Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken vizitoi Tiranën më 15 Shkurt. Qëllimi i ardhjes së tij nuk dihej dhe Kryeministria u shfaq në qiellin e shtatë, pasi kanë qenë burime mediatike pranë qeverisë të cilat e shpërndanë në mënyre rrufe lajmin. Por tashmë pas asaj vizite, në mazhorancë dhe kryesisht tek zyra e Edi Ramës “ka rënë zia”. Të gjithë mendojnë se Blinken i bëri qokën kryeministrit pasi e quajti një lider me vlera. Por e vërteta është se në të gjitha situatat sekretarët amerikanë, apo zyrtarë të lartë të SHBA kanë mbështetur kryeministrat në detyrë, siç vlerësuan dhe Sali Berishën kur ishte në pushtet, duke e quajtur dhe “burrë shteti”, por që më pas e shpallën “non grata”. Të gjitha këto janë qëndrime politike dhe publike dhe takimi me Ramën “kokë më kokë” ishte i detyrueshëm, pasi këto gjëra ndodhin në diplomaci. Por në prapaskenë janë dhënë mesazhe të forta dhe ato u qartësuan pas largimit të Blinken. Madje ndodhi edhe një e papritur. Blinken refuzoi darkën me Ramën, e cila ishte e përgatitur në vilën Nr.30 në Tiranë apo siç njihet ndryshe edhe Vila e ish-kryeministrit Mehmet Shehu.
Përgatitjet që kishte bërë Rama dhe refuzimi i Blinken
Çfarë mund të ketë ndodhur pas takimit me Ramën, që detyroi Blinken të mos darkonte, por edhe të mos takonte opozitën? Gjatë konferencës që zhvilloi ai tha se do të takohet edhe me pjesëtarë të opozitës kur të kthehej nga darka. “Unë kam pasur një mundësi të takohem me një sërë njerëzish, përveç atyre që takova që i përkasin politikës. Kam pasur mundësinë që të takohem me personalitete të Reformës në Drejtësi. Kur të kthehem nga darka do të kem mundësi të takohem me pjesën tjetër”, tha Blinken. Kjo nuk ndodhi. Darkën e anuluar, Rama u përpoq ta kalonte me një batutë. Gjatë fjalës së tij, Rama theksoi se Blinken preferoi më shumë ushqimin gjerman, se sa ushqimin shqiptar, që është më i shijshëm. “Natyrisht nuk mund të mos e ndaj me publikuan keqardhjen që një darke me ne në Shqipëri dhe një darke në Mynih ju zgjodhën ushqimin jo dhe aq të shijshëm gjerman. Ne tonën e bëmë. Jam shumë i kënaqur nga bashkëbisedimi i hapur dhe niveli i ndërveprimit dhe mirëkuptimit mes nesh. Me vjen mirë që kjo vizitë koiçidon me përfundimin e misionit të Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit,” tha Rama.
Objektivi i qartë i Blinken
Fjalët e tij se Rama është një lider me shumë vlera që e ka shndërruar Tiranën me shumë ngjyra, i mbetën “në grykë” kryeministrit. Mesazhi i qartë i vizitës së tij u kuptua, pasi në të gjitha artikulimet e ambasadës, DASH-it, vetë sekretarit u kërkua që drejtësia duhet të shkojë sa më lart. Mesazhi i Blinken, takimi i tij kokë më kokë me krerët e drejtësisë së re, mbështetja e reformës dhe guximi që u kërkoi prokurorëve mund të ketë bërë që Blinken të ikte “i ngopur” dhe “i plotësuar” me misionin që erdhi në vendin tonë. Kuptohet që guximi nuk drejtohet ndaj opozitës, e cila në këtë rast nuk përfillet dhe nuk konsiderohet, por guximin Blinken indirekt e kërkoi ndaj pushtetit, ndaj zyrtarëve të lartë të saj dhe qeverisë. Që Shqipëria të futet në BE, kërkohet një provë e madhe, e cila u theksua në mënyrë shumë të qartë nga Blinken në takimin “kokë më kokë” me Edi Ramën. Në vende si Kroacia dhe Rumania, rrugët e integrimit janë hapur duke arrestuar ministra, ish-ministra dhe madje kryeministra. Duket se i njëjti shembull do të ndiqet dhe nga ne dhe ndaj zia vazhdon në mazhorancë.