Qeveria e Edi Ramës, tashmë është provuar në 11 vite si qeverisje me abuzime, ndërtim administrate me zyrtarë të korruptuar, me diploma false e të penalizuar, me familjarë e klane interesash. Në 11 vite pushtet, alternativa “Rama” qeverisi me skandale ekonomike, me krime njerëzore, me trafiqe, me mashtrime sociale, me borxhe publike, me largim masiv të shqiptarëve, me plaçkitje pronash e pasurish kombëtare, me biznese familjare, me koncesione mafioze mbi pasuritë kombëtare, me ligj-bërje mafioze në shërbim të interesave të kupolës qeveritare e mafies ndërkombëtare e deri me akte tradhtie, me copëtim e shitje të trojeve kombëtare. Prokuroria e Posaçme tregoi dhe vazhdon të tregojë se kjo qeverisjeje është e mbushur vetëm skandale e krime mafioze, që kanë si autorë dhe mbrojtës vetëm kryeministrin, ministra, deputetë, politikanë, familjarë të tyre dhe shërbëtorë të pushtetit. Gazeta “SOT” flet me fakte dhe më poshtë do të rendisim vetëm disa nga gropat financiare të investimeve me paratë e shqiptarëve, pasi nëse i përmendim të gjitha sot nuk do të mbaronim dot kurrë!
Inceneratorët
Inceneratorët kanë dalë si një nga aferat më të mëdha në 32 vitet e pluralizmit shqiptar, ndërkohë që deri në fund Rama i ka mbrojtur projektet, të cilat SPAK i tregoi me fakte si skema korruptive. Në një prej debateve televizive, para disa kohësh ku denoncoheshin inceneratorët, Edi Rama me arrogancë ka thënë në studio: në qoftë se nuk do ishin këta si Klodian Zoto ju do të ishit pa bukë. Koha tregoi se kjo “gropë e zezë” ka grabitur miliona euro pa kryer asnjë punë. Për këtë aferë galopante janë dënuar ministra dhe ish.zv-kryeministra, por në fakt, është tashmë e provuar që pa Ramën, inceneratorët ishin një mision i pamundur. Edhe nëse ai ka qenë aq i kujdesshëm sa të mos implikohet penalisht, shurdhëria dhe memecëria ndaj denoncimeve kundër korrupsionit për 6 vite rresht, është një tjetër gur që e rëndon pozicionin e tij.
Koncesionet në shëndetësi
Ashtu si inceneratorët, koha tregoi aferat e rënda të Ramës me koncesionet në shëndetësi. Po sjellim më poshtë një deklaratë të kreut të qeverisë në vitin 2016, kur Rama u është përgjigjur atëherë kritikave të bëra në adresë të qeverisë së tij për koncesionet në shëndetësi. Duke folur nga podiumi i Parlamentit, Rama ka theksuar në atë kohë se situata në spitale është shumë ndryshe nga si ka qenë më parë. Kryeministri gjithashtu mori në mbrojtje Ilir Beqajm, i cili sot është drejt prangave nga SPAK, pikërisht nga abuzimet me këto koncesione. Sipas Edi Ramës, spitalet kanë ofruar shërbime cilësore për qytetarët, por opozita refuzon të pranojë diçka të tillë, madje pretendimet e deputetëve, ai i quajti përralla dhe pa asnjë bazë të vërtetë. “Përrallën e koncesioneve në shëndetësi tregojeni sa të doni, nuk ju beson njeri. E vërteta është se qytetarët e provojnë dhe kjo është shumë e thjeshtë. Ata marrin shërbime cilësore dhe nuk nxjerrin para nga xhepi. Ne nuk do të humbasim më kohë për t’u mbushur mendjen atyre që shqiptarët i duan të pandriçuar për këtë çështje”, ka thënë Edi Rama gjatë fjalës në Kuvend në vitin 2016. Sot të 5 koncesionet në shëndetësi janë në filtrin e SPAK. Abuzimet janë shumë të mëdha.
Rrugët e lëna “rrugëve”
Përveç shëndetësisë, të vetmen “kartë” propagandistike demagogjike me të cilën ka penetruar në këto 11 vite pushtet kryeministri Edi Rama, kanë qenë ndërtimi i rrugëve. Demagogu Edi Rama nuk ka reshtur së foluri gjithë këto vite për ndërtim rrugësh, autostradash, rrugësh rurale, rrugësh nëpër lagje fshatrash. Që Edi Rma ka derdhur miliarda euro në tender rrugësh, kjo tashmë dihet. Por që nuk ka bërë ato kilometra rrugësh që i deklaron dhe ashtu siç duhen bërë rrugët, sidomos ato nacionale e internacionale, këtë po e shohin me sy dhe po e provojnë përditë në qarkullim shqiptarët, bizneset, turistët. Këtë propagandë, Edi Rama nuk e ka bërë se ka pasur merakun që shqiptarët janë pa rrugë, por e ka bërë dhe po e bën, vetëm e vetëm për të përligjur qëndrimin në pushtet deri në 2029, ashtu siç pretendon vetë Rama.
Skandalet
Rrugët edhe pse paraqiten si “emblema” e arritjeve të qeverisë, në fakt, janë simboli i korrupsionit dhe aksidenteve, i mashtrimeve elektorale dhe i lënies së tyre në gjendje katastrofike e të papërfunduara. Deri më tani asnjë rrugë nuk është përfunduar. Rruga e Arbrit që shkurton distancën e Dibrës me Tiranën dhjetëra kilometra, ende nuk ka përfunduar totalisht edhe pse afati i kontratës ka skaduar. Ekspertët shprehen të shqetësuar lidhur me buxhetin që kjo rrugë ka “ngrënë” dhe defektet e saj, të cilat u bënë evidente që në ditët e para pas inaugurimit dhe vazhdojnë të shkaktojnë aksidente si pasojë e vjedhjeve galopante. Rruga prej 43 km Qukës- Qafë Plloçë, që filloi në vitin 2009, duhet të përfundonte në vitin 2014, por akoma nuk ka të sosur. Rruga u prokurua me 73 milionë euro por ndër vite çmimi me vjedhje është pathuaj katërfishuar dhe ka arritur në 225 milionë euro. Gjithashtu, rreth 72 milion euro u shpenzuan për ndërtimin e rrugës Korçë-Ersekë (35 km gjithsej) që disa javë më parë u përpinë nga gropa e madhe e korrupsionit. “Rruga e florinjtë”, pa mbushur as vitin nga inaugurimi, u shemb në një pjesë të konsiderueshme të saj duke e ndërprerë qarkullimin automobilistik. Për të shkuar sot nga Korça në Kolonjë apo anasjelltas janë të hapura vetëm shtigjet e dhenve! As bombardimet e pushtuesve në Luftën e Parë Botërore dhe në Luftën e Dytën Botërore nuk e shkatërruan rrugën dhe as e ndërprenë dot lidhjen mes Korçës dhe Kolonjës. Këtë mundi ta bënte vetëm korrupsioni i shfrenuar dhe babëzia e kësaj qeverie. Edhe “Unaza e Re” që ka vite që ka nisur ende nuk ka përfunduar. Në dalje të Astirit, nuk shihet asnjë punëtor. Por kjo nuk i bën përshtypje Edi Ramës. Ai vazhdon t’i inagurojë online. Themi se kjo është qeveria më e dështuar në histori pasi qytetarët donin të arsimohen më mirë, por me Edi Ramën, numri i nxënësve dhe studentëve ra ndjeshëm, shkollat u mbyllën. Qytetarët donin uljen e taksave, por me Edi Ramën përfunduan si qytetarët që taksohen më shumë në rajon. Qytetarët donin më pak korrupsion, por qeveria e Edi Ramës vazhdon të shpallet kampione europiane e korrupsionit. Qytetarët më fshat donin subvencione dhe disa investime normale për bujqësinë, por nuk morën kurrë asgjë nga qeveria e Edi Ramës. Madje lekët e taksapaguesve evropianë u vodhën nga “besnikët” e Edi Ramës . Qytetarët donin të merrnin e të gëzonin pronat sipas premtimit, por Edi Rama e dha bregdetin falas ose me 1 euro tek 4-5 oligarkë.