Mbledhja e djeshme e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është karakterizuar nga debate të ashpra midis anëtarëve të KQZ dhe përfaqësuesve ligjorë të partive. Partia Socialiste ka ngritur pretendimin se administrata po keqpërdor detyrën duke u përfshirë në fushatën e Partisë Demokratike, duke shkelur në mënyrë flagrante Kodin Zgjedhor. Përfaqësuesi ligjor i PS në KQZ, Genci Gjonçaj, pas kundërshtive të kryetares së KQZ dhe përfaqësuesit ligjor të Partisë Demokratike, tregoi raste ku makina me targë shtetërore ngjitnin në rrugë flamuj dhe banderola të PD, gjë që bie në kundërshtim me detyrën e tyre. “Kjo makina këtu që është e drejtorisë së rrugëve që ngjit flamurin e PD, Njazi, çështje e kujt është? Merre një çik targën e kësaj makine verifikoje, ja ku e ke, makina e shtetit po ngre flamurin e PD nëpër rrugët e Tiranës. Shikojeni! Është makinë e shtetit, është makinë në pronësi të Drejtorisë Rajonale të rrugëve Tiranë, e destinuar për shërbime publike dhe ngjit flamujt e PD”, tha Gjonçaj. Duke iu referuar Kodit Penal, Gjonçaj tha se fushata zgjedhore ka shënuar shumë raste kur nëpunësit shtetëror detyrohen që të shkojnë në fushatën e Partisë Demokratike.“ Detyrimi i shtetasve në administratë kundër kanosjes administrative për të marr pjesë në aktivitete zgjedhore të një subjekti zgjedhor përbën kundravajtje penale dhe dënohet me gjobë ose burgim deri në 6 muaj”, tha ai.
Nxënësit
Gjonçaj ka ngritur në KQZ shqetësimin e Partisë Socialiste për përdorimin e nxënësve në fushatën gjë që pas ndryshimet në Kodin Penal për zgjedhjet e lira, parashikon masa sanksionuese me burgim. “Ngjarjet e ditëve të fundit tregojnë përdorim të nxënësve në fushatë. Të mbushësh sheshet me fëmijë në vend të simpatizantëve. Kush përdor fëmijë, nxënës që të marrin në mitingje, rrezikon burgun. Detyrimi apo organizimi për të marr pjesë në aktivitete elektorale të një subjekti zgjedhor i nxënësve të arsimit parauniversitar nga punonjës që kryejnë një detyrë shtetërore në arsimin publik, përbën kundravajtje penale dhe dënohet me burgim nga tre muaj deri në 1 vit”, tha ai. Ndërsa kryetarja e KQZ, Lefterije Lleshi, ka pretenduar se çështjet e ngritura nga përfaqësuesi i PS nuk janë detyrë e KQZ, por e prokurorisë. “Në prokurori, në prokurori. Vetëm atje. Shko tek ministri i Arsimit, shko në prokurori! Drejtojuni prokurorisë me fakte. E keni bërë kaq mediatike… e kemi parë në televizione, në media..E kemi parë edhe me flamur të kuq edhe blu. Ndërsa Gjonçaj iu kundërpërgjigj Lleshit se po shkel Kodin Zgjedhor, por pas 23 qershorit tha ai do të shpëtoni nga kjo situatë. “Ju kanë zënë aq keq sa ju kanë mbyllur dhe sytë dhe veshët dhe kjo është skandal. Do shpëtoni dhe ju në 23 qershor, këtë jua garantoj, nuk do keni më këtë uraganin e madh, do bëheni që ta lexoni dhe ju kodin siç është shkruar, e zeza mbi të bardhë”, tha ai. Edhe përfaqësuesi ligjor i PD, Njazi Kosovrasti ashtu si kryetarja e KQZ ka thënë se çështja ka dimensione politike dhe nuk duhet trajtuar në KQZ. “Kjo deklaratë është politike. Këtu nuk mund të adresohen probleme që nuk janë kompetencë e KQZ. Po vihet në pozicion të vështirë me këto britma KQZ”, deklaroi Kosovrasti.
Neni 88 i Kodit Zgjedhor
1. Me përjashtim të rasteve të parashikuara me ligj, nuk mund të përdoren ose të vihen në mbështetje të kandidatëve, të partive politike ose të koalicioneve në zgjedhje burime të organeve apo enteve publike në nivel qendror ose vendor, apo çdo lloj enti tjetër ku shteti zotëron kapitale apo kuota ose/dhe emëron shumicën e organit mbikëqyrës apo organit administrues të entit, pavarësisht nga burimi i kapitalit ose pronësia. 2. Me përdorim të “burimeve njerëzore” kuptohet përdorimi i detyruar në fushatë zgjedhore i administratës së institucionit brenda orarit të punës për qëllime zgjedhore, si dhe përdorimi i detyruar dhe i organizuar brenda orarit mësimor i nxënësve të sistemit shkollor parauniversitar në fushatë zgjedhore.
Fletët e votimit në rrezik, bar-kodet printohen vetëm jashtë
Pas ankesës së PS-së, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve korrigjon numrin e fletëve të votimit që do të prodhohen në Slloveni, KQZ muajin e kaluar porositi të shtypen tek kompania sllovene CETIS, 3 milion e 337mijë fletë votimi, ashtu siç e parashikon kodi, 2% më shumë se numri i zgjedhësve. Por sipas të majtëve ka diferencë të madhe mes kësaj shifre dhe numrit të votuesve reale në 46 nga 89 zonat e administrimit zgjedhor. Pas verifikimeve në 493 qendra votimi, listat mbi te cilat u porositën fletët ndryshojnë me 63 deri në 100 zgjedhës për qendër me listat e KZAZ-ve. Po ashtu në pikëpyetje është vënë dhe prodhimi në kohë i fletëve të votimi për zgjedhjet e pjesshme vendore në 4 komunat ku kryetarët garojnë për deputet. Problemi lind në faktin se asnjë shtëpi botuese brenda vendit nuk mund të printojë fletë votimi me elementë teknikë të parashikuara në nenin 98 të Kodit Zgjedhor, në formën e kodeve që identifikojnë zonën zgjedhore, qendrën e votimit, dhe elemente të tjera identifikuese që nuk lexohen me sy të lirë.
4 zonat zgjedhore do të kenë një kuti për vendorët
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi se në 4 zonat zgjedhore, në dy komunat dhe dy bashkitë që do të mbajnë në 23 qershor përveç zgjedhjeve parlamentare edhe zgjedhjet vendore do të kenë një kuti votimi më tepër që të hedhin votat për krerët e pushtetit vendor. Kutia do të ketë ngjyrë te ndryshme nga e para për të mos ngatërruar zgjedhësit. Ndërsa materialet zgjedhore që do të përdoren do të jenë të njëjta me ato të zgjedhjeve parlamentare, Kurse fletët e votimit që të dyja do të vulosen me të njëjtën vulë. Gjithashtu KQZ miratoi Projektvendimin ”Për miratimin e numrit të kutive të votimit rezervë që do të dërgohen në çdo KZAZ, për administrimin e zgjedhjeve për kuvend dhe për kryetar bashkie komune në ZAZ nr. 17, 19, 30 dhe 81” për zgjedhjet e datës 23 qershor 2013. Projektvendimin “Për ndreqjen e gabimit material në Vendimin nr. 491, datë 28.05.2013, “Për miratimin e sasisë së fletëve të votimit që do të prodhohen për çdo qendër votimi, për zgjedhjet për kuvend të datës 23 Qershor 2013. Enkeleda Agalliu