Partia Socialiste duket se ka “ndezur motorët” për zgjedhjet parlamentare të vitit 2025 apo të parakohshme nëse do jetë nevoja. Pa kaluar 24 orë nga mbledhja e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, nga ku kryeministri Edi Rama kërkoi angazhim maksimal për të fituar mandatin e katërt, kryetari i grupit parlamentar të PS, Bledi Çuçi zhvilloi dje një mbledhje me deputetët socialistë. Kërkesën për ta, kreu i grupit parlamentar socialist, e pati specifike këtë herë, teksa iu kërkoi hapur që të dalin sa më shumë në terren, pasi siç theksoi ai, fushata tashmë ka nisur. “Duhet një prezencë e shtuar fizike në terren sipas zonave tuaja. Konsiderojeni këtë si një periudhë fushate duke nisur që nga dje. Është shumë e rëndësishme që procesin zgjedhor brenda partisë ta ndjekim personalisht. Ka nevojë për ritëm të shtuar për të kapur afatet”, mësohet të jetë shprehur Çuçi.
Çuçi jep detaje
Ndërkohë teksa ishte i ftuara dje në mbrëmje në një studio televizive, kreu i grupit parlamentar socialist, Bledi Çuçi nuk e mohoi mundësinë e zhvillimit të zgjedhjeve të parakohshme. Edhe pse ai nuk e ka thënë drejtpërdrejtë, hapësirat për aludime janë lënë nga forca më e madhe politike në vend. Në Asamblenë e Përgjithshme që u zhvillua dy ditë më parë, me dyer të mbyllur, ka qenë kryeministri Edi Rama që ka dhënë udhëzime për përgatitje për zgjedhje të parakohshme. E njëjta linjë është mbajtur edhe nga kreu i grupit parlamentar Bledi Çuçi, gjatë mbledhjes së sotme me deputetët, ku mësohet së ka deklaruar që tashmë jemi në fushatë dhe kanë nisur përgatitjet për zgjedhjet. Në një intervistë mbrëmjen e djeshme Çuçi e ka lënë të hapur këtë mundësi. “Nuk ka asnjë arsye apo frikë që të ketë zgjedhje të parakohshme”, ka thënë ai. Sipas Çuçit, nisja e përgatitjes për zgjedhje nuk është alarm, edhe pse është ende herët, duke marrë parasysh se zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme janë pas më shumë se një viti. Madje kjo për kreun e grupit parlamentar socialist është diçka normale. “Ne jemi partia më e madhe më e strukturuara më e konsoliduar, edhe në rajon PS e Shqipërisë është më e organizuara. Dhe është normale që një vit përpara zgjedhjeve të fillojmë organizimin kapilar dhe nuk ka të bëjë me një frikë apo paramendim për të shkuar në zgjedhje të parakohshme. Nuk është alarm, po të na keni ndjekur ndër vite gjithmonë e kemi bërë. Në çdo zgjedhje qoftë vendore apo qendrore, një vit përpara fillojmë organizmin e partisë që makinerinë tonë ta bëjmë gati për fushatën e radhës. Nuk ka asgjë të bërë ndryshe. Duhet të merret në konsideratë që një vit para zgjedhjeve numri që abstenon është shumë i madh”, nënvizoi Çuçi.
Mbledhja e Asamblesë së PS
Nga ana tjetër, gazeta “SOT” ka zbuluar pjesë të tjera të diskutimeve nga mbledhja e dy ditëve më parë me dyer të mbyllura në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste. Mësohet se ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu kur ka marrë fjalën është shprehur se Kavaja nuk ka bërë asnjë analizë pas humbjes së zgjedhjeve të 14 majit, të cilat në raundin e parë u fituan nga kandidati i Rithemelimit, Fisnik Qosja. Në këtë moment ka ndërhyrë kryetari i PS-së, Edi Rama dhe ka kërkuar llogari tek Etjen Xhafaj, i deleguari për qarkun e Tiranës në Kavajë. E vërtetë është? Çfarë ke bërë ti aty? Pse nuk ke bërë asnjë analizë?”, mësohet të ketë thënë Rama. Më pas Etjen Xhafa ka marrë fjalën duke u justifikuar: “Ne kemi bërë një analizë por nuk është bërë përfundimtare për sa kohë njerëzit presin të gjejnë, cili ka qenë përgjegjësi “apo tradhtari” që na ka çuar në humbje. Ne e kemi gjetur kush ka qenë “përgjegjësi” apo “tradhtari”, por nuk mund ta themi në këto momente”. Sakaq, gazeta “SOT” ka zbuluar dhe ndërhyrjet e Ramës pas raportimit të deputetit të Vlorës, Anduel Tahiraj. Rama me një ironi therëse, e cila ishte edhe një mesazh në fakt, për punën e PS në qarkun e Vlorës ku është zgjedhur deputet, i ka tërhequr vëmendjen Tahirajt. “Ti Anduel bën takime me pesë veta dhe mbrapa ke edhe foton e Ismail Qemalit, duke dëgjuar Kuvendin tuaj, ndërkohë raporton takime me 15 veta në sistemin e rienergjizimit të PS”, mësohet të ketë thënë kryeministri Edi Rama. Kaq është dashur që kjo batutë e Ramës të prodhojë të qeshura në mesin e anëtarëve të Asamblesë Kombëtare në atë që mund të konsiderohet “një provim” me notë jo plotësisht kaluese ndaj performancës të Organizatave Socialiste në bazë.