Pas debateve me tone të ashpra e me dhunë fizike me opozitën, Partia Socialiste ka nisur procedurat për ndryshimin e ligjit mbi komisionet hetimore. Në nenet e reja kërkohet që nismëtarët të paraqesin indicie dhe prova të qarta ndërsa për dëshmitarët kërkohen kushte shtesë. Në prezantimin e projektit Ermonela Felaj shprehet se edhe opozita ka kërkuar rregullimin ligjor.
Në kulmin e debateve dhe protestave me tymuese në seancë prej opozitës, mazhoranca ka propozuar ndryshimin e ligjit për komisionet hetimore.
Në draftin me 12 pika, parashikohet edhe kushtëzimi për të kërkuar nisjen e tij. Sipas nenit 5 të PS-së nismëtarët duhet të kenë të dhëna ose indicie të mjaftueshme për ekzistencën e çështjes.
Në prezantimin e projektit, Ermonela Felaj paraqiti edhe argumentet. Kritere shtesë propozohen edhe për dëshmitarët.
“Edhe pse ligji për Komisionet Hetimore nuk është gjetur si një ligj antikushtetues nga ana e Gjykatës Kushtetuese, praktika e punës së komisioneve hetimore në Kuvend ka shkaktuar vijimisht debat, pra edhe në rastin që është pranuar ngritja e këtyre komisioneve hetimore. Debat ka pasur në momentin e parë të formulimit të objektit, në momentin që është deklaruar fillimi i hetimeve dhe deri në përfundim të tyre vazhdimisht ka pasur situata të ngarkuara, të cilat kohë pas kohe kanë vënë në ngërç punën e komisioneve hetimore.”
Ndër të tjera kërkohet që komisionet të kenë nën vëmendje edhe fenomene apo efikasitetin e një ligji, dhe aty ku duhen bërë ndryshime.
“Është shumë e rëndësishme që Kuvendi, si një ndër pushtetet kryesore të garantojë në fakt që sistemi i demokracisë tek ne, ai që afirmohet edhe në Kushtetutë të mund të konsiderojë në vijimësi, në mënyrë të pandarë dhe nga çdo aktor respektimin e paritmit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve dhe parimeve të tjera dhe standardeve të tjera kushtetuese. Për to është folur gjatë në vendimet e Gjykatës Kushtetuese, por në ligj këto nuk janë nominuar, nuk janë shprehur, nuk janë parashikuar ato mekanizma që do të siguronin respektimin e këtyre parimeve dhe për rrjedhojë puna e komisioneve hetimore në shumicën dërrmuese të rasteve ka dalë jashtë kornizës kushtetuese, duke bërë që organi i Kuvendit të tentojë të shndërrohet në një organ të superkontrollit, gjë që Gjykata Kushtetuese e ka nënvizuar me shqetësim.”
Ermonela Felaj, solli në vëmendje se kërkesa për ndryshimin e ligjit vjen edhe nga demokratët.
Demokratët kanë kërkuar tetë komisioni hetimore, por mazhoranca i ka rrëzuar me argumentin se mungon objekti.