Ish-kryeministri Sali Berisha duket se do të përballet me telashe nëse vijon të bëjë kryeneçin dhe të mos i bindet drejtësisë. Pas një sërë përpjekjesh të tij për të zvarritur procesin gjyqësor të nisur për të sa i takon aferës së privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”, gjyqtarja Irena Gjoka vendosi “arrest shtëpiak” për ish-kryeministrin Berisha. Por kjo masë sigurie që e izolon ka “trimëruar” Berishën, i cili ka thyer kufizimin e vendosur nga Gjykata e Posaçme, e cila përveç arrestit në banesë, i ndali atij komunikimin me person jashtë familjes. “Me masën e sigurimit “arrest në shtëpi” parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, në adresën e vetëdeklaruar në akte nga personi nën hetim Sali Berisha duke e urdhëruar atë të mos largohet nga banesa e tij e ndodhur në adresën rruga “Mustafa Matohiti”, duke u siguruar mbrojtja e tij me punonjës policie të shtetit si dhe ndalimin e komunikimit me persona të tjerë përveç atyre që bashkëjetojnë në të njëjtën banesë me të”, thuhet në kërkesën e SPAK, e cila mban firmat e prokurorëve Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai. Por Berisha në asnjë moment deri më tani nuk e ka respektuar këtë vendim. Ai përveçse komunikon me njerëzit poshtë banesë së tij, të cilët mblidhen në shenjë proteste dhe solidarizimi me të, ka shkuar më tej duke futur edhe njerëz të tjerë brenda banesës. Para pak ditësh në shtëpinë e tij ishte ish-eurodeputetit gjerman i CDU-së, Elmar Brok. Ky i fundit në vendin e Berishës, nga dritarja e shtëpisë, ka mbajtur një fjalim. Kjo nuk është hera e parë që Berisha thyen masën e sigurisë “arrest shtëpie”, pasi pak javë më parë lejoi të futen në ambientet e shtëpisë gazetarët e RAI 3.
Pritet shtrëngimi i masës së sigrusë
Sipas juristëve, thyerja e kufizimit të vendosur nga SPAK mund të sjellë një shtrëngim të masës ndaj Sali Berishës. Juristja Brisida Gjikondi është shprehur së fundmi se SPAK duhet të ndërhyjë. “Për mendimin tim është skandaloze. Është në vazhdën e shkeljes së vendimit të Gjykatës së Posaçme që bën Berisha. Po të lexosh vendimin e Berishës, ai e ka të ndaluar të ketë komunikim me persona të tjerë, përveç atyre që janë të rrethit të ngushtë familjar me të cilët ndan banesën. Ai jo vetëm, nuk mund të marrë njerëz të tjerë në familje, por as nuk mund të dalë në ballkon dhe të bërtasë. Por ne e pamë që ai ka dhënë intervista televizive në shtëpinë e tij, tani fton edhe pensionistë që dalin, njësoj si ai, kanë të njëjtën tagër, gjoja i japin të drejtë. Për ne si publik, e shikojmë si një zhbërje të personalitetit të tij dhe të të kthyerit në qesharak. Kur për SPAK, do doja që të paktën ligjërisht t’i çonte disa shkresa që t’i tërhiqej vëmendja, këto e rrënojnë pozitën e tij. Edhe në arrest shtëpie përfundoi për shkak të kokëfortësisë së tij dhe moszbatimit të ligjit. Do doja që SPAK të vazhdojë në rrugën e vënies para përgjegjësive të tij”, theksoi ajo. Edhe juristi Romeo Kara është i të njëjtit mendim. “Jemi lodhur duke parë sesi ai nuk po përballet me ligjin. Tani mendoj se ai duhet të shkojë në arrest të plotë, duhet të merret masa arrest me burg dhe ky është një teatër shumë i pështirë pasi ai gjithmonë ka investuar si me Martin Huzen, me gazeta të ndryshme deri te Uashington Post. Tani na servir reportazhin e RAI, si shumë të pështirë pasi ishte gjithçka që është thënë nga goja e Bardhit dhe të tjerëve. Pra, çfarë kanë thënë këto akuza, janë thënë nëpërmjet RAI-t. Jam i sigurtë në perceptimin tim se nuk vijnë gjermanët të çmenden në pleqëri të shtyrë nga një frymëzim berishian pasi është e tmerrshme që Europa të frymëzohet nga kjo frymë Berishiane. Duhet parë mirë se për çfarë ka shkuar në banesën e tij politikani gjerman, ka patur pagesë për të apo jo dhe ta nxjerrin pastaj nga maja e ballkonit të Berishës portretin e turpit të këtij politikani gjerman”, tha Romoe Kara.