Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, pjesë e kabinetit qeveritar në mandatin e parë të kryeministrit Edi Rama, u arrestua sot nën dyshimet për përfshirje në një skemë korrupsioni për përfitime nga fondet e Agjencisë së koordinimit të ndihmës së huaj (SASPAC), të cilën e drejtonte që prej vitit 2021, si dhe për fshehje të pasurisë.
Përveç tij, mësohet se Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të organizuar dhe Korrupsionit, ka lëshuar urdhëra arresti me burg dhe për dy persona të tjerë, Ermal Kurtullën, një bashkëpunëtor i ngushtë i zotit Beqaj, dhe Alfred Nikollën, drejtues i një kompanie private që merrej me organizimin e eventeve.
Për katër persona të tjerë, të gjithë me aktivitet privat është vendosur masa arrest shtëpie (Gazmend Haxhia dhe Elton Marini) apo detyrim paraqitje (Bledar Leka dhe Bjona Zijaj).
Për të gjithë emrat e përfshirë në këtë hetim, janë ngritur një seri akuzash, nga korrupsion, te fshehje të pasurisë, mashtrim apo dhe shkelje të barazisë në tendera.
Lidhur me këtë arrestim në një emision televiziv, avokat Gylsen Zhllima theksoi se ky rast na risjell në vëmendje deklaratën e famshme të socialistit Eduard Shalsi: “Që ne do të vjedhim ndryshe kur të vijmë në pushtet”.
“Po ky është rasti. Këta janë futur në pushtet duke abuzuar sepse kanë mbështetjen politike të kryeministrit. Dhe pa pasur bekimin e tij nuk mund të bësh asnjë veprim në institucionet shtetërore për të vjedhur.
Dhe këtu kemi të bëjmë me faktin se vetë kryeministri nuk e ka pastruar fare qeverinë e tij. Pra, ai shkon e zgjedh njerëz që nuk kanë fare integritet sepse kemi rastin se janë dënuar disa persona, nuk flas vetëm për Beqajn.
Por ama është e pamundur të imagjinosh kaq shumë të korruptuar në qeveri. Si do të shkosh ti në Bashkimin Evropian me këtë gjendje?”, u shpreh ndër të tjera, avokati Zhllima.