Aktivistja e njohur shqiptaro-amerikane, Evi Kokalari ka komentuar situatën politike në vend, duke e ndalur theksin tek zhvillimet brenda opozitës, ndërsa ka hedhur akuza të forta në adresë të ish-kryeministrit Sali Berisha, kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, etj. Përmes një statusi në rrjetet sociale, e teksa komenton deklaratën e deputetit Agron Shehaj që paralajmëroi krijimin e një lëvizje politike, aktivistja Kokalari akuzoi Berishën se krijoi “Foltoren” për hallin e tij personal dhe i shiti demokratët tek “kasapi” Ilir Meta. Madje mes të tjerash, zonja Kokalari i uron suksese Shehjat dhe e këshillon që të bëj kujdes, pasi sipas saj, ai do të jetë në qendër të sulmeve të grupit të Rithemelimit dhe jovetëm. “E mbështes totalisht daljen e Agron Shehajt veç nga PD e Rithemelimit. Agroni është nga të paktët që dhe pse i dha ndihmën maksimale ‘Foltores’ së Berishës, gjithnjë mbajti dinjitetin dhe integriteti e tij. Personalisht këtë e vlerësoj shumë. Uroj të jetë i përgatitur sepse sulmet ndaj tij do të shtohen pikërisht nga ai grupi që sapo la. Gjithashtu, nëse ma pranon një këshillë, i sugjeroj dhe sidomos duke qenë se është shumë i përfshirë me politiken në Shqipëri si deputet, të gjej një mënyrë të bashkojë bazën dhe kjo duhet të ndodh pa Berishën. Berishës i dhamë shume shanse dhe ai ndërtoi një lëvizje të re frymëzuese në 2021, që largoi dhe Bashën nga PD, vetëm që ta shiste me vonë tek Meta dhe Veliaj, gjë që solli Bashën sërish. Vazhdoj dhe insistoj që i vetmi sukses në 2025 do jetë një bazë e bashkuar, që do frymëzoj dhe elektoratin gri, larg pisllëqeve që kemi parë këto kohë në atë parti. Ndryshe, do të marrë shumë kohë para se të shohim të djathtët në pushtet. Gjithsesi, i uroj suksese dhe fat”, shkroi Kokalari.
Kokalari sulmon Metën
Megjithatë nuk është hera e parë që aktivistja shqiptaro-amerikane, Evi Kokalari ka sulmuar ish-kryeministrin Sali Berisha sa i takon aleancës me Ilir Metën. Pak ditë më parë zonja Kokalari tregoi gjatë një interviste për gazetën “SOT”, se si Ilir Meta po “i bën gropën” Sali Berishës. “Sali Berisha të shkonte në shtëpi nuk do bënte keq. Koalicioni me Metën ka qenë gabimi i tij dhe ja kam thënë s’më pëlqen që të bëjmë koalicion me të dhe Berisha e ka ditur që unë kam qenë kundër koalicionit. Për mua e vetmja gjë që Berisha duhet të bëjë është të largoj foltoren nga Meta, për mua Ilir Meta s’duhet të jetë as në politik, ai ka pasur disa poste dhe pse është akoma në politik. Kukësin në fakt duhet ta kishin në xhep sepse imoraliteti i atij që iku ishte i madh dhe mund ta kishte marr opozita. Por, Berisha duke qenë ven në një pozicion shumë të keq shkon edhe bashkohet me Metën. Është parë edhe në protesta, sepse protestat filluan mirë, por që më vonë nuk i shkonte më njeri, sepse sapo merrnin vesh që ishte edhe Ilir Meta nuk shkonin. E pamë në 14 maj dhe i thash fusni të gjithë deputetët nën logon zyrtare të PD, por mesa duket Berisha kishte plane të tjera në atë moment dhe refuzoj. Berisha momentalisht duhet që të jetë shumë i sinqertë dhe më shumë me demokratët dhe e vetmja gjë për të na ndihmuar është që të largohet nga Meta”, nënvizoi Kokalari.
Paralajmërimi i Shehajt
Ndërkohë kujtojmë se deputeti Agron Shehaj, i cili është larguar së fundmi edhe nga grupimi i demokratëve që udhëhiqen nga ish-kryeministri Berisha, zbuloi pak ditë më parë se ka nisur punën për një forcë të re politike. Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, ai theksoi se ka nisur komunikimin me qytetarët, për ndërtimin e asaj që e cilësoi një “alternativë e vërtetë, e ndershme dhe e pakorruptuar”, për vendin. Zoti Shehaj tha se vendimin për t’u larguar nga PD-ja ia kishte bërë të ditur zotit Berisha në muajin qershor dhe se ishte nxitur nga mungesa e vullnetit për hapjen e partisë. Kritikët e kanë akuzuar zotin Shehaj për qëndrime jo të qarta lidhur me disa zhvillime që kanë prekur të djathtën shqiptare, që nga bashkëpunimi me zotin Berisha edhe pse ai ishte shpallur non grata nga Shtetet e Bashkuara, si dhe heshtja e tij mbi rezultatin e dobët zgjedhor të opozitës në dy gara lokale zgjedhore. Zoti Shehaj tha se kishte shpresuar për ndryshim në PD, ndryshim që sipas tij nuk erdhi. “Shoh që të gjithë kritikojnë, por unë mendoj që gjëja më e rëndësishme është veprimi. Unë i ftoj të më gjykojnë mbi faktet dhe jo mbi çfarë thonë të tjerët”.