Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, Engjëll Agaçi dhe zv/kryeministrja Belinda Balluku janë paraqitur së fundmi në Prokurorinë e Posaçme për të dhënë llogari për aferën e inceneratorit të Tiranës. Gjithashtu për këtë çështje në fund të muajit prill, u paraqit në SPAK dhe kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, i cili qëndroi afro 7 orë përballë hetuesve. Po ashtu drejtësia ka thirrur edhe kryebashkiaken e Durrësit, Emirjana Sako. Mesa duket kjo dosje është drejt fundit dhe zbarkimi i zyrtarëve të lartë të PS një nga një në SPAK ka futur në panik qeverinë. Mësohet se prokurori Dritan Prençi pritet që brenda muajit maj të vendosë lidhur me dosjen e inceneratorit të Tiranës nëse do e dërgojë për gjykim. Por çfarë ka ndodhur në SPAK dhe çfarë informacionesh kanë ndarë me hetuesit Balluku, Agaçi, Veliaj dhe Sako?
Tensioni pas daljes nga SPAK
Nëse lexojmë reagimet dhe deklaratat e tyre pas daljes nga SPAK shohim alarm, panik, por edhe ngazëllim. Si fillim, kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili shkoi të dëshmonte para Ballukut, Agaçit dhe Sakos. Kur doli nga SPAK ai tha ndër të tjera se “patëm një shterim total, të çështjes së inceneratorëve”, dhe se besonte se gjithçka ishte sqaruar. I vënë në qendër të akuzave zoti Veliaj ka mohuar të jetë i përfshirë në rastin e inceneratorit të Tiranës me të cilin, siç është shprehur “e vetmja gjë që më ka lidhur, ka qenë pastrimi i qytetit”. Për gazetarin dhe analistin Artur Zheji, Veliaj dha tre mesazhe të forta pas daljes nga SPAK. Sipas tij, kryebashkiaku konfirmoi se ka një krisje të madhe brenda mazhorancës. “Çështja është se çfarë po ndodh në këtë maxhorancë? Unë dua ta hap lojën ndryshe sepse verbi i Veliajt kur doli nga SPAK kishte tre mesazhe, i pari foli për armiqtë e brendshëm, i dyti e kishte me gazetarinë dhe termi i tretë që e tha në fillim, që ‘unë kam shkuar tek kolegët e mi dhe bashkëpunojmë. Po ti dekriptojmë këto si fjalë janë shumë, do të ketë tërmete shumë të mëdha pas tyre, nëse nuk janë fjalë të thëna nën trysni dhe presion. Tërmeti i parë është krisja brenda maxhorancës, tanimë nuk është më një konspiracion, por realitet i thënë nga kryetari bashkisë”, deklaroi Zheji.
Kë dogji në SPAK Balluku?
Ndryshe nga Veliaj, i cili sapo doli nga SPAK filloi sulmet, Belinda Balluku u shfaq shumë ndryshe, aq sa mund të konsiderohet si një nga njerëzit më të ngazëllyer që ka dalë ndonjëherë nga godina e prokurorisë speciale, ku u thirr për të dhënë shpjegime në lidhje me inceneratorin e Tiranës. Ministrja e energjisë shoqërohej nga këshilltari i saj, Florian Serjani në oborrin e prokurorisë dhe nuk e fshehu buzëqeshjen kur iu afrua gazetarëve. Për buzëqeshjen e Belinda Ballukut në dalje të prokurorisë mund të ngrihen shumë aludime, por që ajo pati një objektiv të qartë për ta ngarkuar me përgjegjësinë direkte të dhjetëra miliona eurove të “djegura”, kjo u duk nga fjalët e saj. Zv.kryeministrja tregoi se është treguar bashkëpunuese me SPAK.
Balluku kundër Veliajt
Deklarata që bëri zv.kryeministrja në dalje të prokurorisë lë vend për hamendësime. Kush janë të këqijtë dhe kush janë të mirët për të cilët flet Balluku në dosjen e inceneratorëve? Kush janë ata që kanë bërë punën e ndershme dhe kush duhet të marrë përsipër abuzimet e pafalshme? Kuptohet se kur flitet për inceneratorin e Tiranës titullari kryesor është kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili sipas paraardhësit të Ballukut në detyrë, Arben Ahmetajt është e pronari faktit i inceneratorit. Si nga mimika që shfaqi në dalje të SPAK, ashtu edhe nga deklarata për gazetarët, Belinda Balluku la të kuptohet se nuk është kursyer në informacionet që ka për këtë çështje. Po ashtu opozita në denoncimet e saj të fundit thotë se Belinda Balluku ashtu edhe administratori shtetëror bëjnë me faj Erjon Veliajn për mungesën e kontrollit ndaj pronarëve të inceneratorëve që përfundoi pastaj me vjedhjen e dhjetëra miliona eurove. “Përpos lajmeve të fabrikuara nga zyra e propagandës së Bashkisë Tiranë përmes mediave të paguara nga inceneratorët, jo vetëm nr.2 i qeverisë Belinda Balluku, por mbi të gjitha Administratori Shtetëror, bëjnë përgjegjës Bashkinë e Tiranës dhe specifikisht Erion Veliajn, për bllokimin e funksionimit të NJZP, e për pasojë zhdukjen e 132 milionë eurove në drejtim të paditur, pasi edhe sot që flasim, incenerator NUK KA, e ndërkohë pronari faktik Erion Veliaj merr përsipër pagesën në masën 100% të detyrimit kontraktual vjetor. Është e qartë si drita e diellit, se në të 3 momentet që analizuam emri i vetëm i përbashkët, është pronari faktik i Inceneratorit Tiranë Erion Veliaj,” u shpreh Belind Këlliçi.
Hile dhe pikëpyetje
Po ashtu gazetari Klodian Tomorri është shprehur se Balluku ka patur vitet e fundit një përplasje të nëndheshme me Veliajn. Sipas tij në atë kohë, inceneratorët ishin krenaria e qeverisë. Edi Rama i cilësonte ata si një nga punët më të mira që kishte bërë qeveria e tij. Por Belinda Balluku dukej se kishte alergji nga djegësit. |Për tre vjet me radhë, nga janari i vitit 2019 deri në mars të vitit 2022, njësia e zbatimit të projektit nuk u mblodh asnjëherë, edhe pse ligji ja ngarkonte këtë përgjegjësi ministrisë së Infrastrukturës. Në mars të vitit 2022 u ndryshua vendimi i qeverisë duke ja hequr përgjegjësinë e mbetjeve Belinda Ballukut dhe duke e lënë këtë përgjegjësi jetim. Pra një puç i dyfishtë. Me pak fjalë, paratë pagueshin lumë nga buxheti, por askush nuk shkonte të shihte se inceneratori nuk kishte asnjë tullë. Përgjatë kësaj kohe, nëndhe ka patur jo pak tensione mes minstrisë së Infrastrukturës dhe Bashkisë së Tiranës. Por ky tension do të dilte në sipërfaqe kur në media u publikua një shkresë e ministrisë së Infrastrukturës, sipas të cilës Balluku i kishte kërkuar 3 herë pas tetorit të vitit 2022, Bashkisë së Tiranës që të sillte anëtarët e saj në njësinë e zbatimit të kontratës. Por në fakt këtu ngrihej një pikëpyetje. Mbetjet kishin dalë nga përgjegjësia e ministrisë së Infrastrukturës që në mars të vitit 2022, ndaj shkresat ngjanin më tepër si një alibi se sa shqetësim real për të zbatuar ligjin”, shkruan Tomorri.
Roli i Engjëll Agaçit
Engjëll Agaçi pasi qëndroi brenda SPAK 3 orë, në fjalën e tij për mediat shtoi se të gjithë duhet të jenë në dispozicion të drejtësisë. “U thirrja për inceneratorin e Tiranës. Mendoj se ky nuk duhet të krijojë një lajm. Duhet të jemi në dispozicion të organeve të drejtësisë. Falemiderit!”, tha ai. Mësohet se zoti Agaçi ka dhënë shpjegime rreth procedurave të ndjekura nga qeveria, për miratimin fillimisht të bonusit kompanisë që mori përsipër ndërtimin e inceneratorit, e më pas dhe të kontratës. Hetimet paraprake të Prokurorisë kanë zbuluar se Këshilli i Ministrave i dha bonusin prej 8% kompanisë “Integrated Energy BV”, me seli në Holandë, e cila nuk ishte regjistruar si subjekt në Qendrën Kombëtare të Biznesit, siç e kërkon ligji, ndonëse një fakt i tillë i ishte vënë në dukje Ministrisë së Mjedisit nga ministrja e atërhershme e Shtetit për marrëdhëniet me parlamentin, ndërsa ishin shprehur vërejtje dhe nga ministria e Financave e ajo e Drejtësisë. Ndërsa, sipas akteve të Prokurorisë, kontrata finale rezulton e lidhur jo me “Integrated Energy BV”, por me “Integrated Energy BV SPV”, e regjistruar ditën e nënshkrimit të kontratës, më 31 gusht 2017. Gjithashtu akuzat ndaj tij nga opozita kanë qenë të shumta. Sipas deputetes Jorida Tabaku, Agaçi është përgjegjës për përshpejtimin e çdo procedure, për vendosjen e Këshillit të Ministrave në funksion të kompanisë së inceneratorit dhe ka tejkaluar kompetencat të cilat nuk i takonin këshillit të ministrave. “Këshilli i Ministrave nuk ka pse të miratojë çështje financiare të inceneratorit. Ministria e Financave i bën i kanë bërë për mburojë, për të hequr përgjegjësinë individuale e për ta bërë përgjegjësinë kolektive. Z.Agaci është përgjegjësi sepse ka marrë 17 vendime në këshillit të ministrave brenda 10 ditësh, është përgjegjës sepse ka ngritur të gjithë qeverinë në këmbë që kjo kontratë të firmosej në kohë rekord”, ka thën Tabaku. Një gjë është e sigurtë, situata në mazhorancë nuk është e mirë dhe tensionet sa vijnë e shtohen. Nuk është çudi që Balluku dhe Agaçi t’i kenë bërë puçin Veliajt, pasi ndaj kryebashkiakut të Tiranës janë lëshuar akuza dhe nga ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj i cili ka thanë se disa prej veprimeve të kryebashkiakut “janë ato të një pronari faktik” të inceneratorit.
Dëshmia e Emirjana Sakos
Nga ana tjetër, dyshohet se kryetarja Emirjana Sako qëndroi dy orë për të dhënë shpjegime për një kontratë për depzotimin e mbetjeve tek inceneratori i Tiranës që u kushton qytetarëve 10 milionë euro për koncesionarin dhe 15 milionë euro të tjera për transportin. Emirjana Sako është thirrur si dëshmitare edhe në komisionin hetimor parlamentar për inceneratorët të ngritur me kërkesë të opozitës. E vënë përballë pyetjeve të deputetëve të Partisë Demokratike, Sako në atë kohë braktisi mbledhjen me pretekstin se po i shtrembëronin fjalët. Pavarësisht thirrjeve të demokratëve se ajo do të procedohej penalisht për refuzim dëshmie, ajo u largua nga salla.