Banka e Shqipërisë ka marrë vendim dy ditë më parë për revokimin e licencave të dy subjekteve financiare jobanka, përkatësisht licencën e shoqërisë “Final” dhe licencën e shoqërisë “Micro Credit Albania”. Por cila është diferenca mes dy kompanive që u është hequr licenca dhe kompanive të mikrokreditit? Diferenca në fakt qëndron në objektin e veprimtarisë. Ku jepet një licencë për subjekt financiar jobankë, kjo licencë përmban një serë shërbimesh, mes të cilave kredi dhënien, shërbimet këshilluese, ndërmjetësimin dhe shërbimet e tjera që i përkasin kësaj veprimtarie. Në rastin aktual, një nga segmentet ku është abuzuar, sipas bankës së Shqipërisë, është ai i mbledhjes së kredive më probleme, që përbën objekt të veprimtarisë së tyre. Vetë shoqëritë e mikrokredisë janë distancuar duke mbajtur qëndrimin se këto kompani janë kompani për mbledhjen e kredive të prapambetura, përmes blerjes së portofoleve problematike. Por cila ishte skema që kanë aplikuar në këtë rast? Marrim një shembull. Një qytetar ka marrë një kredi në vlerë të vogël në vlerë 70 mijë lekë një bankë të nivelit të dytë për të përmbushur nevojat e tij të konsumit. Për shkak të neglizhencës apo pamundësisë paguese, një pjesë e kësaj kredie ka mbetur e papaguar dhe ka kaluar në regjistrin e kredive të këqija. Në këtë rast këto kompani kanë blerë këtë borxh nga banka e nivelit të dytë dhe kanë përdorur përmbaruesit për të mbledhur detyrimin ndaj qytetarit. Kompania ka arritur deri në stadin ku ka aplikuar edhe kamatëvonesë për kredimarrësin, duke i detyruar të paguajnë më shumë dhe në rast të pamundësisë paguese, i janë bllokuar llogaritë apo i janë marrë pasur, duke e rrënuar ekonomikisht. Aktualisht janë 27 subjekte financiare jo banka dhe institucione financiare të mikrokreditit të licencuara nga banka e Shqipërisë. Nga viti 2002 dhe deri më tani, Banka e Shqipërisë ka revokuar licencat për 16 institucione financiare jo banka, ku përfshihen edhe institucionet financiare të mikrokreditit. Një pjesë prej tyre janë rikthyer sërish në treg. Një nga pikëpyetjet që mbetet është fati i portofoleve të klientëve dhe fakti nëse do të ketë rimbursim për klientët që janë abuzuar. Banka e Shqipërisë bën me dije se do të dalë me një njoftim të dytë për të dhënë sqarime të plota për të gjithë klientët e interesuar se si do të trajtohen në vijimësi portofolet e këtyre dy subjekteve.
Spektakël në koncertin e Noizy-t, reperi surprizon në mënyrë të veçantë fansin e tij, video-ja bën xhiro në rrjet
Reperi mjaft i dashur për publikun, Noizy është gjithmonë në qendër të vëmendjes sa i përket këngëve dhe koncerteve të...
Lexo më shumë