Zbardhet versioni final i ligjit për amnistinë penale. Ndonëse mazhoranca u mundua dje gjatë gjithë ditës të justifikohet se nuk do të ketë amnisti për zyrtarët e korruptuar, në fakt ata do të përfitojnë. “Pamfleti” ka siguruar variantin final që do të kalojë sot për votim si dhe amendamentin e deputetit demokrat, Bledion Nallbati, që i vë vulën pazarit Berisha-Rama. Për të qenë më të saktë. Bledion Nallbati ka propozuar që të shfuqizohet pika “c” e pikës “2” në nenin 5. Në këtë pikë thuhej: “Pavarësisht nga parashikimet e pikës 1, të këtij neni, nuk përfitojnë zbritje të dënimit: personat e dënuar, akuzat penale ndaj të cilëve janë gjykuar nga Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, sipas përcaktimeve të nenit 75/a të Kodit të Procedurës Penale”. Socialistë e pranuan këtë propozim dhe e kanë reflektuar në ligj. Ministri i Drejtësisë paradite u shpreh se nuk preken dosjet që ka në dorë SPAK, por në fakt bëhet fjalë për diçka tjetër. Ministri flet për nenin 6 ndërsa “puçi” qëndron te neni 5. Në variantin final kufizimi hiqet dhe me këtë draft, të gjithë zyrtarët e dënuar përfitojnë ulje dënimi 1 vit burrat dhe 1 vit e gjysmë gratë. “Pavarësisht nga parashikimet e pikës 1 të këtij neni, nuk përfitojnë zbritje të dënimit: a) personat e dënuar me burgim për veprat penale të parashikuara në nenet 79, 79/a, 79/b dhe 79/c të Kodit Penal; b) personat e dënuar me burgim të përjetshëm”, thuhet në variantin final. Pra pika “c” është hequr. Sa i takon sqarimit të ministrit Manja, në nenin 6 është specifikuar që përjashtohen nga amnistia e ndjekjes penale zyrtarët që janë subjekt i GJKKO. Pra nuk përfitojnë amnisti ata që janë nën hetim. Por ata që janë dënuar përfitojnë ulje dënimi. Për të qenë më të saktë, emra si Safet Gjici, Lefter Koka, Alqi Bllako, Lefter Alla, etj, do të kenë ulje dënimi. Testi do jetë sot, ku do shihet nëse PS do i sigurojë a jo 84 vota.