Pas shkarkimit pa asnjë bazë ligjore të tre gjeneralëve, Sandër Lleshi, Abaz Lleshi dhe Dhori Spirollari, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ka shkelur për herë të dytë ligjin, pasi tre vendet në Ushtrinë shqiptare vijojnë të mbeten vakante. Kandidati për deputet i PS për Qarkun e Fierit, Piro Lutaj, njëkohësisht anëtar i Komisionit të Sigurisë, në një prononcim për gazetën “Sot”, ka akuzuar ministrin e Mbrojtjes, Arben Imami, se ka shndërruar Ushtrinë në një bandë mafioze, në favor të aferave korruptive, që kanë të bëjnë me trafikun e armëve dhe pronat. Lutaj denoncoi sërish shkarkimin në mënyrë të paligjshme të tre gjeneralëve, ndërkohë edhe faktin se tre vendet vijojnë të mbeten vakante. Megjithatë, Lutaj u shpreh se edhe nëse do të kryhet zëvendësimi i tre gjeneralëve, emërimet do të jenë sërish të paligjshme. Deputeti socialist, një nga zërat më opozitarë sa i takon aferave me Ushtrinë shqiptare, u shpreh se Imami ka marrë peng Ministrinë e Mbrojtjes. “Në Ministrinë e Mbrojtjes nuk ka struktura. Çdo gjë është në dorë të Imamit. Gjeneralët duhet të ishin në detyrë. Ata janë shkarkuar në mënyrë të paligjshme. I paligjshëm është edhe fakti se tre vendet mbeten vakante, por sidoqoftë emërimet do të ishin sërish të paligjshme. Fillimisht duhet të zgjidhim problemin e parë. Imami ka marrë peng Ministrinë e Mbrojtjes, e ka shndërruar në bandë private”, u shpreh Lutaj. Ai bëri thirrje që në 23 qershor të votohet e majta shqiptare, për t’i dhënë fund mungesës së demokracisë. “Në qoftë se nuk kundërshtojmë padrejtësitë dhe mungesën e demokracisë, atëherë kemi për të qenë gjithmonë të shtypur. Nëse nuk shprehim vizionin tonë, atëherë nuk mund të presim një të ardhme evropiane. Kështu që vota është një detyrë qytetare, është rruga për të shprehur të gjithë bashkë vizionin dhe aspiratat”, u shpreh Lutaj. Në të njëjtën linjë ka qenë edhe deputeti socialist, kandidat për Qarkun e Fierit, Arben Çuko, i cili ka akuzuar partinë në pushtet se ka shndërruar Ushtrinë, pasurinë kombëtare, në pronë private. Sa i takon shkarkimit të tre gjeneralëve, Çuko ritheksoi se ata do të riemërohen kur PS të vijë në pushtet.
Ushtria, në shërbim të zgjedhjeve
Deputetët socialistë kanë akuzuar sërish Imamin se po përdor Ushtrinë në shërbim të fushatës elektorale. Ndërkohë, sipas të majtëve, mazhoranca me ligjin e ri ka shndërruar në superagjenci SHIU, për të ushtruar terror te zgjedhësit, me synim për të manipuluar zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit. Lutaj deklaroi një fakt tjetër se, ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, ka vendosur forcat dhe mjetet e ushtrisë në funksion të fushatës elektorale për zgjedhjet e 23 Qershorit, duke shkelur rëndë parimin bazë të FA, atë të depolitizimit. “42 mjete të ushtrisë shqiptare janë sot të shpërndara anë e mbanë, në mbështetje të kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike. 10 mjete në Komunën Belsh, Elbasan për shtrim rrugësh; 10 mjete në Komunën Orenje-Librazhd për ndërtim e shtrim rrugësh; 10 mjete në Komunën Qukës, Librazhd për ndërtim ure; 12 mjete dhe 20.000 litra naftë në Lumin e Vlorës për shtrim rruge, në mbështetje të fushatës së zëvendësministres Arta Musaraj. Kjo mënyrë e përdorimit të forcave dhe mjeteve të ushtrisë për qëllime të pastra politike, ngarkojnë me përgjegjësi ligjore ministrin e Mbrojtjes, por nuk do të ngelen jashtë përgjegjësisë, as ushtarakët e të gjitha niveleve që zbatojnë urdhra të tillë të kundraligjshëm”, u shpreh Lutaj.
Shkarkimi i tre gjeneralëve, pa motiv
Tre gjeneralë të Forcave të Armatosura, mes të cilëve edhe zëvendësshefi i Shtabit të Përgjithshëm, Sandër Lleshi, janë shkarkuar nga detyra përmes dekreteve të Presidentit Nishani. Presidenti Nishani dekretoi lirimin nga detyra të Komandantit të Forcës Ajrore dhe daljen në lirim, Gjeneral Brigade Dhori Vangjel Spirollari; lirimin nga detyra të Zëvendësshefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura dhe daljen në lirim, Gjeneral Brigade Sandër Ndue Lleshi, si dhe lirimin nga detyra të Komandantit të Brigadës së Mbështetjes Rajonale dhe daljen në lirim, Gjeneral Brigade Abaz Liman Lleshi. Presidenca bëri të ditur se lirimet nga detyra kanë ardhur pas kërkesës së Ministrisë së Mbrojtjes, por nuk ka një motivacion për lirimin e tyre. Eneida Jaçaj