Sali Berisha i shpallur “non-grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe, mund të jetë deputet edhe për të paktën një muaj. Pas vendimit të Apelit të Gjykatës së Posaçme dhe Gjykatës së Lartë që nuk e lejuan atë të marrë pjesë në Kuvend, edhe ky i fundit i ka dhënë një “shuplakë” atij. Konkretisht, administrata e Kuvendit të Shqipërisë i ka ndërprerë Berishës përfitimet financiare që i takon çdo deputeti, përfshi edhe pagën, pasi ish-kryeministri nuk ka marrë pjesë në asnjë prej seancave plenare, mbledhjet e Komisioneve Parlamentare apo çdo veprimtari tjetër që lidhet me të si ligjvënës. Vendimi për ndërprerjen e pagesave ka lidhje me vendimin e GJKKO-së. Masa financiare ndaj Berishës nga administrata e Kuvendit është aplikuar që prej janarit 2024, ndoshta si një përllogaritje edhe për kohën se kur ai mund të humbasë mandatin e deputetit, me një mungesë në punimet e Kuvendit prej 6 muajsh. “Referuar statusit të deputetët dhe vendimi nr. 114/2014 “Për mënyrën e trajtimit të deputetëve”, të ndryshuar deputeti Sali Berisha nuk i paguhen përfitimet si karburanti dhe telefoni për shkak të masës së sigurimit personal të vendosur nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendim nr. 520 datë 30.12.2023”. Kjo ishte ndalesa e parë financiare që u aplikua nga Kuvendi ndaj ish-kryeministrit Berisha.
Rreziku që i kanoset Berishës
Por me një përllogaritje të thjeshtë, ish-kryeministri Sali Berisha nëse nuk arrin të marrë pjesë në seancat e mbetura deri në 11 qershor, ai plotëson kohën e plotë të mungesës në Kuvend, ç’ka do të thotë se për të nis procedura e humbjes së mandatit të deputetit. “Mandati i deputetit fillon ditën që ai shpallet i zgjedhur nga komisioni përkatës i zgjedhjeve. 2. Mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm, sipas rastit: a) kur ai nuk bën betimin; b) kur heq dorë nga mandati; c) kur vërtetohet një nga kushtet e pazgjedhshmërisë ose papajtueshmërisë të parashikuara në nenet 69, 70 paragrafët 2 dhe 3;ç) kur mbaron mandati i Kuvendit; d) kur mungon pa arsye mbi 6 muaj rresht në Kuvend; dh) kur dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi”, thuhet në nenin 71 të Kushtetutës.
Avokatët ngrenë alarmin
Ndërkohë edhe avokati i ish-kryeministrit Sali Berisha, Genc Gjokutaj ka ngritur alarmin, teksa është shprehur se procesi ndaj Berishës është pjesë e strategjisë për pastrimin e rrugës së Edi Ramës për zgjedhjet e 2025-ës. Sipas tij, gjithë këto skenarë kërkojnë djegien e mandatit të deputetit që Berisha gëzon, si edhe largimin e tij përfundimtar nga politika dhe zgjedhjet e ardhshme. “Ne duhet të shpjegojmë se çfarë ndodh. Procesi i goditjes ndaj Berishës është pjesë e strategjisë për pastrimin e rrugës së Edi Ramës për zgjedhjet e 2025-ës. Por që të realizohet ky skenar me drejtësinë nuk bëhet me një SPAK objektiv dhe një GJKKO të pavarur. Njerëzit janë zgjedhur me dorë. Vendimi i sotëm ishte i pritshëm për ne. Synohet djegia e mandatit të Berishës. Berishën e kanë kërkuar në komisionin për TIMS dhe menjëherë e tërhoqën po me urdhër politik. Për më tepër fabula e çështjes nuk është artikuluar nga prokurorët, kush korruptoi kë. Çdo ngjarje ka mekanizmin si është vepruar. Në fund fare pastaj, pa kryer asnjë veprim hetimor kërkojnë edhe zgjatje afati. Zgjatja bëhet kur ke konsumuar çdo afat dhe nuk ke kryer veprimet e domosdoshme. Këta kanë kërkuar zgjatje pa kryer veprime. Gjithë këto skenarë të çojnë në një pikë, djegia e mandatit të Berishës dhe largimi i tij nga politika dhe zgjedhjet e ardhshme”, deklaroi pak ditë më parë Gjokutaj.
Çfarë ka ndodhur?
Ndërkaq kujtojmë se Sali Berisha ndodhet në “arrest shtëpie” prej 30 dhjetorit, ditë kur gjyqtarja e GJKKO-së, Irena Gjoka, firmosi vendimin që ndaj ish-Kryeministrit të aplikohej masa e “arrestit të shtëpisë”, ndërkohë që më parë ai kishte kundërshtuar ashpër dy nga masat që i kishte vendosur SPAK, detyrim paraqitje dhe ndalim të daljes jashtë vendit. Berisha pretendonte se masat ishin anti-Kushtetuese, pasi SPAK nuk kishte marrë më parë leje nga Kuvendi për të kufizuar veprimtarinë e tij si deputet. Dhe pasi SPAK kërkoi autorizimin nga Kuvendi që u miratua, Prokuroria Speciale vendosi të aplikojë një masë më shtrënguese, atë të arrestit shtëpiak, që është lënë në fuqi nga të gjitha shkallët e drejtësisë, përfshi edhe Gjykatën e Lartë. SPAK po heton procedurat e ndjekura për privatizimin e ish-kompleksit “Partizani”, ndërsa fillimisht arrestoi dhëndrin e ish-Kryeministrit Sali Berisha, Jamarbër Malltezin, për të cilin Apeli i GJKKO-së, vendosi ndryshimin e masës së sigurisë nga “arrest në burg” sikundër kishte firmosur gjyqtarja Irena Gjoka, në “arrest shtëpie”. Ndaj Berishës dhe Malltezit SPAK po heton për vepra penale të lidhura me pastrimin e parave dhe korrupsionit, të kryera në bashkëpunim.