Deputeti i Partisë Demokratike zyrtare dhe bashkëkryetari në Komisionin e Reformës Zgjedhore, Enkelejd Alibeaj, ka depozituar në Kuvend një projektligj për ndryshimin e Kodit Zgjedhor, duke propozuar ndryshimin e sistemit elektoral nga proporcional-rajonal në proporcional-kombëtar me lista të hapura si dhe garantimin e votës së diasporës. Edhe pse ky komision i ngritur që në shkurt të vitit 2022 nuk ka prodhuar asnjë rezultat dhe nuk ka funksionuar normalisht, Alibeaj, që pas përçarjes së opozitës përfaqëson Partinë Demokratike të Lulzim Bashës, kërkon ndryshime esenciale në Kod. Ndryshimi i përllogaritjes së mandateve në listat emërore të deputetëve të bëhet në bazë të votave të përgjithshme dhe jo sipas zonave zgjedhore, sugjeron ai. “Zonë zgjedhore është tërësia e territorit të Republikës së Shqipërisë për zgjedhjet për Kuvend dhe bashkia për zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore,” thuhet në propozimin e Alibeajt, që nënkupton sistem proporcional kombëtar.
Sipas propozimit, sistemi aktual i fragmetizuar ka defekte dhe sistemi me 1 zonë zgjedhore garanton barazinë e votës së çdo qytetari. Nga një sistem i tillë përfitojnë më shumë partitë e vogla që futen në zgjedhje, votat e të cilave nuk arrinin të nxirrnin një mandat deputeti në përballje me formulën aktuale ku partitë e mëdha favorizohen në formulën e përllogaritjes së votave sipas qarqeve. Alibeaj po ashtu kërkon ndryshimin e formulës së llogaritjes së votave për kandidatët fitues brenda listave shumëemërore të partive politike duke propozuar lista të hapura; cili kandidat ka marrë më shumë vota shpallet fitues dhe nuk favorizohet rreshtimi i tyre sipas listës që sjell kryetari i partisë. Aktualisht me ndryshimet e fundit në Kod listat janë gjysëm të hapura, pasi ka një vijë preference për emrat që përzgjedh kryetari I partisë, por mund të kapërcejnë në listën fituese kandidatë që arrijnë të marrin më shumë vota ata që janë në krye të listës. Në paketën e deputetit demokrat parashikohen dhe rregulla dhe detyrime të KQZ-së për të siguruar votën e diasporës shqiptare, për të cilën ka dhe një vendim të Gjykatës Kushtetuese që e cilëson antikushtetuese mohimin e të drejtës së votës shqiptarëve që jetojnë jashtë kufinjve.