Vizita e fundit në Tiranë e Koordinatorit për Anti-Korrupsionin Global në Departamentin Amerikan të Shtetit, Richard Nephew zbuloi përfundimisht se marrëdhëniet midis kryeministrit shqiptar Edi Rama dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë në nivelin më të ulët që mund të ketë pasur ndonjëherë një kryeministër në raport me të vetmin aleat strategjik në 30 vitet e fundit. E themi këtë pasi në detajet dhe pamjet e takimeve të Richard Nephew që shpërndau Ambasada Amerikane, në asnjë moment nuk shfaqet Edi Rama. Zyrtari i lartë i DASH u takua me përfaqësues të shoqërisë civile, me prokurorë të SPAK, zyrtarë të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKPKI), si dhe përfaqësues të Agjencisë së Prokurimit Publik.
Mesazhi i fortë i SHBA
Në fund ai zhvilloi dhe një intervistë me Zërin e Amerikës, ku hapur fare jepet një mesazh shumë i fortë nga SHBA që penalizon sistemin e korruptuar të qeverisë. Pyetja e VOA ndaj Nepheë lidhej drejtpërdrejt me Ramën dhe arrestimin e bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë. “Në dy vitet e fundit, kemi parë raste zyrtarësh apo ish zyrtarësh të lartë të qeverisë të cilët ose janë dënuar ose janë vënë nën akuzë për korrupsionit. Kryeministri e ka trajtuar gjithmonë këtë si një çështje individuale. Teknikisht korrekte, edhe sepse ligjërisht përgjegjësia mbetet individuale. Por kur kemi një numër jo të pakët zyrtarësh, qoftë dhe ish anëtarë të kabinetit qeveritar, a nuk duket se është e vështirë të besosh se përgjegjësia është vetëm çështje individësh. Ju si e shihni këtë?”, pyet Zëri Amerikës. Por përgjigjja e Nephew tregon qartë se pse fokusi i vizitës së tij ishte drejtësia e re nën patronazhin amerikan dhe jo politika që ka krijuar këtë sistem të korruptuar. “Sigurisht është e vërtetë që korrupsioni ka të bëjë me individë, individë që kryejnë shkelje që nuk duhet t’i bëjnë. Por është po ashtu e vërtetë që ata individë funksionojnë brenda një sistemi. Ndaj kur ke shenja se ka një numër individësh që përfshihen në shkelje, duhet të shohësh jo vetëm se si t’i përgjigjesh atyre. Dhe kjo bëhet duke siguruar që gjyqësori të jetë i pavarur dhe i aftë të funksionojë i pavarur, që prokurorët janë në gjendje të veprojnë të pavarur, por në të njëjtën kohë, edhe që je duke bërë ato lloj përmirësimesh të sistemit që nevojiten dhe kjo është arsyeja pse raportet ndërkombëtare dhe organizatat e shoqërisë civile bëjnë gjithë atë punë për të identifikuar se ku janë këto nevoja për të kryer përmirësime të sistemit dhe, në Shqipëri, ashtu si në shumë vende, kur çështje të tilla identifikohen, është me rëndësi që të merresh me to ballë për ballë”, tha ai pak ditë më parë.
Raportet e ngrira të Ramës me SHBA
Prej kohësh raportet e tij me amerikanët janë të ngrira, ku nuk kanë munguar akuzat e tij ndaj raporteve kritike të shtetit amerikan, të cilat i ka komentuar si copy paste të raporteve të mëparshme. Nuk kanë munguar sulmet e tij ndaj ambasadores amerikane, ku epiteti i vënë ndaj saj si sekretare partie ishte një kulminacion i nervozizmit të tij. Prej kohësh kryeministri shqiptar ka sfiduar partnerët amerikanë, duke filluar me largimin e Gledis Nanos, drejtorit të SHISH, apo dhe rrëzimin e kandidaturës së Ardian Dvoranit si kampioni i antikorrupsionit për shtetin amerikan. Por më e rëndësishmja dhe bashkëpunimi i vazhdueshëm i Edi Ramës me “non gratat”. Amerikanët kërkojnë që ata të dalin nga sistemi, Rama iu jep “oksigjen”. Gazeta së fundmi ka evidentuar dhe planet e bashkëpunimet Rama-Berisha për të goditur SPAK, por edhe për të favorizuar biznesmenët dhe oligarkët që i mbështesin.
Sulmet e Ramës ndaj Yuri Kim
Më 18 mars të vitit 2022, kryeministri Edi Rama e krahasoi ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim, me një personazh nga e kaluara moniste, si sekretare e partisë, të cilët në memorien kombëtare kanë ngelur njerëzit më të egër të diktaturës së proletariatit. “Na vjen mirë që jemi të gjithë bashkë këtu. Më pëlqeu shumë ajo që tha rektori “ju garantojmë zonja ambasadore”. Më kujtoi kohën kur vinte sekretari i partisë dhe i thotë rektori i vjetër ju garantojmë shoku sekretar që ne do punojmë. Faleminderit shumë. Këto kisha unë. Rroftë miqësia shqiptare-afgane”, u shpreh Rama.
Sulmet e Ramës ndaj DASH dhe Ambasadës Amerikane
Rama sulmoi SHBA edhe më 13 prill të vitit 2022. Rama deklaroi se raporti i DASH është copy-paste i vitit më parë, ku sipas tij nuk figurojnë as arritjet që amerikanët i kanë thënë vetë gjatë vitit që kaloi. Ndërkohë shefi i qeverisë ka sulmuar Yuri Kim edhe më 21 prill vitit 2022. Ai e akuzoi se po ndërhyn në punët e brendshme të Shqipërisë. “Jeni bërë si ambasada amerikane këtu në Tiranë. Caktoni kush duhet të iki, kush duhet të rrijë, kush ka vjedhur e kush…merrni raportin e DASH sikur e keni nxjerrë ju! Ë! Është qesharake. Flisni sikur keni imunitet diplomatik nga ambasada amerikane. Gënjeni veten që të jeni shumë të qartë”.
Kryeministri akuza ambasadës së SHBA: Po ndërhyni në punët tona
Ndërkohë shefi i qeverisë ka sulmuar ambasadoren Yuri Kim edhe më 21 prill të vitit 2022. Ai e akuzoi se po ndërhyn në punët e brendshme të Shqipërisë. Teksa përbalte opozitën ai tha se: “Jeni bërë si ambasada amerikane këtu në Tiranë. Caktoni kush duhet të iki, kush duhet të rrijë, kush ka vjedhur e kush…merrni raportin e DASH sikur e keni nxjerrë ju! Ë! Është qesharake. Flisni sikur keni imunitet diplomatik nga ambasada amerikane. Gënjeni veten që të jeni shumë të qartë. Kapuni mbas Flamurit të PD, se atë amerikan ka kush e kap. E kapin amerikanët. E keni bërë si ato çarçafët e shtëpive të qejfit. Mos na e trego ne nga çfarë u distancuam ne dhe nga cila duhet që të distancoheni ju. E dimë shumë mirë çfarë bëjmë. Mos na e qani hallin për marrëdhëniet as më Amerikën, as Europën dhe as më shqiptarët. Për shkakun tuaj janë ekskluzive tonat. Këto lojërat me flamur amerikan, iu bëjnë qesharak”, deklaroi Rama.
Sherri për kreun e ri të SPAK
Sherri mes Ramës dhe ambasadores amerikane Yuri Kim kapi majat me Altin Dumanin, kreun e ri të SPAK që po godet të paprekshmit. Kreu i qeverisë shqiptare synonte të kapte institucionin e SPAK, duke katapultuar në krye të tij një “besnik” të tyre, por në fund kryeministri e humbi betejën me amerikanët. Loja e pistë, duket se u nuhat me të drejtë nga Uashingtoni, i cili ka mbështetur reformën në drejtësi dhe institucionet e dala prej saj me miliona dollar fonde, ndërsa u fut në lojë, duke “prerë” duart e zgjatura nga politika, për të kapur Prokurorinë Speciale Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dhe shantazhuar anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.