Plot 6 deputetë të opozitës, Sali Berisha, Gazment Bardhi, Flamur Noka, Albana Vokshit, Elda Hoti dhe Edi Paloka janë përjashtuar me 10 ditë nga punimet e Kuvendit, për shkak të kaosit në seancën e shkuar plenare me vendimit të Komisionit të Etikës. Në kërkesën për përjashtim të firmosur nga 7 deputetë të PS thuhet se Sali Berisha zaptoi foltoren, Bardhi ofendoi deputetin socialist Petro Koçin, Edi Paloka tentoi ta godiste atë. “Deputeti Bardhi tentoi t’i merrte kartën nga pajisja elektronike deputetit Petro Koçi gjatë kohës që po mbante fjalën. Gjithashtu pranë deputetit Koçi u afrua edhe deputeti Edi Paloka i cili tentoi ta godiste. Deputeti Sali Berisha pengoi zhvillimin e rregullt të seancës plenare duke zaptuar foltoren e Kuvendit, duke shkaktuar kaos në sall fyer deputetët dhe drejtuesen e seancës”, thuhej në kërkesën e PS-së. Ndërkohë Flamur Noka, Vokshi e Hoti nga socialistët evidentohen si “Grupi i Zjarrit”.“Deputeti Flamur Noka ndezi disa flakadanë duke shkaktuar kaos dhe rrëmujë në sallë. Njërin prej flakadanëve e hodhi në drejtim të Kryetares së Kuvendit. Situata agravoi edhe më tej në momentin kur Noka i vuri flakën disa herë letrave dhe i vendosi tek karriget që ishin vendosur për të bllokuar foltoren, duke rrezikuar kështu jetën e deputetëve dhe të stafit në sallë. Gjithashtu deputetja Elda Hoti e ndihmuar edhe nga deputetja Vokshi ndezën disa flakadanë ku disa prej tyre i vendosën poshtë karrigeve mbi foltore”, thuhej në kërkesën e PS.Për këto veprime, deputetët Flamur Noka e Albana Vokshi janë paditur në SPAK edhe nga policia, duke rrezikuar gjobë deri në 5 vite burg.Të 6 deputetët nuk do të mund të jenë të pranishëm në seancën e sotme ku do të miratohet nen për nen buxheti 2024.
Berisha shton kërcënimet
Ndërkohë , ish-kryeministri Sali Berisha deklaroi se opozita nuk do të bllokonte kurrsesi seancat ku do të diskutohej mbi buxhetin e ri. Dje, në një konferencë për gazetarët Berisha tha se Rama e miratoi buxhetin vetëm në 5 minuta. Duke u ndalur te seanca plenare që do të mbahet sot, Berisha theksoi se opozita do të vazhdojë skenarin e mosbindjes civile. “Nuk jemi ne në mënyrë absolute që kemi penguar diskutimet për buxhetin, por përkundrazi ne kemi organizuar me specialistët më të mirë të vendit, tre debate televizive ku ekspertët tanë kanë shprehur sugjerimet dhe mendimet për buxhetin. Për herë të parë që deputetët e Edi Ramës dolën nga selia, ata u vërsulën me një tavë bakllavave në një klub. U justifikuan se buxheti simbolizon bollëkun, siç u shijonte bakllavaja. Përçmimi i tyre ndaj qytetarëve, se ne nuk ndërprisnim kurrë një debat të zgjeruar me qytetarët, por nuk mund të shkonte Rama te qytetarët, se ata do i hidheshin në fyt. Ai zgjodhi mbylljen. Mosbindja civile është kryefjala e betejës pa kthim të opozitës në Kuvend. Vazhdojmë betejën”, deklaroi Berisha.
Kreu i “Foltores” sulmon Ballën
Sakaq, ish-kryeministri Sali Berisha në hyrje të Kryesisë së Kuvendit deklaroi dje pas bllokimit të Komisionit të Sigurisë Kombëtare nga deputetët e PD-së, ku pritej të merrte fjalën Ministri i Brendshëm Taulant Balla, se është vendosur që të vazhdojë mosbindja civile. Berisha u shpreh se sapo të vendoset një datë për protestën do të bëhet e ditur.Ai gjithashtu nuk ndali as sulmet e tij ndaj Ballës, i cili sipas tij përfaqëson narkoshtetin dhe është një zar i bandave kriminale. “Sot Balla përfaqëson narkoshtetin në Komisionin e Sigurisë. Nuk ka fatkeqësi si kjo për vendin. U vendos të vazhdojë mosbindja civile me të gjithë varietetet e saj. Një pjesë e deputetëve janë tani në Komisionin e Sigurisë, ku njëri nga kriminelët më të rrezikshëm me kollare, të Shqipërisë dhe rajonit, do referojë në emër të krimit dhe drogës dhe të lidhjeve të tij që ka.Nuk ka përqeshje më të madhe për këtë komb se të vendoset në krye të sigurisë së vendit, një individ i akuzuar në sallat e gjyqit si njeri që ka porositur vrasje.I cili ka shoqëruar narkotrafikantin, bosin Edmond Bego, 54 herë me ngarkesa droge nga Tirana jashtë vendit.I cili ka shoqëruar Pëllumb Gjokën disa herë nga Tirana në Romë. Në fakt ka mbrojtur me pasaportën e tij diplomatike, transportin e drogës për klanet kriminale”, tha ai. Berisha theksoi se ministri ka lidhje me Bajrat. “Përveç kësaj Balla është i njohur me lidhjet e tij me Bajrat, si një zar i tyre, ku në regjistrime ata shprehen se me të e kemi zgjidhur problemin e ligjit të lojërave të fatit.Po ashtu me Rrajat, me bandën e Elbasanit, ku ky merret me tenderat që duhet të fitojë një nga banditët e Elbasanit.Pra, sot ky përfaqëson narkoshtetin në Komisionin e Sigurisë.Nuk ka fatkeqësi si kjo për vendin dhe ne e denoncojmë”, nënvizoi Berisha.