Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, tha sot gjatë një takimi mbi transparencën e sistemit gjyqësor, zhvilluar në Universitetin e Shkodrës, se Reforma në Drejtësi është një hap i madh drejt objektivit të Shqipërisë për integrimin në BE.
Por, shtoi ai, nuk mjafton vetëm miratimi i legjislacionit pasi duhet parë edhe zbatimi i tij. Institucionet shtetërore si dhe institucionet e pavarura të drejtësisë duhet të bëjnë punën e tyre. Reforma në Drejtësi ka të bëjë edhe me qytetarët, të cilët duhet të ndjehen pjesë e kësaj reforme.
“Kjo reformë jep kontributin e vet për të ulur pragun e tolerancës ndaj korrupsionit dhe krimit. Por, kur nuk kemi besim tek institucionet, kur nuk besojmë se ato mund të trajtojnë të gjithë problemet me të cilat përballet ekonomia apo shoqëria, atëherë bëhemi si shumë tolerantë ndaj formave të ndryshme të korrupsionit apo kriminalitetit. Kur shikojmë që sistemi jep rezultate, kur shikojmë që SPAK ka ngritur akuza kundër politikanëve të nivelit të lartë apo personave nga sistemi i biznesit për çështje të korrupsionit, apo kur shikojmë që shkatërrohen rrjete të ndryshme kriminale dhe organizata kriminale, atëhere njerëzit fillojnë të mendojnë se nuk duhet ta durojnë këtë gjë dhe as ta tolerojnë, sepse të drejtat e tyre duhet të respektohen”, tha zoti Gonzato.
Reforma në Drejtësi, tha ambasadori i BE-së, ka nisur në një kohë të vështirë, por ka ecur shumë dhe tani ka instrumentat e duhura.
Bashkimi Europian vazhdon të mbështesë reformimin e sistemit shqiptar të drejtësisë. Për momentin, shtoi ai, po shikojmë si sistemi i drejtësisë të ketë një menaxhim digjital të çështjeve gjyqësore.
“Duket sikur është një çështje shumë teknike, tha ambasadori, por në fakt mendoj se është një nga faktorët kryesorë për tu siguruar që çështjet gjyqësore t’u caktohen gjyqtarëve në mënyrë asnjanëse dhe të duhurën dhe jo në bazë të një interesi të caktuar. Është një mundësi, me anën e të cilës u japim autoriteteve mënyrën e duhur për të monitoruar punën që po bën sistemi i drejtësisë me synim që të marrin masa korrigjuese në rast se ato do të jenë të nevojshme. Si, për shembull, kur shikojnë se ka shumë çështje të mbrapambetura në një fushë të caktuar, apo në një gjykatë të caktuar dhe kur duhet të merren masa përmirësuese. Për momentin, të gjitha të dhënat e gjykatave lidhen në formë manuale dhe, sigurisht, kjo nuk është mënyra e duhur dhe efikase. Ka edhe disa pikëpyetje në drejtim të kodit penal, nëse është në standartet e duhura apo jo, dhe, për ketë, po bëhet një analizë e thelluar”, tha ai.
Projekti “Gjyqësori në Fokus”, që po zbatohet në katër qarqe të Shqipërisë, synon fuqizimin e shoqërisë civile për monitorimin e transparencës dhe performancës së gjyqësorit shqiptar.
Sipas përfaqësuesit të Institutit për Studime Publike dhe Ligjore, Ardian Dhima, i cili menaxhon projektin, gjyqësori vazhdon të ketë problematika që ndikojnë në nivelin e transparencës me publikun.
“Ka problematika nga më të ndryshmet dhe mbi të gjitha, fakti që si rezultat i vetingut është ulur shumë numri i gjyqtarëve që janë në funksion, fakti që tashmë kemi në funksionim një hartë të re gjyqësore, ka krijuar problematika në kuptimin e mbingarkesës së shumë gjyqtarëve në shumë gjykata të vendit dhe kjo mbingarkesë rrezikon deri diku cilësinë e dhënies së drejtësisë. Prandaj duhet që shoqëria civile të aktivizohet në të gjithë rrethet gjyqësore për të parë nga afër që standartet e dhënies së drejtësisë të mos cënohen”, tha zoti Dhima.
Përfaqësuesi i Institutit për Studime Publike dhe ligjore, zoti Dhima, tha gjithashtu se sistemi gjyqësor ka problematika edhe në afishimin e kalendarëve në mjediset e gjykatës, apo mungesën e sallave të gjykimit, numri i kufizuar i të cilave ka bërë që disa seanca gjyqësore të mbahen në zyrat e gjykatësve, duke cënuar transparencën e procesit.