Situata politike brenda Partisë së Lirisë duket se nuk është në ditët e saj më të mira, madje nga dita në ditë kjo forcë politike po rreshket në kolaps e kaos. Kreu i PL, Ilir Meta prej disa ditësh ka ngritur tonet, ndërsa ka lëshuar lumë akuzash ndaj disa prej bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë. Trageti kryesor i sulmeve të Metës ka qenë kupola e ish-Lëvizjes Socialiste për Integrim gjatë kohë që ai ka qenë Presidenti i Republikës. Njëri prej zyrtarëve më të intimiduar është Endrit Braimllari, i cili ka pasur postin e nënkryetarit të PL dhe drejtues politik i kësaj force në Qarkun e Korçës, të cilin Meta e ka shkarkuar dy ditë më parë nga funksionet partiake, duke e zëvendësuar me Tedi Blushin, pasi siç theksoi ish-presidenti në forcën që ai drejton nuk mund të ketë më nepotizëm.
Meta e shkarkoi të hënën, Braimllari dorëhiqet të martën
Sa i takon kësaj përplasje ka ardhur dje dhe reagimi i ish-deputetit Braimllari. Përmes një postimi në “Facebook”, Braimllari shkruan se ka njoftuar Komitetin Drejtues të PL, se jep dorëheqjen nga posti i nënkryetarit të saj, për shkak të faktorëve të brendshëm. Sipas tij, ai po e bën këtë akt për të treguar se më i rëndësishëm se personi është uniteti brenda partisë. “Të nderuar anëtar të Komitetit Drejtues Kombëtar i gjendur në kushtet e pamundësisë për të kryer funksionin e nënkryetarit të partisë, për shkak të faktorëve të brendshëm kam vendosur të jap dorëheqjen nga ky funksion. Po bëj unë i pari disa hapa pas për të treguar që për mua e rëndësishme është uniteti me njeri tjetrin”, shkruan ndër të tjerë ai. Po ashtu, Endrit Braimllari ka reaguar edhe pas vendimit për të dhënë dorëheqjen si nënkryetar i Partisë së Lirisë. Teksa ishte i ftuar në një studio televizive, duke komentuar këtë vendim, Braimllari theksoi se nuk është larguar nga partia por se ka bërë hapa pas. “Në letrën time drejtuar komitetit drejtues kombëtar ka qenë shteruese. Ka qenë një dorëheqje e mirëmenduar për shkak të situatës të brendshme në parti. Kam 12 vite angazhim në strukturat e LSI dhe PL tanimë dhe në këto vite jam udhëhequr gjithmonë nga dinjiteti dhe karakteri për të qenë një zë në mbrojtje të interesit të qytetarëve dhe kam qenë një njeri që jam marrë me punë, jam marrë me organizimin e strukturave, kam qenë kryetar i forumit rinor për një kohë të gjatë, 3 herë anëtar i këshillit bashkiak, një herë deputet dhe në çdo situatë kam mbrojtur interesin e qytetarëve. Sigurisht që ka këndvështrime të ndryshme se si organizohet partia, por s’mund ta pranoj mënyrën që një nënkryetar i partisë që mund të ketë kaq vite kontribut të rrijë nënkryetar aty. Kam bërë disa hapa pas për të krijuar mundësinë e unitetit dhe bashkimit të njerëzve dhe për t’i krijuar mundësinë kryetarit të partisë për të vënë në zbatim planin e tij. Konventa kombëtare me 27 prill, ku besoj se do të propozojë planin e tij. Mendoj dhe hyj tek një brez i ri politikanësh. Jam rritur brenda strukturave të LSI. E konsideroj një familje LSI. Nuk është largim nga LSI, por kam bërë hapa pas për t’u lënë të kuptoj gjithsecili se nuk është problemi Endriti. Për mua LSI është frymë. Nuk jam unë problemi brenda strukturave. Nëse kërkohet suksesi në zgjedhjet e ardhshme duhet një bashkëpunim sa më i gjerë”, nënvizoi Braimllari.
Elona Guri reagon pas akuzave të Metës për tradhti
Ndërkohë Elona Guri, një prej të akuzuarave të mëdha të Ilir Metës, ka bërë ditën e djeshme një reagim pas dorëheqjes së “tradhtarit” tjetër Endrit Braimllari, si nënkryetar i Partisë së Lirisë. “Jam krenare për rrugëtimin tënd miku im! Qe nga gjimnazist e deri ne prind, ti nuk lëvize kurrë prej boshtit te vlerave te tua. Kemi ndare bashke sakrificat dhe punën e palodhur për te çuar përpara misionin LSI, qe shume e quanin te pamundur. Jemi kritikuar sepse kemi besuar. Por pa tradhtuar kurrë idealet tona dhe duke qene model i asaj lëvizje pozitive qe përfaqësonte partia jone LSI ne këto 20 vite për te gjithe ata mijëra burra, gra e te rinj ne te gjithe Shqipërinë”, shkroi dje Guri, në postimin e Braimllarit, ku deklaron dorëheqjen. Raportohet se Guri është përjashtuar nga Ilir Meta, nga Partia e Lirisë, por ende s’ka konfirmim zyrtar.
Artan Hoxha thumbon Metën
Nga ana tjetër, edhe gazetari Artan Hoxha ka reaguar dje në rrjetet sociale mbi lajthitjet e Ilir Metës. Ky i fundit është kapur nga paranojë e tradhtarëve. Përveçse sulmoi fort Monikën në një intervistë Meta akuzoi dhe një prej zëdhënësve të tij. Artan Hoxha ka reaguar, duke ironizuar Metën. “Me çfarë dëgjova mbrëmë, jam shumë i shqetësuar për Klajd Bodllin!!! Kemi ndare ditë të mira dhe të këqija bashkë ne Neës24… Kohë qameti kanë ardhur, çfarë sjell ora nuk sjell moti, thotë populli…. Po paska plasur sabotazh dhe tradhti e madhe aty ngjitur me “Bla Bla-në”…. Komandanti, paska hedhur valle në “gojë të ujkut” dhe nuk e paska ditur….”, shkroi gazetari Artan Hoxha.