“Përse jo”, kjo ishte përgjigjja e Kryeministrit Edi Rama, teksa u pyet se pse duhet që investitorë të huaj ta konsiderojnë Shqipërinë si një vend potencial për investimet. “Duhet të investojnë, sepse nëse s’e bëjnë ata, e bën tjetërkush…”, tha dje Rama. Përballë dhjetëra investitorëve të huaj dhe homologëve të tij të rajonit, gjatë Samitit të BERZH në Londër, kreu i qeverisë foli online nga Tirana dhe e prezantoi Shqipërinë si një vend serioz për investime, duke u kërkuar që të vlerësojnë progresin që Shqipëria ka bërë në dekadën e fundit. “Për 10 vjet kanë ndryshuar shumë gjëra. Shqipëria ka ndryshuar shumë. Nga një vend me stigmën si i pasigurt, në një vend i cili vitin e kaluar ka arritur në një shifër prej 10 milionë turistësh, më shumë se trefishi i popullatës që kemi. Jemi një vend i mirë për t’i shtuar investimet serioze”, tha Rama. Synimi për të thithur më shumë investime në rajon, shkon paralelisht me nevojën e investitorëve për një rajon të integruar në një treg të vetëm, për të cilin kryeministri Rama tha se po punohej përmes “Ballkanit të Hapur” dhe Procesit të Berlinit. “Në fund ne duhet të kemi parasysh që jemi shumë të vogjel që të konkurrojmë në Evropën e madhe globale, lë më pastaj në botë, vetëm duke hapur kufijtë tanë ne mund të kemi rëndësi vetëm si një treg”, vijoi kryeministri. Duke mos e kursyer një mesazh për homologët e rajonit, Rama tha se projekti jo pak herë është dëmtuar nga interesat e politikës të brendshme. “Më pas ne krijuam Ballkanin e Hapur, pikërisht sepse pamë që Procesi i Berlinit kishte disa gjëra që nuk i bënte. Bëmë një progres të mirë, por fatkeqësisht iniciativa u sulmua dhe u la totalisht për arsye të këqija, sepse në fund të fundit ishte si një projekt implementimi…. Politika është politikë, dhe kur politika përdoret për të bërë vota kundër këtyre projekteve strategjike atëherë projektet strategjike duhet të presin. Pra, në mund të bënim shumë më shumë, por mbetemi të burgosur të disa mureve që janë vendosur që në të kaluarën”, tha Rama. Ky ishte samiti i 6-të i BERZH-it për Ballkanin Perëndimor me praninë e krerëve të qeverive të 6 vendeve, ndërsa mori mbështetjen edhe nga Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel dhe Komisioneri për Zgjerimin Olivér Várhelyi.
Spektakël në koncertin e Noizy-t, reperi surprizon në mënyrë të veçantë fansin e tij, video-ja bën xhiro në rrjet
Reperi mjaft i dashur për publikun, Noizy është gjithmonë në qendër të vëmendjes sa i përket këngëve dhe koncerteve të...
Lexo më shumë