrat dhe një vit e gjysmë gratë që nuk përfitojnë nga amnistia e plotë. Ulja e dënimit nga amnistia nuk ta heq njollën”, tha Manja. Manja tha se janë gati që të ulen me opozitën dhe të rishikojnë këtë amendament. “Do e fusim në parlament kur deputetët e opozitës të jenë në sallën e parlamentit dhe do jenë ata që do e kërkojnë futjen në rend dite. Ne e kemi bërë detyrën tonë, kemi depozituar ligjin ka tre muaj. Tani është në seancë plenare, kur të bëhen gati. Do të kërkoja dhe dëshiroja që ky ligj të marrë votat e gjithë deputetëve të Kuvendit. Jemi të gatshëm të ulemi për këtë amendament, por nëse qenka hataja për opozitën se do përfitojnë ulje dënimi 3 ish punonjës policie për shpërdorim detyrë në Kukës tërhiqemi ne nuk është problem”, tha Manja. Nga Shërbimi i Provës në Tiranë, ministri takoi Ilirin, i cili përfiton nga amnistia penale, tha se një parimet kryesore të këtij ligji është humanizmi. “Iliri është i martuar ka 7 fëmijë ka qenë i dënuar me shërbim prove. Është punësuar i është kthyer normalitetit jetës së rregullt dhe do të bëjmë çmos të arsimojë 7 fëmijët. Gjithësi meqë jemi te amnistia e solla shembullin e Ilirit se amnistia penale një nga parimet kryesore ka humanizmin”, nënvizoi dje Manja.
Çfarë ka ndodhur?
Sakaq, kujtojmë se, një amendament i socialistëve bëri që kryedemokrati Lulzim Basha të akuzojë PS-në se po tenton të shpëtojë zyrtarët e korruptuar. Por, PS thotë se bëhet fjalë vetëm për ulje të dënimit me 1 vit për burrat dhe 1 vit e gjysmë për gratë e të miturit edhe për ata që janë dënuar nga GJKKO, që më parë përjashtoheshin nga përfituesit, ndërsa të korruptuarit nuk përfitojnë. Ndërkohë që kërkesës së demokratëve për amnistinë ndaj protestuesve të opozitës, socialistët e kanë pranuar pjesërisht por pa falur protestuesit e dhunshëm.