Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i është përgjigjur dje kërcënimeve të Sali Berishës për çështjen e heqjes së monumentit të dy gishtave në Kavajë. Ndërsa kryeministri Berisha e kërcënoi me tortura kryesocialistin Rama, ky i fundit ka deklaruar se monumenti është një shëmti estetike, duke nënkuptuar se monumenti do hiqet. Rama ka paralajmëruar rrëzimin e monumentit pas zgjedhjeve të 23 Qershorit. “Ai nuk ka lidhje me simbolin, por me formën, Kavaja nuk e meriton, sheshi demokracia ka qenë dhe do të mbetet, demokracinë nuk e solli Saliu, por studentët, intelektualët, shqiptarët, era e ndryshimit, Kavaja ka një rol shumë të madh”, tha Rama. Sipas tij, i takon Bashkisë e kreut të saj të zgjedhur me vullnetin e popullit, dhe jo Berishës, se çfarë do të bëhet me sheshin në Kavajë dhe projektet për të. ““Ne do e ndërtojmë sheshin dhe do i japim Kavajës përmasat e një qyteti mesdhetar dhe t’i japim atij komuniteti një shesh me dimension tjetër do jetë sërish sheshi “Demokracia”, por ai monument është siç e tha kryetari i Bashkisë së Kavajës, nuk është tamam monument, nuk janë tamam as dy gishta dhe ajo është një farsë. Nuk i takon Saliut të vendosë së çdo bëjë me monumentin kur Kavaja drejtohet nga Elvis Roshi dhe për më tepër që kryeministri ende në detyrë ka thënë se asnjë fond nuk jap për këtë qytet unë, përderisa Kavaja zgjodhi atë si kryetar bashkie”, tha ai. Kreu i PS ka deklaruar gjithashtu se kryeministri Berisha nuk ka asnjë lidhje me demokracinë. Rama i ka kujtuar kryeministrit Berisha se ka qenë pjesë e Bllokut dhe se ka bërë xhiro edhe me varkën e diktatorit. “Janë dyfishuar vjedhjet e banesave, grabitjet me dhunë, janë katërfishuar vrasjet. Pse? Se s’ka shtet, se kupola e Ministrisë së Brendshme është e lidhur me krimin. Familjet në fshat kanë nisur të blejnë çifte. Policia s’del as në telefon, kur vjen kërcënimi, familja, vëllazëria, komshiu, të fortët e lagjes, ndërtojnë çetën e vet. Pse? Se nuk ka shtet. Makinën ia vodhën dhe ministrit këta. Saliu na tregon NATO-n, sikur e ka themeluar ky NATO-n. Ky 25 vjet sekretar partie ka bërë luftë me NATO-n. Vazhdon e i gënjen disa, ca me idenë se jam nga veriu, jeni nga veriu, ky është njeriu jonë. Ç’domethënë njeriu jonë, ai është kryeministri që duhet t’ju gjeje punë. Ndajeni mendjen, doni punë vetë, hiqeni atë nga puna. Thotë komunistët, etërit. Ky bënte xhiro me varkën e bllokut dhe thotë rreziku na vjen nga Artan Gaçi. Deri tani i ka ecur me një pjesë, e kanë hëngër rrenën dhe u duket sikur jeta vazhdon edhe me rrena”, ka deklaruar ai.
Reagon Berisha
Kryeministri Berisha ka reaguar pas deklaratës së Ramës për monumentin e Kavajës. Berisha tha se ata dy gishtërinj përmbysën diktaturën. “Në këtë fushatë elektorale përballen dy alternativa. Alternativa e lirisë dhe besimit tek vlerat, alternativa e integrimit të Shqipërisë në Europë. Alternativa tjetër është alternativa e shpifjeve dhe mashtrimit, alternativa e bllokimit. Bëni çdo përpjekje me çdo të ri të bashkohet me ju me te ardhmen, me fitoren, me shkollimin tuaj. Alternativa tjetër është alternativa që ka kundërshtuar çdo hap të prindërve tuaj të shqiptarëve për anëtarësim në NATO. Ndaj ju ftoj sot me 2 gishtërinj krenarë si 20 vjet më parë me këta gishtërinj përpjetë ne përmbysëm diktaturën më të egër në Europë. Shembëm regjimin e etërve të Edi Ramës. Me këta gishtërinj përpjetë nisëm rrugën e Europës, rritëm ekonominë shqiptare 400 herë, morëm anëtarësimin në NATO. Edi Rama bllokmen deklaroi në Vlorë se 2 gishtërinjtë janë bajoneta që u është ngulur në sy shqiptarëve. Ne e lemë në autobusin mavi ku trikoja i duket parzmore, stilografi furrë që do e përvëlojë, ne do ecim përpara për punësimin”, tha kryeministri Berisha.
Kërcënimi
Kryeministri Berisha ka kërcënuar opozitën nga Kavaja për monumentin e Kavajës. “Ky është sheshi i historisë, monumenti është historik, dhe po ta deklaroj mjerë ai që do të guxojë ta prekë. Ai do tu kalojë brezave si dëshmi e burrave dhe grave që bënë historinë e lirisë”, deklaroi kryeministri. Berisha kërcënoi Ramën se do ta detyronte të ecte zbathur mbi copat e thyera të monumentit. “Kavaja është gracka ku hoqe çdo maskë, shpalle platformën e urrejtjes ndaj lirive, demokracisë, përmendores së lirisë dhe kombit shqiptar. Erdhe në Kavajë, hoqe maskën, tregove veten i biri i të atit, por Kavaja të njeh mirë”, tha Berisha. Adriatik Doçi