Kreu opozitar, pasditen e së hënës gjatë një bashkëbisedimi me banorë të Golemit është shprehur se me ardhjen në pushtet të socialistëve, çdo gjë do të ndryshojë. “Kjo nuk është një fushatë për zgjedhjet vendore, pasi këto që thua ti janë projekte komunitare që i kalon pushtetit vendor, që këtu në Kavajë ka qenë i bojkotuar në formën e hakmarrjes më primitive nga kryeministri në ikje dhe deputeti prej 20 vitesh në këtë territor, që në rastin më të fundit e tha hapur në mes të Kavajës, para gjithë turmës të importuar nga 4 anët, se për sa kohë që do ishte "Edvini i vogël" duke iu referuar kryetarit të Bashkisë, nuk do i jepte asnjë lek.
Kjo nuk ka problem se ai do ikë, dhe Elvis Roshi do jetë prap kryetar bashkie për shkak të ndryshimit që ka sjellë, pavarësisht se nuk ka marrë asnjë qindarkë. Saliu do ikë dhe Shqipëria do shpëtojë nga një gjysh me antiplumb që tregon përralla dhe Shqipëria do ketë një gjysh që i tregon përralla si gjyshërit e tjerë. Do të shtrijmë transformimin në gjithë territorin”, tha Rama.
Rama premtoi se me programin e PS do të rilindë jo vetëm qytetin, por në mënyrë të veçantë fshatin. “Do sjell pasionin dhe vullnetin tim për transformimin e vendit, ndërkohë që PS do sjellë një transformimin rrënjësor të fshatit me programin e saj. Pa rilindur fshatin, nuk mund të rilindim Shqipërinë. Do investojmë 160 milionë dollarë për ujin në parcela dhe sistemin e kullimit. Do heqim akcizës dhe taksën e qarkullimit të naftës. Ne do heqim taksën 20 % mbi gjithë imputet bujqësore dhe makineritë bujqësore. Do krijojmë kushtet që prodhimi të dalë në treg. Në 4 vite transformim rrënjësor në fshat”, theksoi Rama.