Politologu Ilir Kalemaj duke komentuar në një emision televiziv modelin e Edi Ramës në PS, përdori termin “autoritarizëm konkurrues”.
Kalemaj tha që modeli Rama kërkon akaparimin e çdo institucioni dhe bashkie, pa limite.
Problemi i opozitës sipas tij është mungesa e një strategjie të përbashkët dhe gjuha asgjësuese kundër njëri-tjetrit.
“Qeveria Rama e ka çuar në 200 mijë veta administratën publike, ku një pjesë e tyre janë patronazhistë. Që do të thotë unë përdor çdo lloj forme, kërrbaç, karotë, që ti të votosh PS-në. Fakti që nga raportet ndërkombëtare thuhet që janë përdorur 9 mijë patronazhistë, çfarë pret ti?! Problemi është që kur je parti-shtet, ti thua ke një problem në Kadastër, po s’më votove s’të merr zgjidhje ai problem. Këto skandale kanë dalë sa të duash.
Ata e çuan në një shkallë tjetër, te aktivisti, patronazhisti 2.0. Kjo është gjëja më shqetësuese që partia-shtet ka konsoliduar këtë elektorat 800 mijë veta, dhe ata që po largohen janë të pakënaqurit, votuesit e opozitës. Qeveria thotë Regani është problemi. Këtu qeveria është bërë njësh me partinë. Në Asamble merret Dokle 77 vjeç edhe Ruçi, edhe thuhet që kemi nevojë për energjitë tuaja! Kritikohet Xhaçka pse s’ka postuar në Facebook. Këtu s’ka punë këtu ka vetëm propagandë, nga mëngjesi deri në darkë.
Autoritarizëm konkurrues është termi më i mirë që e përcakton. Ajo “Rama kundër Ramës” është që Rama po përpiqet të krijojë franksione nominale në mënyrë që të jetë ai përsëri, që ofron të njëjtën alternativë. Problemi është te modeli Rama që do të akaparojë çdo lloj institucioni dhe bashkie. Rama s’po tregon asnjë lloj limiti. Problemi i opozitës s’është se është e fragmentizuar, madje përkundrazi mund të rriteshin aksionet, por mungesa është një strategjie të përbashkët dhe gjuha asgjësuese kundër njëri-tjetrit. Kjo mendoj që është disfatiste.”, tha Kalemaj.