Ish-presidenti Ilir Meta dhe ish-kryeministri Sali Berisha i kanë dhënë fund përfundimisht marrëdhënies” së tyre. Dikur të pandarë në çdo hap të politikës, sot kreu i PL kërkon divorcin nga kreu i Rithemelimit. E gjithë kjo krisje sipas Metës vjen pas humbjes së zgjedhjeve. Meta e tha qartë gjatë fundjavës se koalicioni me Berishën dështoi. Ai ka akuzuar kreun e “Rithemelimit” se i ka bërë puç. “Në zgjedhjet e fundit vendore kur edhe një pjesë e përfaqësuesve të PD-së ishin të shqetësuar pse unë vija mbështesja kandidatin e përbashkët, se ajo nuk kishte shanse për të fituar, në vend që të gjithë të bashkoheshin për fitoren e opozitës këtu. Në këtë e pamë në Fier kur vajta të vizitoja selinë e kandidatit të përbashkët, që ishte më e madhe se ajo e Donald Trump dhe ku dera ishte e mbyllur. E pamë këtë kudo. Koalicioni Bashkë Fitojmë nuk funksionoi. Nëse do të kishte funksionuar, do të kishte fituar. Fakti që koalicioni bashkë fitojmë nuk fitoi tregoi që nuk funksionoi. E tregon dhe këshilli bashkiak këtu. Opozita lokale këtu është ku thërret qameti”, deklaroi Ilir Meta nga qyteti i Korçës, teksa foli këtë fundjavë në një konferencë me gazetarët. Por, veç kësaj deklarate, kreu PL nuk i kursehu sulmet edhe për SPAK-un.
Ish-presidenti sulmon SPAK
Ilir Meta reagoi ashpër edhe kundrejt SPAK-ut gjatë fundjavës. Ai tregoi se nuk ka asnjë arsye pse duhet të sekuestrohet PL, madje me tone të ashpra u shpreh se më parë duhet të sekuestrohet SPAK. Meta dha ultimatum të bëhen hetime për kallëzimet e bëra, ndryshe siç thotë ai, do të ketë pasoja fatale. “Nuk kam asnjë lloj shqetësimi. Zonja Fatime është përgjigjur vetë më duket, se nuk i kam parë lajmet, se kam punë më të rëndësishme. Zonja Monika përgjigjet vetë. Unë jam përgjigjur vetë. Duhet ta dijë SPAK-u, se nuk dua t’i them tarallaku, Partia e Lirisë nuk sekuestrohet. Mund të sekuestrohet SPAK përpara, por Partia e Lirisë nuk sekuestrohet. Të bëjnë hetime për kallëzimet që ne kemi bërë, sepse përndryshe pasojat ndaj tyre do jenë fatale. Partia e Lirisë do ta nisë nga vetja, duke i dhënë fund organizimit me gënjeshtra, mbështetur mbi parime të hekurta, që jo vetëm e bëjnë të padepërtueshme këtë parti nga diversionet e Edi Ramës dhe veglave të tij, në drejtësi, polici e në SHIK apo dhe në krimin e organizuar, që ka qenë shumë i interesuar për të ndërhyrë dhe për të marrë drejtimin e Partisë së Lirisë”, tha Meta. Kreu i PL gjithashtu tregoi se është kundër koalicionit shqiptarë në Maqedoninë e Veriut.
Metës nuk i ndahet shpirti nga pro-rusët
Gjithashtu Ilir Meta ka dalë në fundjavë dhe kundër fitores së koalicionit shqiptar në Maqedoninë e Veriut. Ai takoi pasardhësin e Nikolla Gruevskit në Maqedoninë e Veriut, kreun e VRMO-DMNE, partisë nacionaliste që kërkon të ulë peshën e shqiptarëve në vend. Në një postim në rrjetet sociale, Meta shprehet hapur pro fitores së Hristo Mickovskit, i cili është një koalicion me parti kundër NATO-s dhe pro Rusisë. Por, kjo nuk është hera e parë që Ilir Meta e bën këtë. Në vitin 2017, Meta bëri të gjithë përpjekjet që të mbetej në qeveri Nikolla Gruevski. “Fitorja e pritshme e VMRO-DPMNE në zgjedhjet e afërta do t’i japë një dimension të ri zhvillimit ekonomik të Maqedonisë së Veriut në të ardhmen nga i cili do të përfitojnë të gjithë qytetarët e saj. Të mos harrojmë se vizioni dhe politikat e saj në qeverisje e shndërruan Maqedoninë e Veriut, vendin e 10-të në botë dhe të 5-të në Europë për klimën e biznesit dhe investimet e huaja. Falë vizionit të VMRO-DPMNE, Maqedonia e Veriut shpërtheu për rritjen e bujqësisë dhe blegtorisë duke e nisur me 10 milionë euro financim në vit e duke e çuar në 200 milionë euro. Ekipi i ri i VMRO-DPMNE besoj se ka mësuar mjaftueshëm nga gabimet e bëra në të kaluarën dhe pasojat e nepotizmit, të cilat eklipsuan arritjet e jashtëzakonshme ekonomike dhe sociale. Maqedonia e Veriut do të vazhdojë të ecë e sigurt në rrugën euro-atlantike dhe përsëri shqiptarët do të jenë garancia kyçe për këtë”, u shpreh Meta në rrjetet sociale.