Për të tretën herë që prej 27 dhjetorit të vitit 2023, Partia Demokratike i kërkon Gjykatës së Lartë të zbardhë vendimin, ku urdhëroi Gjykatën e Apelit të marrë vendim përfundimtar për vulën. Duke pretenduar për zvarritje të qëllimshme nga ana e Gjykatës së Lartë, përfaqësuesi ligjor i PD Indrit Sefa tha dje në një deklaratë për media se është koha që t’i hapet rrugë zgjidhjes finale të pikëpyetjes thuajse 2 vjeçare se kujt i përket logoja e vula e demokratëve. “PD ka bërë kërkesën e tretë zyrtare depozituar gjykatës së lartë për zbardhjen e vendimit të datës 27, për t’i dhënë mundësi kësaj gjykate që të japë vendim për çështjen e PD. Po mbush praktikisht dy muaj dhe është jashtë afateve për shkeljen e vendimit. Ne duam që zgjidhja gjyqësore e PD të jetë përfundimtare dhe e shpejtë. Ne flasim zyrtarisht me gjykatën. Në datën 27 janar ishte kërkesa e parë. Do bëjmë kërkesa të vazhdueshme deri në zbardhjen e vendimit. Ky është detyrim që ka gjykata. Duhet të përshpejtohen procedurat. Ne duam që kjo çështje të zgjidhet sa më shpejt, që demokratët të jenë të qartë për ligjet drejtuese të organeve të PD-së”, tha Sefa. E njëjta kërkesë u përsërit disa ditë më parë, në përfundim të protestës së Rithemelimit më 20 shkurt, nga Gazment Bardhi i cili që prej kohës kur PD nisi luftën e vulës ka ndryshuar qëndrim duke thënë se demokratët janë te Sali Berisha. “Ka dyshim më kush se ku është PD, kush i gëzon simbolet e PD? Dhe gjej rastin t’i bëj thirrje së pari Gjykatës së Lartë të zbardhë vendimin dhe të mos zvarrisë më tej çështjen dhe gjykatës së Apelit që të japë vendimin për vulën e PD”, tha Bardhi për mediat.
Çfarë ka ndodhur?
Ndërkohë, kujtojmë se, Gjykata e Lartë e ktheu për rigjykim në Apel çështjen për vulën e PD. Gjykata detyron Apelin që me një trupë të re gjykuese, të marrë vet ajo vendimin se kujt i takon vula e partisë. Kështu, Apeli do duhet të shprehet për vendimin e Zhukrit që njohu Berishën kryetar, i cili nëse rrëzohet, do ia linte përfundimisht PD-në Bashës. Konflikti Berisha-Basha në PD nisi 9 shtatorin e vitit 2021, kur ish Kryeministri u pezullua nga grupi parlamentar demokrat, pas shpalljes ‘non grata’ nga SHBA. Të dy palët zhvilluan kuvende, Berisha më 11 dhjetor 2021 dhe Basha një javë më pas, më 18 dhjetor. Në marsin e vitit 2022 gjyqtari i Gjykatës së Tiranës Agron Zhukri vendosi si të ligjshëm Kuvendin e Berishës, vendim që u rrëzua nga Apeli një vit më pas, marsin e vitit 2023. Tashmë çështja rikthehet aty ku ishte 9 muaj më parë, për t’u vendosur përfundimisht fati i partisë më të madhe opozitare në vend.
Argumenti i Gjykatës
Kolegji Civil, i përbërë nga tre gjyqtarët Artur Kalaja, Ervin Pupe dhe Dariel Sina, arriti në përfundimin se Gjykata e Apelit me vendimin nr. 44, datë 03.03.2023 ka lejuar shkelje procedurale që e bëjnë të cenueshëm vendimin e dhënë prej saj. Kolegji i Gjykatës së Lartë në një njoftim për mediat pak kohë më parë tha se ka konstatuar se Gjykata e Apelit nuk i ka dhënë përgjigje kërkesave të palëve në ankimet respektive, ndërkohë që kryesisht ka marrë në shqyrtim çështje për të cilat palët nuk i kanë ngritur si pretendime në ankim, dhe që gjithsesi nuk përbëjnë shkak për prishjen e vendimit dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim. Gjithashtu pretendimet e ngritura në ankimet e paraqitura mund të zgjidheshin vetë nga Apeli. Në këto kushte ajo vendosi prishjen e vendimit dhe kthimin e çështjes për rishqyrtim në po atë gjykatë, me një trupë tjetër gjykuese.
Si lexohet vendimi
Me këtë vendim të Gjykatës së Lartë më e pakënaqur mbeti pala e Rithemelimit të Berishës, të cilët kërkonin mos legjitimin e ankimit të PD zyrtare (atëherë përfaqësohej nga Alibeaj) si jo palë në proces, i cili do të çonte në anulimin si të paligjshëm të procesit në apel, duke bërë automatikisht fuqiplotë vendimin e Zhukrit. Fitore e konsideroi Partia Demokratike zyrtare pasi vetë kishte kërkuar zgjidhjen në themel të çështjes, edhe pse thotë se zgjidhja përfundimtare duhet të ishte bërë nga Gjykata e Lartë. Në një reagim pas vendimit Partia Demokratike tha se nuk cenon në asnjë formë legjitimiteti dhe funksionimi të saj, ndërsa vijon procesin e riorganizimit të brendshëm, përgatitjen e platformës dhe programit politik të saj, identifikimin dhe propozimin e kandidatëve për deputetë dhe pregatitjen për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Ajo që dihet është se me vendimin e dhënë Gjykata së Lartë krijon kushtet për zgjidhjen e shpejtë dhe përfundimtare të çështjes duke ndalur sorollatjen më tej në dyert e gjykatave. Ndërsa rekursi i Rithemelimit shqyrtohej në Gjykatën e Lartë, para godinës Berisha protestoi gati 1 orë me një grup të vogël militantësh dhe deputetë besnikë që e mbështesin.