Lideri i opozitës, Edi Rama, ka denoncuar praktikën e qeverisë së kryeministrit Berisha, kur për një vend pune duhen 5 mijë euro dhe 100 vota për PD. Kreu i PS denoncon rastin e një vajze, së cilës i kanë kërkuar para dhe vota në këmbim të një vendi pune si mësuese. “Matilda Qosja, vajzë në Labinot-Fushë: Më kërkojnë 5000 Euro dhe 100 vota për PD, që të bëhem mësuese! Rilindje për arsimin përmes meritës", shkruan Rama në Tuitter. Programi i PS parashikon mundësitë ligjore për ndryshimin e drejtuesve dhe mësuesve të shkollave, nga ana e prindërve dhe komunitetit, kur ata nuk i shërbejnë interesit më të mirë të nxënësve. “Përmirësim i të ardhurave reale të mësuesve dhe kritere shpërblimi e emërimi bazuar në meritokraci. Mësues të aftë dhe me status, tekste dinjitoze, mjedise normale për çdo nxënës, pavarësisht origjinës dhe burimeve ekonomike familjare. Asnjë mësues nuk do të detyrohet të marrë pjesë në aktivitete politike dhe asnjë mësues nuk do të pengohet të marrë pjesë në aktivitetin politik të opozitës”, ka deklaruar Rama.
Certifikata për tokën
Kreu i PS është ndalur në Labinot-Fushë, ku i ka premtuar fermerëve që punojnë tokën, certifikatë për tokën. “Është raporti me fshatin dhe fermerin, ku ne do t’i qëndrojmë besnik parimit të shprehur se ata që gjenden në tokën që punojnë do marrin certifikatën e tokës. Dhe është raporti me gjithë kapitalin e investuar në shtëpitë që duhen legalizuar. Legalizimi proces i domosdoshëm për t’i dhënë fund, njëherë e mirë një zvarritjeje dhe njëkohësisht një batërdie, që vazhdon me ndërtimet pa leje. Kështu që, një nga tre këta elementë është certifikata e tokës për familjet që jetojnë në fshat dhe që punojnë tokën dhe duhet të marrin atë tokë, si pasuri të tyre të patundshme. Kjo është bindja jonë!”, u shpreh Rama. Kryesocialisti premtoi në këtë fushatë elektorale, se do të zgjidhë çështjen e ujit. “Në programin tonë ne kemi përcaktuar 160 mln usd vetëm për ujin në parcelë. Sipas parashikimit tonë është një shifër e nevojshme dhe e mjaftueshme për ta mbyllur, njëherë e mirë, këtë epokë pa vaditje dhe për të zgjidhur problemin e kullimit. Ne angazhohemi, solemnisht, që do të punojmë me mish e me shpirt që pas 4 vitesh çështja e ujit të rrjedhshëm në çdo shtëpi shqiptare mos jetë më çështje elektorale, por të jetë çështje e zgjidhur”, premtoi Rama.
Punësimi
Kreu i PS akuzoi kryeministrin se mashtron për hapjen e vendeve të reja të punës. “Shkop magjik ne nuk kemi. Përralla ne nuk tregojmë. Përralla hap televizorin, gjyshi atje me atë jelekun dhe dëgjo që do të punësohen të gjithë. Pa pikën e turpit i thotë popullit kemi hapur 200 mijë vende të reja pune dhe do të hapin edhe 250 mijë të tjera, ndërkohë që INSTAT që varet drejtpërdrejtë nga kryeministri thotë që kanë humbur 51 mijë vende pune nga 2009, jo që janë hapur të reja”, u shpreh Rama. Ai u ndal edhe në fushën e arsimit, ku tha se ata që do ta meritojnë do vijojnë studimet e larta, ndërsa të tjerët në zanat. “Për ata që e kanë diplomën, unë shoh dy rrugë; njëra është në ripërtëritjen e sektorit publik, për t’ju dhënë mundësi të gjithëve që të konkurrojnë për në administratë, për mësues dhe në rritjen e sektorit privat. Sa më shumë të zhvillojmë sektorin privat duke rritur investimet prodhuese aq më shumë do të ketë nevojë për persona të kualifikuar si ju”, tha Rama.
Rama në Gramsh
Kreu i PS, Edi Rama, nga Elbasani është zhvendosur në Gramsh, në mitingun e saj elektoral. Në fjalën e tij ,kryesocialisti Rama kërkoi votën e gramshjotëve për t’i dhënë fund regjimit që mban peng dhe varfëron vendin. “Këtu në këtë shesh nuk ju ka sjellë frika, por dëshira për rilindje. Mirënjohje për këtë pritje të këtij populli të mrekullueshëm, që është gënjyer aq herë sa herë është folur për të, nga kjo qeveri dhe ky kryeministër, ky gjysh me antiplumb që tregon përralla kudo shkon dhe këtu sa herë vjen tregon përrallën e hidrocentralit që nuk filloi dot kurrë. Si nuk iu ra 1 km rrugë këtu juve në Gramsh nga ato 10 mijë që ka ndërtuar kryeministri? Nuk ju ra se ato janë shirita për inaugurime, jo rrugë. Sot kemi shkuar në të 4 anët e qarkut, ju them me sinqeritetin më të madh se nuk e kemi pasur fatin të kalojmë në një km rrugë të rindërtuar, kudo rrënim e gropa kemi parë”, tha Rama. Eneida Jaçaj