Shtohen telashet për dhëndrin e ish-kryeministrit Sali Berisha, Jamarbër Malltezi, i cili ndodhet në “arrest shtëpie” sa i takon aferës së privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”. Pak ditë më parë Prokuroria e Posaçme (GJKKO) ka depozituar rekurs në Gjykatën e Lartë për Jamarbër Malltezin ku kërkon rikthimin e tij në qeli. Ndërkohë gazeta “SOT” ka mësuar se data e rekursit në Gjykatën e Lartë është caktuar me 5 mars. Shorti ka caktuar relator të çështjes, gjyqtarin Sokol Binaj dhe anëtarë Ilir Panda e Sandër Simoni. Po ashtu bëjmë me dije se edhe vetë dhëndri i Berishës ka depozituar rekursin në Gjykatë të Lartë, duke kërkuar heqje të masës së sigurisë, me argumentin se nuk ka kryer asnjë vepër penale, për të cilën prokuroria ka ngritur dyshimet. Dhëndri i Berishës, u arrestua në Rinas në 20 tetor, nën akuzën e ‘korrupsionit’ dhe ‘pastrimit të parave’ në dosjen e ish-kompleksit “Partizani”. Ai u mbajt në paraburgim derisa u vendos masa për ndryshimin e masës së tij të sigurisë. Po ashtu më 20 tetor gjykata vendosi masën e sigurimit pasuror “sekuestro preventive”, për 16 pasuri të paluajtshme të Malltezit, 6 llogari bankare me vlerë 250 mijë euro dhe kuotat e Jamarbër Malltezit në shoqëritë “Homeplan”, “Magnet IMO” dhe “Magnet Gym&Fit. Sipas SPAK, Malltezi ka përfituar 5.4 milionë euro me kthimin e pronës së ushtrisë, në truall ndërtimi duke i paraqitur këto të ardhura si fitim biznesi, me ndihmën e biznesmenit Fatmir Bektashi, në një kohë që sipas SPAK, nuk kishte kryer asnjë investim. Sakaq, në të njëjtën datë, në orën 12: 30 do shqyrtohet edhe rekursi i Sali Berishës për heqjen e masës detyrim paraqitje që u caktua ndaj tij fillimisht. Berisha prej datës 30 dhjetor mbahet i izoluar ne banese për shkak se SPAK i kërkoi gjykatës ashpërsim të masës, pasi ish-kryeministri nuk respektoi vendimin e parë të gjykatës.
Ja akuzat që rëndojnë mbi Malltezin
Prokuroria e Posaçme në akuzat ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili rezulton se ka pasur rol aktiv në nxitjen e privatizimit të ish-kompleksit sportiv Partizani në kundërshtim me ligjin dhe në përfitim të dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi. SPAK shkruan në njoftim se nga hetimet, është krijuar dyshimi i arsyeshëm, i mbështetur në prova se, Sali Berisha ka konsumuar veprat penale e “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, në bashkëpunim me dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi. Konkretisht, sipas prokurorisë, Sali Berisha, në cilësinë e tij si kryeministër i Republikës së Shqipërisë, ka kryer veprime konkrete dhe aktive, në miratim ligjesh apo aktesh nënligjore, me qëllim përshtatjen e tyre sipas nevojave që paraqiteshin për pesë familjet e njohura pronare, ku fitues i drejtpërdrejtë ndër të tjerë, rezultonte të ishte bashkëshorti i vajzës së tij, Jamarbër Malltezi. Jo vetëm kaq, por sipas SPAK, Sali Berisha si kryeministër, ka ushtruar kontrolle e presion ndaj administratës për të nxjerrë sa më shpejt urdhrin e privatizimit, nga i cili dhëndri i tij ka përfituar rreth 5.4 milionë euro. “Nga ana e shtetasit Sali Berisha, në cilësinë e tij si Kryeministër, janë kryer veprime aktive për kryerjen e kontrolleve administrative, me qëllimin e ushtrimit të presionit dhe dhënien e urdhrave konkrete, për konkludimin e procedurave të privatizimit, në favor ndër të tjerë, edhe të Jamarbër Malltezit, bashkëshorti i vajzës së tij”, njoftoi SPAK.