Partia e Lirisë ka qenë në qendër të vëmendjes ditët e fundit, pas deklaratave të forta të kreut të saj, Ilir Meta. Ky i fundit ka folur për nepotizëm dhe tradhtarë brenda partisë, teksa ka sulmuar edhe kreun e SPAK, Altin Dumani dhe madje nuk ka kursyer as bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhi. Për të folur për këtë çështje, dje ka qenë e ftuar në një media Silva Caka, sekretare për marrëdhëniet me publikun në PL. Ajo tha se për Partinë e Lirisë është i nevojshëm një pastrim i vetvetes, për t’u dhënë qytetarëve një model ku ka meritokraci, duke sulmuar kështu hapur Monika Kryemadhin, e cila ka dalë kundër reformës së paralajmëruar nga Ilir Meta brenda PL. “Djegia e mandateve pati pasoja të jashtëzakonshme për qytetarët në radhë të parë e më pas për partitë që e ndërmorën atë akt. Ishte një veprim që u mor në kolektiv dhe për sa kohë merret i tillë, përpos debatit të brendshëm, ishte një vendim i marrë në grup. Ajo që po ndodh në Partinë e Lirisë ka të bëjë me një pastrim të vetvetes. Është moment që përballë një qeverie e cila ka instaluar një regjim mafioz, duke u ndodhur në këtë situatë, është mirë të kemi një alternativë tjetër për t’u dhënë qytetarëve shqiptarë. Ka nevojë të ndërmarrim disa hapa drastik, por edhe të nevojshëm. Po vijnë zgjedhjet e 2025 dhe qytetarët kanë nevojë të shohin një Parti të Lirisë tjetër ku ka meritokraci. Duke u bërë raste të shumta, duke pasur dy njerëz që janë të një familjeje, njerëzit fillojnë dhe afrohen me familje. Nuk ka ardhur kjo gjë për një individ të caktuar, është për të gjithë rastet që dashje pa dashje mund të kenë prishur ekuilibrat e Partisë së Lirisë”, deklaroi Caka, duke shigjetuar hapur Monika Kryemadhin.
Tradhtarët brenda PL
Më tej zonja Silva Caka, foli edhe për akuzat e Metës, se në Partinë e Lirisë ka tradhtarë, teksa përmendi se për këtë është bërë dhe një denoncim në SPAK. “Këto janë disa informacione që i di më mirë kryetari i Partisë. Ne kemi depozituar një denoncim edhe në SPAK për një ndërhyrje brenda godinës së PL, ku ka pasur dhe disa lëvizje me DVR, me kabujt, me transmetimin. Aty ka pasur njerëz që kanë ndërhyrë dhe ndërhyrja e tyre është parë nga të gjithë ne si një tentativë. Që mos të ndodhin skenarë të ngjashme me tradhtarët brenda në PD ne do përpiqemi që ta ndalojmë një gjë të tillë”, u shpreh ajo. Sakaq Caka komentoi edhe gjuhën e ashpër të përdorur nga Meta ndaj kreut të SPAK, Altin Dumani. “Me nje person që merr përsipër të dërgojë mesazhe nëpërmjet kodit të mafies, me një njeri që tenton të fabrikojë prova dhe procese të paqena, që është në delirin e një njeriu që gjithë jetën ka vuajtur nga komplekset e inferioritetin, një njeri që nuk i ka shërbyer askujt veç Edi Ramës, nuk mund të kesh një gjuhë korrekte, duke u bërë të ditur qytetarëve me kë kanë të bëjnë”, nënvizoi Caka.
Reagon Meta
Ndërkohë nga ana tjetër, kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka thumbuar dje sërish bashkëshorten e tij Monika Kryemadhi, gjatë një konference për mediat në Durrës. Zoti Meta theksoi se kur flet për nepotizëm nuk ka ndërmend asnjë individ, pavarësisht se dikujt i pëlqen të viktimizohet. Sipas tij nepotizmi ka dëmtuar PL-në gjatë viteve të fundit, prandaj duhet luftuar nëse duan të vijnë në pushtet. “Kur flasim për nepotizëm në PL nuk flasim për asnjë individ, se ka ndonjë që do të viktimizohet. Ne flasim për një parti model, sot në opozitë nesër në qeveri, se ne jemi ndryshe, se kemi bërë gabime të mëdha, jo vetëm në djegien e mandateve por edhe për shkak të nepotizmit. Ne e dimë se nepotizmi është një fenomen i frikshëm për shoqërinë tonë, vetëm për një familje në prokurori janë 7 anëtarë. NË dogana dhe tatime janë 500 raste nepotike. Pastaj se sa janë në të gjithë sistemin tjetër e dinë të gjithë shqiptarët, prandaj është niveli i të ardhurave më pak se para 20 viteve. Nga viti 2 mijë deri në 2013, kur ka ardhur Rilindja ritmi i rritjes së pensioneve është shumë më i lartë, pas këtij viti ju është dhënë prioritet oligarkëve”, deklaroi Meta.