Një javë para mbledhjes në Tiranë të krerët e Bashkimit Europian, mazhoranca dhe opozita vijojnë debatet dhe akuzat mes tyre lidhur me protestën e thirrur nga Partia Demokratike. Nëse socialistët akuzojnë për tradhti kombëtare, demokratët thonë se me protestën e tyre do u tregojnë me zë e figurë liderëve të BE-së, shqetësimet që Brukseli shkruan në raportet e tij zyrtare për Shqipërinë. Që kur ish-kryeministri Sali Berisha thirri protestën e 6 Dhjetorit, ditën kur në Tiranë do të zbresin liderët e vendeve të Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor, socialistët rikthyen akuzat e tyre për tradhti kombëtare. Deputeti i Partisë Socialiste Petro Koçi u shpreh se është një aksion antishqiptar, një investim politik kundër Bashkimit Europian.“Është një aksion antishqiptar, një investim politik kundër Bashkimit Europian. Kërkon të dëshmojë politikën e forcës, gjë që është joproduktive”, tha ai. Nga Fieri, socialisti Petro Koçi, tha se Aleanca Berisha-Meta është një kthim pas.“Çifti Berisha-Meta është një ftesë për ty kthyer mbrapa, nuk është një ftesë për ndryshim”, tha ai.
Boçi: Protesta do të jetë një panoramë reale për situatën në Shqipëri
Ndërsa socialistët i akuzojnë për tradhti kombëtare, Policia e Shtetit dhe Bashkia e Tiranës, kanë refuzuar kërkesën e selisë blu për të protestuar poshtë zyrës së Edi Ramës. Por demokratët thonë se me protestën e tyre do u tregojnë me zë e figurë liderëve të BE-së, shqetësimet që Brukseli shkruan në raportet e tij zyrtare për Shqipërinë. Deputeti i PD Luçiano Boçi, u ndal edhe te vendimi i policisë për të refuzuar protestën e 6 dhjetorit. Boçi deklaroi se kjo protestë do të jetë një panoramë reale për situatën në Shqipëri. Sipas tij, zyrtarët e BE nuk kanë nevojë të lexojnë më raporte.“Është një lloj arbitrariteti, arrogance në raport me respektimin e të drejtës për të protestuar, protestat janë pro evropiane, kudo dhe sido që zhvillohen. Është një lloj organizimi protestues specifik në një ditë kur liderët evropian vijnë në Shqipëri dhe që ata kanë fatin e rastin të dëgjojnë shqetësimet reale për qytetarët shqiptarë që shkruhen në raportet evropiane, për korrupsionin galopant, krimin, vjedhjen e votës. Më mirë se të bëhet atë ditë me dëgjimin live nga qytetarët nuk ka shkresë, e zezë mbi të bardhë që ta zëvendësojë apo tejkalojë si opinion ose qëndrim. Duhet të marrin sinjalin që qytetarët kërkojnë ndryshimin real të forcave politike”, tha Boçi. Zbulimi i një vendimi gjykatë se Taulant Balla është përgjuar nga prokuroria e Elbasanit është një çështje u ka dhënë avantazh dhe argument demokratëve në luftën politike. Ndërsa për demokratët, përgjimi i Taulant Ballës është vetëm faktim i akuzave ndër vite, dikur ish-numri dy i socialistëve deri më tani nuk ka bërë asnjë koment. Boçi u shpreh se nuk është hera e parë që Balla del në të tilla përgjime, ndaj sipas tij komentet janë të tepërta.“Nuk është hera e parë që Taulant Balla del në përgjime të tilla dhe zakonisht komentet në raste të tilla kur shumëfishohen si raste më duket se janë të tepërta”, tha ai.