Mbrëmjen e 25 qershorit, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po përgatitej të bënte goditjen e madhe për dosjen e inceneratorit të Tiranës duke firmosur 19 masa sigurie. Në shënjestrën e SPAK bënin pjesë politikanë dhe njerëz të tjerë të rëndësishëm të medias, si edhe familjarë të tyre. Pra kishte masa për gazetarë, pronarë mediash por dhe ortakë të kompanisë së inceneratorëve, të Mirel Mërtirit dhe Klodian Zotos, po ashtu dhe për persona të tjerë publikë, por edhe të huaj. Gazeta “SOT” e raportoi pak ditë më parë se BKH u kontrolloi edhe shtëpitë e tyre. Por operacioni u bllokua dhe nuk pati finalizime. Vetë SPAK njoftoi dje në mëngjes (26 qershor), me shumë pak detaje se goditja nuk ka ndodhur gjatë natës. Por në reagimin e tyre për mediat theksohet se hetimet vijojnë. “SPAK po vijon një sërë hetimesh për të luftuar korrupsionin dhe mbrojtjen e publikut. Nuk ka pasur asnjë operacion brenda natës dhe ju kërkojmë me mirësjellje të shmangin spekulimet që mund të dëmtojnë punën tonë. Në momentin që do të kemi njoftime për të ndarë me median padyshim do të viheni në dijeni”, thuhet në reagimin e SPAK. Por pse dështoi ky operacion? A ka patur dekonspirime, apo ndërhyrje nga pushtetarë të lartë? Fakti i sigurt është që kjo dosje, e cila përmban emra “peshash të rënda” është aq përvëluese sa po djeg dhe “duart “e prokurorëve specialë. Mjaftojmë të shohim emrat që kanë zbarkuar në SPAK gjatë kësaj kohe. Është kupola e mazhorancës që ka dhënë llogari. Madje aty del dhe firma e kryeministrit Edi Rama. Presioni është shumë i madh. Këtë herë situata është më e nxehtë pasi është e përlyer edhe media. Ka pagesa prej miliona eurosh në kompani ofshore.
Presionet ndaj SPAK
Nuk është vetëm dosja e inceneratorit të Tiranës që po alarmon politikën dhe median. Po shohim e dëgjojmë çdo ditë sulmet nga pushtetarët e lartë ndaj drejtësisë së re. Madje edhe policia që duhet të garantojë siguri, ka dekonspiruar shpesh operacionet e SPAK. Personat që kanë dosje shajnë dhe bëjnë presion hapur ndaj Altin Dumanit dhe prokurorëve. Kemi Sali Berishën, Ilir Metën, Monika Kryemadhin dhe Flamur Nokën që vazhdojnë ditë-natë të sulmojnë drejtësinë për shkak të hetimeve. Ata flasin dhe me emra prokurorësh, të cilët i quajnë ushtarë të Ramës. Madje ka patur kërcënime dhe me jetë nga personazhe të botës së krimit për hetuesit e SPAK. Nga ana tjetër, institucionet ndërkombëtare kanë nisur një “fushatë” mbrojtjeje të institucioneve të reja të drejtësisë dhe veçanërisht Prokurorisë Speciale Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Këtë fakt e tregoi dhe vizita e fundit në Tiranë e Koordinatorit për Anti-Korrupsionin Global në Departamentin Amerikan të Shtetit, Richard Nepheë, i cili shmangu çdo takim me politikën dhe mbështeti fuqishëm SPAK. Nepheë, vendosi të shkonte personalisht brenda godinës së Prokurorisë së Posaçme. Aty ai pa dosje korrupsioni të përhapura në tokë, në dollapë, në sirtar dhe në tavolinë. Zyrtari i DASH nuk e fshehu habinë. Përveç Altin Dumanit, Nepheë takoi dhe me Arben Krajën, ish kreun e SPAK i cili ka në dorë dhe dosjen për aferën e privatizimit të ish kompleksit “Partizani”, për të cilën ish kryeministri Sali Berisha dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi po hetohen për akuzën e korrupsionit. Ndërkohë Altin Dumani ka në dorë dosjen ndaj Ilir Metës lidhur me aferën “CEZ-DIA”. Pritshmëritë dhe mesazhi i koduar me dosjet, paralajmërojnë që në ditët, javët dhe muajt në vijim SPAK pritet të ndërmarrë veprime konkrete ndaj disa politikanëve ministrave dhe ish-ministrave që kanë abuzuar me fondet publike. Pamjet janë shoqëruar dhe me paralajmërime të forta nga amerikanët. SHBA do të vazhdojnë të mbështesin SPAK derisa pushtetarët e paprekshëm që i kanë shpëtuar gjithë këto vite, të dënohen nga drejtësia.