Presidenti Bajram Begaj i ka qëndruar linjës së deklaratës zyrtare të bëra publike në kohën që refuzoi ftesën e kryeministrit grek, Kyriakos Mitsotakis për një darkë informale të liderëve të Ballkanit në Athinë.
I ftuar në emisionin ‘Real Story’ me gazetarin Sokol Balla, kreu i parë i shtetit tha se nuk mori pjesë për shkak të axhendës së paracaktuar.
“Politika e jashtme e Republikës së Shqipërisë, është një politikë e lavdërueshme nga komiteti ndërkombëtar, nga BE dhe nga partneri ynë strategjik SHBA, është e linjëzuar me vendet e BE dhe SHBA dhe kjo politikë e jashtme nuk bëhet brenda ditës.
Natyrisht që kur vjen një ftesë nga homologë apo kryetare shtetesh ajo vlerësohet dhe unë nuk di të kem refuzuar asnjë lloj ftese. Po, ftesa është vlerësuar dhe është kthyer përgjigje me kërkesë mirëkuptimi për mospjesëmarrje në këtë darkë informale për faktin e një axhende të paracaktuar më parë.
Çdo ftesë vlerësohet në bazë të mundësisë, në bazë të axhendave. Natyrisht që ftesat dakordësohen përpara nga kabinetet përkatëse,”tha Begaj.