Pas 19 majit të vitit 2021, kur Sekretari Amerikan i Shtetin, Antony Blinken e shpalli ish-kryeministrin Sali Berisha person “non grata” në emër të Departamentit Amerikan të Shtetit me akuza të forta se gjatë kohës që ishte kryeministër është përfshirë në akte korruptive, si keqpërdorimi fondeve publike, minim i demokracisë dhe ndërhyrje me proceset publike duke përdorur fuqinë për përfitime personale dhe pasurimin e aleatëve politikë, përfshi familjen në kurriz të konfidencës publike të qeverisë shqiptare dhe institucioneve, kanë rrjedhur shumë ngjarje, madje shumë prej të cilave përtej çdo lloj parashikimi. Për Sali Berishën ende nuk kanë filluar hetimet. Teksa kreu i Foltores po lufton në prapaskenë për të hequr damkën e korrupsionit që i vendosi Departamenti Amerikan i Shtetit, SPAK vijon të qëndrojë indiferent përballë akuzës së rëndë së SHBA ndaj ish-kryeministrit, i cili është subjekt i trefishtë i SPAK, si deputet, ish kryeministër dhe ish president. Por SHBA nuk ndalet. Amerikanët po i tregojnë hapur rrugën SPAK për të shkuar te dosjet e bujshme, veçanërisht te dosja “non grata” e Sali Berishës. Sinjalet e forta janë dhënë nga Gabriel Escobar, njeriu më i rëndësishëm që presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden ka sjellë për Ballkanin.
SHBA kërkon të nisë hetimi penal ndaj “non gratave”
Në intervistën me gazetarin në SHBA, Robert Papa në emisionin “FOKUS”, Escobar kërkoi indirekt hetimin e Sali Berishës nga drejtësia e re. Ai kërkoi të nisë hetimi penal ndaj “non gratave”, duke u bërë thirrje autoriteteve të vihen në lëvizje për vendimet e Blinken. “Veprimet e sotme nga Departamenti i Shtetit dhe Thesari janë për të synuar ndaj aktorëve që kërcënojnë stabilitetin e rajonit përmes korrupsionit aktivitetit kriminal dhe sjelljeve të tjera destabilizuese. Amerika e ka bërë të qartë se ne do të përdorim mjetet ligjore si sanksionet ekonomike dhe kufizimet e vizave për të ruajtur stabilitetin në rajonin e Ballkanit Perëndimor. SHBA qëndron me popullin e Shqipërisë, Bosnje dhe Hercegovinës dhe Maqedonisë së Veriut, synojmë që të ndërtojmë transparencë në qeverisje. Ne jemi të përkushtuar që të ndihmojmë Ballkanin Perëndimor që të kuptojë se zhvillimi ekonomik rrezikohet prej korrupsionit. SHBA është e kushtuar t’i mbaj përgjegjës ata që janë të përfshirë në korrupsion. Kemi disa kërkesa për të plotësuar këto paketa, nuk kanë drejtim politik në vendet ku po marrim këto vendime, është vetëm kundër korrupsioni, ne do të vazhdojmë që ta bëjmë këtë dhe do të punojmë edhe me qeveritë në rajon që edhe ato të luftojnë korrupsionin në mënyra të brendshme. Sa i përket stabilitetit thuajse të gjitha veprimtarit e destabilizimit të rajonit deri diku kanë lidhje me korrupsionit. Sa herë që nxjerrim sanksione i kërkojmë vendeve që të përfitojnë nga këto mundësi për të vazhduar aksionin e tyre brenda vendit. Pres që të gjitha vendet e rajonit të tregojnë përkushtim në luftën korrupsionit dhe të çojnë para drejtësisë ata që janë të përfshirë në korrupsion”, u shpreh Escobar.
SHBA po përgatit goditje të reja për Berishën
Përveç thirrjeve të Escobar që autoritetet të vihen në lëvizje, gazetari Robert Papa e ka pyetur nëse do të ketë sanksione të tjera për ata që janë shpallur non grata, në këtë rast edhe ndaj Berishës? Escobar zbuloi se janë rekomanduar sanksione nga thesari për personat që bëjnë pjesë në “listën e zezë”. “Kemi rekomanduar për sanksione nga thesari edhe për personat non grata”, u shpreh Escobar. Pra hapi i radhës është sekuestrimi i pasurive për të gjithë personat e shpallur “non grata” nga SHBA sipas memorandumit të Joe Biden, duke dhënë sinjale se mund të shkohet te ky hap dhe në këtë mes e pëson dhe Sali Berisha. Escobar tregoi dhe arsyen pse personazhet politikë, si rasti i Sali Berishës po shpallen “non grata” pasi janë larguar nga pushteti. Ai tha se ky proces kërkon një kohë të gjatë. “Ne vëmë në shënjestër gjithkënd që gjendet i lidhur me korrupsionin, por është një proces që merr kohë dhe shpesh njerëzit pyesin pse i ndërmerrnin sanksionet kur këta njerëz largohen nga pushteti, por sepse ky proces do kohë”, u shpreh Escobar.
Mesazhi amerikan për “Ballkanin e Hapur”
Gjithashtu Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë shfaqur skeptike sa i takon nismës “Ballkani i Hapur”. Escobar u shpreh se çdo nismë duhet pjesëmarrja e të gjitha vendeve të tjera. Në këtë kontekst, diplomati Escobar ngrit pikëpyetje për funksionimin e nismës, duke theksuar se ajo nuk mund të jetë e suksesshme nëse nuk angazhohen të gjashtë vendet e Ballkanit. Pa Kosovën, nuk ka “Ballkan të Hapur”. “Doja të thosha që e kemi vetëm më sanksionet e sotme dhe nuk lidhet me Ballkanin e Hapur. SHBA mbështet çdo përpjekje që i sjell vendet e Ballkanit Perëndimor që i sjell afër së bashku dhe që është diçka përfshirëse për të gjithë dhe përfshin mbrojtjen kundër korrupsionit”, tha ai ndër të tjera.