Nga Kukësi, ku PS bëri prezantimin e kandidatëve, kreu opozitar ka sulmuar Ministrin e Brendshëm, Flamur Noka, i cili është njëherësh dhe kandidati i PD në këtë Qark. Rama akuzoi Ministrin e Brendshëm se po përhap frymën e ndasisë veri-jug në zonën ne Kukësit, Hasit dhe Tropojës. “Sot, shkon dhe vjen lart e poshtë një personazh komik që nuk është tek "Portokallia", por në krye të Ministrisë së Brendshme, një Flamur "pa bisht" që tundet dhe shkundet nëpër Kukës, Tropojë dhe Has, duke treguar përrallat e katragjyshit me antiplumb. Një burrë qesharak që nuk i bën nder kuksianëve, tropojanëve dhe hasianëve, nuk i bën nder uniformave blu të këtij vendi. Janë katandisur ashtu siç janë katandisur, pasi kanë mbetur në dorën e katragjyshit me antiplumb që dreqi e di pse ka kaq frikë kur takon popullin e vet”, tha Rama.
“Ndryshe nga ç'thotë Flamuri "pa bisht", i dua të gjithë njerëzit e zakonshëm, i dua kuksianet jo me fjalë, por e dua Kukësin dhe Tropojën, i dua hasianët dhe Hasin me vepra. Çfarë është ky sharlatan që vjen vërdallë në këto treva dhe i thotë njerëzve që Edi Rama nuk e do Kukësin, po ky që e do, çfarë ka bërë për këtë popull bashkë me katragjyshin me antiplumb. Ku janë ato rrugët me kilometra, që tha deputeti jonë që nuk kanë nisur jo më përfunduar, ku janë kanalet kulluese, ku janë? Ku janë të ardhurat nga pasuritë nëntokësore, ku është shërbimi shëndetësor për të moshuarit? Ku janë shkollat që arsimojnë fëmijët, ku janë mësuesit e lirë që në vend që të edukojnë fëmijët, merren zvarrë për të mbushur sheshet”, u shpreh kreu i opozitës.
“Ky personazh i "Portokallisë", bashkë me katragjyshin me antiplumb që ju ka mbet në derë, nuk ka gojë të flasë për PS, sepse PS vjen këtu me krenarinë që u ka vënë në dispozicion Vexhi Mucmatën, një djalë si ju i cili bashkë me kandidatët e tjerë do jenë pranë jush jo për t’iu ndarë dhe përçarë dhe për të ushqyer urrejtje veri-jug, siç bën karagjozi i "Portokallisë" që dhe për ca ditë është Ministër i Brendshëm, por për të ushqyer Shqipërinë e solidaritet që nuk e ka bërë as Flamuri "pa bisht" as katragjyshi me antiplumb. Një goxha burrë vjen vërdallë dhe fut thellë thikën e ndasisë. Ne nuk jemi për të ndarë, por për të bashkuar se jug dhe veri është një Shqipëri. I them Flamurit "pa bisht" mos guxo të rrotullosh thikën e ndasisë në këtë trevë, se këtë e bëjnë vetëm armiqtë e Shqipërisë dhe shqiptarëve”, deklaroi Rama.