Thellohet lufta kundër korrupsionit, ku pesë ministra dhe 5 ish-ministra të Partisë Socialist duket se kanë rënë në “rrjetën” e Prokurorisë Speciale (SPAK). Lajmi është bërë i ditur nga gazetari i njohur, Adriatik Doçi teksa ishte i ftuar në një studio televizive, ndërsa dha sinjale se zyrtarë të lartë dhe ish-zyrtarë socialistë i presin telashe me drejtësinë, pasi do t’iu duhet të japin llogari për zullumet ku janë përfshirë. “Unë kam informacion të konfirmuar që janë 5 ministra dhe ish ministra nën hetim. Janë të mazhorancës. SPAK ka goditur deri tani në drejtim të qeverisë”, deklaroi ai.
Hetimet e SPAK për Ilir Metën
Më tej gazetari Doçi ka deklaruar se Prokuroria e Posaçme ka kërkuar tre herë arrestimin e kreut të Partisë së Lirisë Ilir Meta. Këto kërkesa të SPAK, sipas Doçit, janë refuzuar nga GJKKO. “Çfarë ndodh me dosjen e Metës. Unë kam informacion që është rrëzuar tre herë arrestimi i Metës para vitit të ri. Ka dosje flagrante. Kanë ardhur provat flagrante nga SHBA për pastrim parash. E ka kërkuar SPAK arrestimin dhe ka refuzuar GJKKO”, u shpreh ai. Ndërkohë kërkesa për arrestim, Doçi theksoi se është bërë për çështjen e lobimit në SHBA dhe Meta akuzohet nga SPAK për pastrim parash. “SPAK ka hapur vetëm disa raste sporadike korrupsioni. Është refuzuar arrestimi i Metës sepse hetimet nuk janë të plota duan prova të tjera dhe ka tre vite. Për çështjen e lobimit. Letërporositë nga SHBA kanë ardhur që prej vitit të kaluar dhe është konfirmuar fakti penal i dyshuar nga SHBA. Këto para janë shpenzuar gjatë 2016-2017 nga LSI në SHBA për lobin dhe këto para nuk janë deklaruar as në KQZ as në ILDKP. Dyshohet se janë para të pista që janë pastruar. Meta vazhdon i lirë sot, ku po godet drejtësia sot opozitën”, tha ai.
Përfshirja e Berishës në masakrën e “21 janarit”
Nga ana tjetër, duke u ndalur tek masakra e 21 janarit 2011, ku gjatë protestës së opozitës së kohës mbetën të vrarë katër protestues të pafajshëm, ka zbuluar faktet që sipas tij, implikojnë Sali Berishën në vrasjet e 21 janarit. “Vendimi i Strasburgut vesh me përgjegjësi Berishën si i implikuar dhe për manipulimin e ngjarjes, nuk thotë gjë për Bashën. Kemi dhe dëshmi të topit që thotë se Basha i ka shkuar në shtëpi në emër të Berishës për të ndërhyrë te Ina Rama. Kemi dhe përgjimin për Ndrea Prendin që thotë qëlloni në trup. Kemi dhe raport të shërbimit që kontrollit të brendshëm në ministrinë e brendshme ku dalin të gjitha masat që janë marrë më parë. Basha ditën e vrasjes ka dalë jashtë loje. Vendimi i gjykatës së Strasburgut e implikon Berishën në dy momente, kërcënimi ndaj Ina Ramës. Momenti tjetër mashtrimi me pamjet filmike, gjykata e Strasburgut ka analizuar deklaratat e Berishës që thotë se kamerat nuk punonin. Është konfirmuar se pamjet filmike të 21 janarit janë zhdukur. Ngritja e komisionit hetimor është një tjetër pikë që e implikojnë Berishën”, tha ai.
Vendimi skandaloz i gjykatës për Ndrea Prendin
Sakaq, vendimi i Gjykatës për ish-komandantin e Gardës, Ndrea Prendi dhe ish- oficerit të gardës, Agim Llupo për vrasjet e 21 janarit, është skandaloz sipas gazetarit Adriatik Doçi. Ai thotë se sipas vendimit, vrasjet janë bërë nga pakujdesia me arsyetimin se nuk i njihte viktimat. “Gjykata vendosi të shpallë të pafajshëm Ndrea Prendin dhe Agim Llupon. U skandalizuan ndërkombëtarët, SHBA. Gjykata e apelit vendosi ti shpallë të fajshëm por vrasjet i kualifikoi si vrasje nga pakujdesia. Është një nga vendimet më qesharake që është marrë në rruzullin tokësor. Ndrea Prendi ka qëlluar drejt protestuesve por nuk i njihte. Ky është një nga arsyetimet më dramatike. Është kriminal poshtërues. Një pjesë të këtyre gjyqtarëve u janë sekuestruar pasuritë një pjesë tjetër vazhdojnë ta gëzojnë pasurinë”, theksoi ai.
9 nga 11 gjyqtarët që vendosën për “21 janarin” u shkarkuan nga vetingu
Ndër të tjera gazetari Adriatik Doçi dha detaje tronditëse lidhur me gjyqtarët që morën vendimin për dënimin qesharak prej 4 vitesh burg të 2 gardistëve që qëlluan dhe vranë protestuesit në 21 janar. Doçi tha se nga 11 gjyqtarët nëpër të cilët ka kaluar vendimi, vetëm 2 prej tyre janë ende në sistem ndërsa 9 të tjerët janë shkarkuar gjatë procesit të vetingut, pasi u janë gjetur pasuri të paligjshme dhe lidhje me baronë të krimit të organizuar. “Hetimet janë bërë nga disa prokurorë dhe vendimi është marrë nga 11 gjyqtarë, 3 të shkallës së parë 3 të apelit dhe 5 të Gjykatës së Lartë, vetëm 2 prej tyre janë në sistem. Asnjë prej tyre nuk e ka kaluar vetingun. 9 janë shkarkuar me vendim të formës së prerë për pasuri të paligjshme dhe për lidhje me baronë të krimit të organizuar. Kanë mbetur në sistem vetëm 2 gjyqtarë të shkallës së parë, të cilët ende nuk kanë kaluar në sitën e vetingut”, nënvizoi gazetari Doçi.