Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhanë dje një sinjal shumë të fortë për pushtetarët e lartë të korruptuar duke i paralajmëruar se i presin “ditë të zeza”. SHBA përdori këtë herë një metodë për të dhënë një mesazh kërcënues që shumë zyrtarë të korruptuar nëse e shohin do të ngelen “pa gjumë” dhe do të presin se kur e kanë radhën. Vetë Ambasada Amerikane publikoi dje pamjet se çfarë po ndodhte brenda SPAK gjatë takimit të Koordinatorit për Anti-Korrupsionin Global Richard Nephew, i cili vendosi të shkonte personalisht brenda godinës së Prokurorisë së Posaçme. Ata shfaqën foto me dosje korrupsioni të përhapura në tokë, në dollapë, në sirtar dhe në tavolinë. Zyrtari i DASH nuk e fshehu habinë. Përveç Altin Dumanit, Nephew takoi dhe me Arben Krajën, ish kreun e SPAK i cili ka në dorë dhe dosjen për aferën e privatizimit të ish kompleksit “Partizani”, për të cilën ish kryeministri Sali Berisha dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi po hetohen për akuzën e korrupsionit. Ndërkohë Altin Dumani ka në dorë dosjen ndaj Ilir Metës lidhur me aferën “CEZ-DIA”. Pritshmëritë dhe mesazhi i koduar me dosjet, paralajmërojnë që në ditët, javët dhe muajt në vijim SPAK pritet të ndërmarrë veprime konkrete ndaj disa politikanëve ministrave dhe ish-ministrave që kanë abuzuar me fondet publike. Fotot janë shoqëruar dhe me paralajmërime të forta nga amerikanët. SHBA do të vazhdojnë të mbështesin SPAK derisa pushtetarët e paprekshëm që i kanë shpëtuar gjithë këto vite, të dënohen nga drejtësia.
Detaje nga vizita e zyrtarit të DASH
Si fillim Nephew zhvilloi një takim me shoqërinë civile dhe gazetarët ku e bëri të qartë se iku koha e të paprekshmëve. “Koordinatori për Anti-Korrupsionin Global Richard Nephew u takua sot me përfaqësues të shoqërisë civile dhe medias shqiptare për të dëgjuar mbi pikëpamjet e tyre për luftën kundër korrupsionit dhe çuarjen përpara të transparencës në qeverisje. Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë në shkallë globale, përfshirë duke mbështetur organizatat që luajnë një rol të rëndësishëm mbikëqyrës”, tha ambasada.
Takimi në SPAK
Në një reagim të ambasadës së SHBA në Tiranë theksohet se Nephew është takuar dje me prokurorë të SPAK dhe përfaqësues së ILDKPKI apo Agjencisë së Prokurimit Publik. Në reagim thuhet se fokusi i takimeve ishte lufta kundër korrupsionit, duke siguruar mbështetjen e SHBA ndaj institucioneve shqiptare në këtë drejtim. “Koordinatori për Anti-Korrupsionin Global Richard Nephew pa sot në veprim institucionet gjyqësore shqiptare gjatë takimeve me kreun e SPAK, Altin Dumani, prokurorët e SPAK, si dhe përfaqësues të Ministrisë Anti-Korrupsion, Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit (ILDKPKI) dhe Agjencisë së Prokurimit Publik. Nephew dhe zyrtarët shqiptarë diskutuan përpjekjet e vazhdueshme për forcimin e pavarësisë së gjyqësorit dhe luftën kundër korrupsionit. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin institucionet e drejtësisë që po forcojnë demokracinë e Shqipërisë teksa ajo përparon në rrugën e saj drejt BE-së”, thuhet në njoftim.
Mesazhi i fortë
Kujtojmë se kjo vizitë vjen në një kohë kur SPAK po sulmohet nga ish-kryeministri Sali Berisha në hetim për korrupsion dhe i shpallur non grata nga SHBA e Mbretëria e Bashkuar por dhe nga aleati i tij Ilir Meta, ish-president i Shqipërisë. Edhe dje në tryezën e rrumbullakët me donatorë organizuar nga Ministria e Brendshme, zëvendës shefja e Misionit në detyrë e Ambasadës së SHBA-ve, Kathryn Hammand tha se SHBA po investojnë në forcimin e sundimit të ligjit në Shqipëri, por shtoi se kjo është një detyrë që nuk mund të bëhet vetëm dhe kërkon veprime dhe përpjekje nga të gjithë institucionet dhe aktorët. “Zyrtarë të korruptuar janë duke dhënë llogari para drejtësisë, anëtarë të krimit të organizuar po shkojnë në burg dhe po humbin pasuritë. Ky është një proces shumë i fuqishëm, që po ecën përpara. SHBA-të do të vazhdojnë ta mbështesin fort Shqipërinë dhe përpjekjet e saj, të cilat janë thelbësore për anëtarësimin në Bashkimin Europian, çka populli shqiptar dëshiron”, nënvizoi zonja Hammand.