Drejtuesi politik i Partisë Socialiste në Elbasan, Damian Gjiknuri tha se protesta e opozitës është një miningjarje dhe se do të tregojë që stabiliteti i këtij vendi është i sigurt. Ai deklaroi se Shqipëria është një vend i sigurt me qeverisjen e majtë.“Kjo është një mini ngjarje në rrugën e madhe të një kombi, pasi i ka ardhur dita që Shqipëria edhe të protestojë, por mbi të gjitha të ketë liri fjale dhe një qeverisje më të mirë në dobi të njerëzve. Nuk është hera e parë që protestohet, shpresoj që të mos rikthehet reminishencat e të kaluarës së personave që kanë marrë përsipër të protestojnë. Më gjithë atë Shqipëria ka parë edhe më keq sesa protestat dhe kjo ngjarje do të tregojë që stabiliteti i këtij vendi është i sigurt. Nuk kam ndonjë mesazh për kryedemokratin sepse ka shumë kryedemokrati, por që shqiptarët janë vërtetë në një moment të vështirë për shkak të luftës, por Shqipëria është një vend i sigurt me qeverisjen e majtë”, tha ai. Ndërkohë, kujtojmë se ish-kryeministri Sali Berisha, ka organizuar dje një mbledhje në selinë blu me kryetarët e degëve të Partisë Demokratike në Tiranë, ku është propozuar që protesta e 12 nëntorit të mbahet në orën 16:00. Ish-kryeministri Sali Berisha, deklaroi në këtë mbledhje se 12 nëntori do të shënojë protestën më të madhe që është mbajtur ndonjëherë në Shqipëri. Sipas Sali Berishës, të gjithë shqiptarët kërkojnë largimin e Edi Ramës dhe qeverisë së tij një orë e më parë Të shtunën e 12 nëntorit, opozita ka thirrur qytetarët anembanë Shqipërisë që të mblidhen në një protestë kombëtare në kryeqytet, ku do të kërkohet largimi i kryeministrit Edi Rama. Policia e Shtetit është njoftuar për një protestë që do të zgjasë 2 orë, por kjo mbetet për t’u parë, pasi parashikohet që të zgjasë më shumë. Megjithatë Partia Demokratike duket se ka zgjedhur që të mos japë shumë detaje lidhur me organizmin konkret.