Partia Demokratike është bashkuar si rrallë herë për çështjen e skandalit “McGonigal”. 42 deputetë të selisë blu kanë firmosur kërkesën ndaj Kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar për zbardhjen e implikimit të kryeministrit Edi Rama me ish-shefin e kundërzbulimit të FBI në Nju Jork, Charles McGonigal në skandalin e korruptimit të burokratit të FBI për të hetuar lobimin rus në PD, por dhe të lidhjeve të tyre me oligarkun Oleg Deripaska, ish-agjentin e FBI Mark Rossini, ish-agjentin e Sigurimit të Shtetit, Agron Neza, ish-zv/ministrin e Energjisë Dorian Duçka, Shefqet Dizdarin etj. Kjo kërkesë është firmosur dhe nga n/kryetarja e PD zyrtare, Jorida Tabaku dhe sekretari i saj, Gazment Bardhi. Sipas gjasave, socialistët nuk do ta miratojnë këtë kërkesë, me argumentin se po ndryshojnë ligjin për ngritjen e komisioneve hetimore parlamentare. Opozita kërkon zbardhjen e 5 pikave të ngritura prej saj lidhur me skandalin “McGonigal”, në të cilën pretendon se është përfshirë thellë dhe Edi Rama.
Çfarë kërkon opozita me komisionin hetimor parlamentar për Ramën? Ja pika 1 dhe 2
1) Kontakteve dhe marrëdhënieve të Kryeministrit Edi Rama me agjentin special të FBI, Charles McGonigal, me shtetasin Dorian Duçka dhe ish-agjentin e Sigurimit të Shtetit, Agron Neza, si dhe përfshirja e tyre në marrëdhënie dhe ndërveprim me agjentin special Charles McGonigal dhe oligarkun rus Oleg Deripaska. 2) Nxitjes, ndikimit porositjes, përdorimit, përfshirë përmes premtimit dhe ofrimit të favorevem, rryshfetit apo pasurive publike, ndaj agjentit special të FBI Charles McGonigal dhe/ose agjentë të tjerë të përfshirë për përfitime politike të Kryeministrit Edi Rama dhe goditjen apo dëmtimin politik të Opozitës shqiptare.
Si u lejuan të hapen biznese nga oligarku rus, ish-agjenti i FBI, Agron Neza, etj.?
3) Lejimit, lehtësimit dhe favorizimit të bërjes biznes në Shqipëri, përfshirë dhënies së lejeve, licencave dhe autorizimeve shtetërore nga Qeveria apo entitete shtetërore shqiptare, për investimet e oligarkut rus, Oleg Deripaska, dhe që nga data 08.04.2022 i sanksionuar nga Bashkimi Europian dhe Republika e Shqipërisë. 4) Hapjes dhe zhvillimit të aktiviteteve të biznesit në Shqipëri të agjentit special të FBI Charles McGonigal si dhe 5) Marrëdhënieve të biznesit në Shqipëri të kryera, ose ndërmjet shtetasve Oleg Deripaska, Charles McGonigal, Dorian Duçka, Mark Thomas Rossini, Agron Neza, Shefqet Dizdari, përfshirë të gjithë ortakët, bashkëpunëtorët dhe përfaqësuesit e këtyre të fundit me kompani vendase apo të huaja në Shqipëri, apo me institucionet shtetërore shqiptare”.
Boçi: Kemi më shumë se 45 firma, GJK lejon ngritjen e çdo komisioni hetimor
Në konferencën e djeshme për mediat, n/kryetari i Grupit të Rithemelimit të PD, Luçiano Boçi u shpreh se janë mbledhur më shumë se 45 firma për kërkesë për komisionin hetimor, edhe pse në media janë publikuar 42 emra deputetësh. Boçi injoroi kërcënimet e PS se nuk do të lejojë ngritjen e këtij komisioni, duke thënë se ngritja e komisioneve hetimore parlamentare garantohet nga Gjykata Kushtetuese. “Kanë refuzuar mocionin me debat sikurse kanë bërë javën e kaluar. Kanë refuzuar pjesëmarrjen në interpelancë, por aksioni ynë nuk përfundon këtu. Kemi kërkuar ngritjen e komisionit hetimor. Janë mbledhur mbi 45 firma. Kreu i grupit të PS ka deklaruar që kërkesa do refuzohet ndërkohë që Gjykata Kushtetuese është shprehur qartë që ngritja s’mund të ndalohet nga Parlamentin”, tha Boçi.
Balla: S’ka komision për Ramën, po merremi me ligjin për komisionet hetimore
Në fjalën e tij për mediat pas përfundimit të djeshëm të seancës plenare, kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla deklaroi se mazhoranca nuk do të lejojë ngritjen e komisionit hetimor për Ramën dhe përfshirjen në skandalin “McGonigal”, pasi është angazhuar me punimet e komisionit të posaçëm për hartimin e ndryshimeve të ligjit për ngritjen dhe funksionimin e komisioneve hetimore parlamentare. “E para, me sa di, ka pasur një kërkesë të ngjashme. Ose është depozituar, ose është thënë. Për sa i përket komisioneve hetimore parlamentare, sapo kemi rrëzuar një kërkesë tjetër, ose jemi shprehur për një kërkesë tjetër. Në Konferencën e Kryetarëve kemi diskutuar për këtë çështje. Në seancën e para 1 jave, është ngritur komisioni i posaçëm për ndryshimin e ligjit për komisionet hetimore parlamentare. Deri kur të mbarojë puna për transpozimin e plotë të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe për një ndryshim thelbësor të ligjit, për të mos krijuar më problem të pikasura deri më tani, nuk mund të ketë asnjë komision hetimor parlamentar”, deklaroi Balla para Kuvendit.
Emrat e 42 deputetëve, Alibeaj nuk firmos për komision hetimor ndaj Ramës
Luciano Boçi, Sorina Koti, Luan Baçi, Lindita Metaliaj, Isuf Çela, Kasem Mahmutaj, Tomorr Alizoti, Kastriot Piroli, Agron Shehaj, Edmond Spaho, Greta Bardeli, Ina Zhupa, Albana Vokshi, Tritan Shehu, Oerd Bylykbashi, Gazment Bardhi, Flamur Noka, Sali Berisha, Edi Paloka, Xhelal Mziu, Ramadan Lika, Sajmir Koreshi, Eralda Bano, Ervin Salianji, Elda Hoti, Agron Duka, Bujar Leskaj, Belind Këlliçi, Orjola Pampuri, Lefter Gështenja, Zheni Gjergji, Bledjon Nallbati, Merita Bakiu, Jorida Tabaku, Andia Ulliri, Ilda Dhori, Monika Kryemadhi. Petrit Vasili, Helidon Bushati, Ferdinand Xhaferri, Flamur Hoxha dhe Emilja Koliqi.